Tirana 24 orë ujë: Nënshkruhet marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane për Investime     

189
Sigal

U nënshkrua sot Marrëveshja e financimit të projektit të “Furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit të Tiranës”, mes qeverisë shqiptare përfaqësuar nga Zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe Bankës Europiane për Investime, përfaqësuar nga zv. Presidentja Lilyana Pavlova. Të pranishëm në eventin e nënshkrimit ishin Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe Ambasadori i Delegacionit të BE Luigi Soreca. Projekti i furnizimit me ujë të pijshëm për Tiranën, është një financim në shumën e 144.5 milionë euro, nga të cilat 80 mln euro kredi e financuar nga BEI dhe pjesa tjetër financim i buxhetit të shtetit dhe ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizime Tiranë. Punimet parashikojnë modernizimin e infrastrukturës së rrjetit ekzistues të ujit, duke investuar edhe në linjën e re të furnizimit nga Guri i Bardhë, si dhe garantimin me ujë të pijshëm 24 orë për gati 1 milionë banorë të kryeqytetit. Në fjalën e tij zv.kryeministri Ahmetaj tha se ky është një tjetër projekt prioritar i qeverisë që po bëhet realitet “E kemi nisur diskutimin dy vite më parë dhe kemi bërë punën e milingonës këto dy vjet së bashku me BEI dhe Bashkinë e Tiranës, për të arritur deri këtu. Zv.Presidentja e Bankës Europiane për Investime Lilyana Pavlova tha se ky është “një hap i rëndësishëm përpara drejt garantimit të kushteve më të mira të jetesës për qytetarët e Tiranës. Jemi të lumtur të investojmë në një të ardhme më të sigurt e më të shëndetshme për Shqipërinë, duke kontribuar në të njëjtën kohë në një rimëkëmbje më të shpejtë. Jam krenare për bashkëpunimin aktual mes qeverinë shqiptare dhe qytetin e Tiranës, bashkëpunim që na ka ndihmuar të adresojmë sfidat e lidhura me rritjen e shpejtë të urbanizimit dhe pamjaftueshmërisë së sistemit aktual për furnizim me ujë të pijshëm.. Jemi të lumtur të mund të ndihmojmë Shqipërinë të përafrohet progresivisht me standardet e BE.”