Kongresi ‘ngushton lakun’ edhe për Shqipërinë. Rastësi apo e planifikuar: 1 ditë pasi Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Garland do të flasë para Komitetit Gjyqësor të Senatit mbi hetimet e kryera për çështjen e McGonigal, kryeministri Rama do përballet me opozitën në Kuvend. Ja zhvillimet e fundit të hetimeve në Kongres dhe sponsorizimet kineze për ekspozitën në Hong Kong
Alibia e PS për komisionin “McGonigal” delegjitimon ‘rolin kushtetues të Parlamentit’
Taktikat e mazhorancës për bllokimin e komisionit hetimor për çështjen “McGonigal”, janë sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, zhvillime që bien ndesh si me parimet kushtetuese, ashtu edhe me ato të sigurisë juridike.
Mazhoranca socialiste bllokoi këtë muaj kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen “McGonigal” – ku një ish-zyrtar i lartë i FBI-së akuzohet për përfitime, udhëtime dhe takime të padeklaruara në Shqipëri, përfshi edhe ato me kryeministrin Edi Rama.
Kërkesa e firmosur nga 42 deputetë të opozitës kishte si objekt verifikimin e “nxitjes, ndikimin, porositjen, përdorimin, përfshirjen përmes premtimit dhe ofrimit të favoreve, rryshfetit apo pasurive publike ndaj agjentit special të FBI-së, Charles McGonigal dhe ose agjentë të tjerë të përfshirë për përfitime politike të kryeministrit Edi Rama dhe goditjen apo dëmtimin politik të opozitës shqiptare”. Por gjatë diskutimit të kërkesës në Konferencën e Kryetarëve në mbledhjen e 7 shkurtit, përfaqësuesit e PS-së, pretenduan se ajo nuk mund të merrej në shqyrtim për shkak se Kuvendi kishte nisur një proces ndryshimesh në ligjin e komisioneve hetimore dhe votuan për shtyrjen e vendimmarrjes.
Sipas proceverbalit të zbardhur të kësaj mbledhjeje, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kundërshton shqyrtimin e kërkesës deri në një afat të pacaktuar. Kuvendi, sipas tij, ka ngritur një komision të posaçëm për të transpozuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese në këtë ligj dhe kjo pengon shqyrtimin e kërkesës së opozitës.
“Refuzoj të hyj në thelbin e kërkesës,”thotë Balla, duke i propozuar Konferencës së Kryetarëve që kërkesa të shtyhet deri në momentin që “ne të kemi përfunduar procesin e rishikimit të ligjit”.
Në të njëjtën linjë argumentoi se deputetja Ermonela Felaj, duke thënë se vendimi i Kuvendit për të ngritur një komision të posaçëm për ndryshimet në ligjin e komisioneve hetimore kanë fuqi ligjore.
“Kuvendi nuk mundet të dalë kundër vetes. Kjo është arsyeja që ne nuk po shprehemi sot për thelbin e kërkesës, por po themi që do të sigurojmë një ligj, i cili e sjell këtë instrument të veprimit,” mësohet të ketë thënë Felaj.
Për opozitën, qëndrimi i i PS-së është tentativë për të asgjësuar të gjitha instrumentet e kontrollit parlamentar.
“Thoni hapur: t’i vendosim kyçin parlamentit. Ky është absurdi,” iu drejtua kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj kolegëve socialistë.
Sipas tij, pezullimi i zbatimit të ligjit me arsyen se do të ndryshohet është anti-kushtetues, sepse ndryshimet mund të mos ndodhin kurrë.
Për ekspertët e shoqërisë civile, kjo sjellje e mazhorancës politike është anti-kushtetuese dhe vë në pikëpyetje standardet e parlamentarizmit në vend.
Afrim Krasniqi, drejtori i Institutit të Studimeve Politike, një organizatë me qendër në Tiranë, i tha BIRN se Kuvendi nuk mund të ketë devijojë nga detyrimi kushtetues për kontrollin e pushtetit ekzekutiv dhe një prej mekanizmave klasikë të ushtrimit të këtij funksioni është institucioni i komisioneve hetimore.
“Përpjekja e mazhorancës për të delegjitimuar parlamentin nga roli kushtetues, si dhe për të përdorur alibinë e nismës ligjore për ndryshime në legjislacionin për komisionet, si argumente për të pamundësuar hetimin parlamentar, janë tregues të një demokracie hibride, një praktikë abuzive politike dhe një zhvillimi që vjen ndesh me parimet e Kushtetutës,” tha Krasniqi.
Pa bazë ligjore e gjen argumentin e socialistëve edhe Erinda Skendaj, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
“Ngritja e një komisioni hetimor nuk mund të refuzohet me argumentin se ligji është në ndryshim, pasi kjo cënon parimin e sigurisë juridike,” tha Skëndaj, duke shtuar se “legjislacioni nuk ka fuqi prapavepruese, me përjashtim të legjislacionit penal kur është favorizues”.
Sipas Skëndajt, komisionet hetimore janë instrument parlamentar që ndihmojnë në mënyrë të veçantë opozitën dhe kjo është shprehur në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë kontest, shton ajo, – “ngritja e një komisioni hetimor apo refuzimi për ngritjen e tij duhet të bazohet në legjislacionin aktual dhe jo tek pritshmëritë e ndryshimit të legjislacionit në të ardhmen”.
Për Krasniqin, kjo sjellje politike e mazhorancës më shumë se sa një debat i momentit rrezikon të vendosë praktika abuzive dhe të cënojë standardin e parlamentit dhe të gjithë sistemit qeverisës, pasi Kuvendi nuk ushtron rolin e tij kushtetues si kontrollor i ekzekutivit.
“Nëse parlamenti nuk mund të ushtrojë kontroll kushtetues mbi kryeministrin, kush tjetër mund ta bëjë këtë?,” ngre pyetjen Krasniqi, duke parë me shqetësim forcimin e pozitës së kryeministrit në dëm të parimit kushtetues të ndarjes dhe balancës së pushteteve.
Vetë kryeministri Edi Rama u shpreh në mënyrë kategorike kundër hetimit parlamentar ndaj tij, pa përdorur si mbrojtje qëndrimet juridike të deputetëve socialistë.
“Nuk ka për të ndodhur,” tha ai gjatë një interviste televizive, duke e cilësuar kërkesën e opozitës një tentativë për të përdorur parlamentin për propagandë abuzive.
Megjithatë, Krasniqi i tha BIRN se kryeministri si objekt i kërkesës për hetim parlamentar është “në konflikt interesi” dhe se në kushte normale, politikanët e akuzuar do të duhej të ishin të parët të interesuar për të provuar pafajësinë.
“Nëse ata refuzojnë hetimin, de facto pranojnë fajësinë ose frikën nga hetimi, duke passjellë pasoja në imazhin dhe besimin publik, por edhe në cilësinë e demokracisë dhe stabilitetit në Shqipëri,” tha Krasniqi.
Ai shtoi se i vetmi mekanizëm zhbllokues për këtë situatë ishte dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese – ku një vendimarrje kritike ndaj Parlamentit do duhej sipas tij të shoqërohej me përgjegjësi politike dhe institucionale.BIRN

Rastësi apo ? Rama përballet më 2 mars me opozitën në Kuvend, 1 ditë para Prokurori amerikan do të flasë para Senatit mbi McGonigal
Rastësi ose jo, Rama do të jetë i përgatitur për këtë seancë. Kjo sepse më 1 mars, një ditë para debatit, Prokurori i Përgjithshëm amerikan Merrick Garland do të flasë para Komitetit Gjyqësor të Senatit mbi punën e bërë në lidhje me çështjen e McGonigal.
Kryeministri Edi Rama do të përballet më 2 mars me Opozitën për takimet me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal, i cili është marrë nën akuzë për korrupsion dhe po i nënshtrohet një procesi gjyqësor. Data u caktua nga Ermonela Felaj e cila drejtonte seancën plenare ku do të vendosje se kur do të zhvillohej seanca plenare ku Rama ballfaqohej me Opozitën. Duke qenë se Konferenca e Kryetarëve nuk ishte mbledhur pasi nuk kishte pasur dakortësi, data kaloi në duart e kryetares së Kuvendit. Atë ditë, në krye të seancës ishte Felaj, pasi po shqyrtohej dhe kërkesa e Opozitës për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.
Kështu u caktua 2 marsi, por përse pikërisht kjo datë?
Rastësi ose jo, Rama do të jetë i përgatitur për këtë seancë. Kjo sepse më 1 mars, një ditë para debatit, Prokurori i Përgjithshëm amerikan Merrick Garland do të flasë para Komitetit Gjyqësor të Senatit mbi punën e bërë në lidhje me çështjen e McGonigal. Kështu, ‘veshët’ e Ramës do të jenë në SHBA më 1 mars, që në datën dy të futet me informacionet e mbledhura në sallë.
Ç’ka ndodhur me dosjen e Charles McGonigal?
Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal, ndërsa Opozita ka zhvilluar disa protesta kombëtare ke a premtuar se do të vijojë me të tjera. Nga ana tjetër, debatet e zhvilluara në Kuvend kanë sjellë përjashtimin e shumë deputetëve të Partisë Demokratike.
Skandali me McGonigal; Kongresi ‘ngushton lakun’ edhe për Shqipërinë
Ngushtohet laku për kryeministrin Edi Rama.Nëse ai është mbrojtur deri më tani duke thënë se nuk ka asnjë aktakuzë ndaj tij nga drejtësia amerikane për skandalin me Charles McGonigal, politika amerikane nuk ka ndërmend të ndalet pa i shkuar në fund.Kongresi amerikan ka nisur hetimet në disa fronte dhe në të gjitha rastet, shfaqen përpara çështje ku del emri i Edi Ramës dhe sekserëve të tij.Kështu, Kongresi amerikan ka kërkuar të marrë në pyetje ish-ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, për skandalin e lidhjeve të djalit të Joe Biden, me kompaninë kineze të Dorian Duçkës, njeriut të Edi Ramës.Por një nga mediat më të mëdha në SHBA, Business Insider, që ka raportuar disa herë për skandalin Rama-McGonigal, thekson se “Kongresi kërkon përgjigje për kërcënimin ‘jashtëzakonisht shqetësues’ të McGonigal”.“Një stuhi me letra që liderët e kongresit kanë dërguar kohët e fundit, kërkon përgjigje për Charles McGonigal, shefin e spiunazhit të FBI, që dyshohet se doli jashtë kontrollit,” shkruan portali.
“Kjo është pika e fundit e presionit mbi Prokurorin e Përgjithshëm, Merrick Garland, që po xhonglon hetimet. Garland është planifikuar që të dalë përpara Komisionit Gjyqësor të Senatit më 1 mars për një seancë të përgjithshme dëgjimore- e para e tij në Kongresin e 118-të”.
Kërkesa ndaj Garland është dërguar nga kreu i Komisionit të Gjyqësorit në Senat, demokrati Dick Durban.“Në Kapitol, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve po përgatiten për ta mbajtur Garland në pozita mbrojtëse për dy vitet e ardhshme. Kryetari i Gjyqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve, Jim Jordan dhe kryetari i Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, James Comer, po orkestrojnë hetime për Biden, djalin e tij Hunter, gjetjet e komitetit të përzgjedhur të 6 janarit, kufirin jugor dhe përpjekjet e Departamentit të Drejtësisë për të trajtuar rritjen e dhunës dhe kërcënimeve në shkolla”, shkruan Insider.“Kapitoli ka kërkuar që tani nga Garland përgjigje në lidhje me rastin e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili drejtonte kundërzbulimin në zyrën e byrosë në Nju Jork. McGonigal akuzohet për shkelje të sanksioneve amerikane duke marrë para nga Oleg Deripaska, një oligark rus në qendër të akuzave për marrëveshje të fshehtë Trump-Rusi. Mundësia që një ‘gjahtar’ spiunazhi i nivelit të lartë po përdorte fuqinë e tij të FBI-së për të ndërtuar një marrëdhënie fitimprurëse i ka shtyrë ligjvënësit të pyesin nëse byroja është në gjendje të hetojë vetë.
Në fillim të shkurtit, si Durbin, ashtu edhe homologët e tij republikanë që drejtojnë Komisionin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, kërkuan informacione për McGonigal. Letra e Durbin drejtuar Garland zbuloi shqetësimet e tij për kërcënimet ‘jashtëzakonisht shqetësuese’ ndaj çështjeve të sigiurisë kombëtare. Letra e Senatit kërkonte informacione nga Garland dhe drejtori i FBI-së, Christopher Wray; letra e Dhomës i drejtohej Wray, por jo Garland-it.
Të dyja letrat përfshinin afate deri në mesin e shkurtit, të cilat janë tejkaluar. “Kjo paraqitje nuk është në përgjigje të letrës sonë për McGonigal,” tha një ndihmës i Durban për Insider.
Është e paqartë nëse secili komision do të përdorë fuqinë e tyre të fletëthirrjeve për të detyruar zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë që të dëshmojnë.
“Gjithçka është në tavolinë”, tha për Insider një anëtar i stafit nga Komisioni i Gjyqësorit.
Departamenti i Drejtësisë konfirmoi marrjen e letrës nga Gjyqësori i Senatit; FBI konfirmoi marrjen e letrave të shumta”, shkruan media e madhe amerikane.

Kinezët e Dorian Duçkës sponsorizuan ekspozitën personale të Ramës në Hong Kong
Dosja sjell fotot ekskluzive të reklamave që CEFC, konglomerati kinez ku punonte Dorian Duçka, nxorri në vitin 2015, me rastin e ekspozitës së Kryeministrit Edi Rama në Hong Kong. Pse iu bë ky nder kryeministrit nga kinezët e CEFC që sot po hetohen nga Kongresi Amerikan?
Konglomerati kinez, CEFC i ka rrënjët më të thella sesa me shpërthimin e skandalit McGonigal në Shqipëri. Dosja ka siguruar pamje nga viti 2015, kohë kur Kryeministri Edi Rama ende dy vite sapo i ardhur në pushtet, hapi një ekspozitë në Hong Kong. Por kush e mbështeti kryeministrin atje. Siç shihet edhe në baner, në fund të reklamës, janë renditur sponsorët gjeneralë, ku kryeson CEFC, konglomerati kinez i energjisë.Kjo lidhje e hershme e kryeminisrit me kinezët vë edhe njëherë në pikëpyetje raportin e tij me këshilltarin Dorian Duçka. Çfarë dha kryeministri në këmbim të hapjes së një ekspozite personale me përfitime tërësisht vetjake?Pranë kësaj kompanie u punësua Dorian Duçka i cili rezulton në akt akuzën e FBI si personi B, që bashkë me Agron Nezën dhanë informacione për nisjen e hetimit për lobimin e PD përmes Nick Muzin. Vetë Rama në vitin 2015 u shpreh se interesi i mediave për ekspozitën e tij ka qenë i madh. Ai shoqërohej nga e shoqja, dhe nga një tjetër person, Zhou Ding. Ding si për rastësi, u emërua si ambasador i Kinës në Shqipëri më 2019. 4 vite pas ekspozitës ku rri krah Ramës, ai u emërua ambasador. Deri ku janë lidhjet e Ramës me CEFC? Çfarë u këmbye mes tyre?Në Shqipëri, Dorian Duçka është në qendër të diskutimeve për një tjetër çështje, atë të ndërhyrjes te ish-shefi i kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal për të nisur një hetim ndaj opozitës me informacione që vinin nga Shqipëria. Në akt-akuzë, Duçka përshkruhet si personi B, një njeri i punësuar në qeverinë shqiptare. Vetë kryeministri Edi Rama ka thënë se Duçka punonte si këshilltar i Jashtëm pa pagesë, ndërsa ka mohuar që ai të ketë paguar në emër të qeverisë shqiptare agjentin e FBI.




















