“Tenderat i keni marrë nga kryetarët e Komunave, jo nga ne”

525
Një fenomen i padëgjuar po ndodh muajt e fundit, që ka lidhje mes firmave dhe kompanive të ndërtimit dhe Bashkive të reja, që u krijuan pas zgjedhjeve të 21 qershorit, në bazë të reformës së re territorial-administrative të pushtetit vendor. Bëhet fjalë për tenderat e zhvilluara para 21 qershorit 2015, dhe të fituara nga firmat e kompanitë e vogla dhe të mëdha për rrugë, ujësjellësi dhe objekte të tjera shërbimi, por që prej 2-3 muajsh nuk po gjejnë gjuhën e mirëkuptimit me stafet e reja të Bashkive. 

Bashkitë e reja nuk marrin në dorëzim rrugët e reja, ujësjellësit e rinj,etj

Pothuajse në çdo Bashki (kryesisht të mëdha) kanë lindur probleme me përfundimin e investimeve, pasi janë drejtorët e Bashkive të reja dhe supervizorët e rinj, që nuk pranojnë të marrin në dorëzim rrugët e reja, ujësjellësit e rinj, kopshtet dhe çerdhet, duke nxjerrë pretendimin se “tenderat i keni fituar me kryetarët e komunave, pazaret i keni bërë me ata, prisni kur t’ju vijë radha për një firmë nga ne”. Dhe bëhet fjalë jo vetëm për kolaudimin dhe marrjen në dorëzim të punimeve të përfunduara, por refuzohet edhe firmosja e situacioneve, dhe urdhër-pagesave, duke futur në vështirësi serioze firmat dhe kompanitë ndërtuese, që prej vitesh janë zhytur në borxhe në banka dhe individë, për investime të përfunduara dhe ato në vazhdim. 

Kërkojnë ryshfetin, të marrin në dorëzim punimet

Njëri prej tyre deklaroi për gazetën “Telegraf” se “kam tre muaj që sorollatem dyerve të Bashkisë Tiranës, pasi njësia administrative (ish-komunë), ku unë kam kryer punimet nuk pranon të më marrë në dorëzim objektet, nuk paguhet likuiditeti, nuk firmosen situacionen dhe urdhër-pagesat, duke nxjerrë arsye, të cilat të lënë të kuptosh se duhet të paguash nën dorë”. Pothuajse të gjitha firmat dhe kompanitë e ndërtimit në Bashkitë e mëdha kanë të njëjtin problem. I njëjti person tha se “vonesat na kanë vënë në vështirësi të jashtëzakonshme financiare, kemi hyrë në borxhe me bankat, dhe kolegët tanë, kemi kryer punime me para të marra borxh duke shpresuar se do të marrim një ditë paratë që na takojnë, borxhe marrim prej 2 vitesh edhe për pagat e punëtorëve, dhe të rrish dhe sorollatesh tani për një firmë, kjo është skandaloze”. Qysh nga 15 shtatori 2015, Bashkitë e reja kanë marrë në dorëzim institucionalisht gjithë dokumentacionin e ish-komunave dhe ja kanë ndarë zyrtarisht Njësive Administrative, por pavarësisht kësaj, firma dhe vula e fundit u takon për urdhër-pagesat vetëm kryetarëve. Firmat dhe kompanitë ndërtuese, nuk kanë marrë akoma paratë e investimeve, që kanë kryer qysh prej vitit 2011-2013 dhe nuk kanë shpresë t’i marrin ato deri në fund të mandatit qeverisës, pasi, sipas tyre, “në zyra gjejmë burokraci dhe zyrtarë, të cilët sa i takon duken si të etur për para, dhe jo për të kryer detyrën, për të cilën paguhen nga taksat tona”. Kjo për faktin se gjithmonë që firmat dhe kompanitë ftohen të dorëzojnë dosjet dhe situacionet, (edhe për punimet e prapambetura) përpara u dalin sekserët dhe u kërkojnë 10 %. E njëjta gjë po u ndodh edhe tani, kur edhe pse kanë marrë me 1001 lutje dhe darovitje ndonjë tender, duke paguar nën dorë ish-kryetarët e komunave dhe sekserët e tyre, u duhet të japin sërish tek këta të sotmit që i quajnë me të drejtë “agallarët e rinj”. 

Kompanitë të zhytura në borxhe nga mospagimi i punës nga bashkitë

Të gjendur mes dilemave dhe dyerve të pahapura, të gjendur mes mashtrimeve dhe dhunës verbale të sekserëve, shumë firma dhe kompani të ndërtimit të zhytur në borxhe në banka dhe para të marra me fajde, janë drejt kapitullimit financiar dhe mbylljes së aktivitetit, duke flakur në rrugën e madhe dhjetëra e dhjetëra kryefamiljarë, që ushqeheshin me një rrogë, edhe pse punonin mbi 12 apo 14 orë në ditë. Shumë firma ndërtuese, që gjenden në udhëkryqe të tilla kërkojnë nga Kryeministri Rama ndihmë për të kapërcyer situata të tilla, të cilat krijohen artificialisht nga zyrtarë të paaftë, të cilët motivin e vetëm që kanë në ushtrimin e funksionit të tyre, është korrupsioni dhe asgjë tjetër. 
Sigal