Tenderi për energjinë, Meta: Vjedhja që planifikohet është kolosale

116
Sigal

Lidhur me tenderin e hapur nga KESH për blerjen e energjisë elektrike reagoi edhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili deklaroi se kjo është një vjedhje e përbindshme nga Rilindja në këtë sektor. Sipas tij, burimet e vendit nuk shfrytëzohen për shkak të korrupsionit qeveritar, ndaj i bëri thirrje shqiptarëve që të ndëshkojnë me votë Edi Ramën në 14 maj.

Mega afere korruptive të qeverisë e cilëson kreu i PL-së Ilir Meta, hapjen e tenderit për blerjen e energjisë elektrike për një periudhë 3-5 vite.

Në një dalje për mediat, ish presidenti deklaroi se përmes këtij tenderi, po vidhen miliona euro, dhe se KESH e shet energjinë me çmim më të ulët, dhe e blen atë me 270 euro.

Sipas Metës, Shqipëria nuk arrin të shfrytëzojë burimet e saj për shkak të korrupsionit qeveritar, ndaj ai i bëri thirrje qytetarëve të ndëshkojnë me votë maxhorancën në 14 maj.

Tenderi i hapur nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare për blerjen e energjisë në një kohë që çmimi i saj luhatet në bursa, ngre dyshime të forta për abuzim në këtë sektor.