‘Të Dyzetat’ e Edi Ramës!

445
Sigal

Nga Poli Hoxha

Mund të thuhej edhe, ‘Të Dyzetat e kabinetit Rama’, por qeveria as që ka ekzistuar edhe formalisht këto kohë siç na i tregoi vetë ministri i ‘fatkeqësive’ Arben Ahmetaj, i cili në mënyrën më të turpshme (por ai as u skuq, e as u zverdh) e mësoi live në emision nga Blendi Fevziu, se Edi Rama kishte shpallur gjendjen emergjencës së jashtëzakonshme.

Këtë të premte, 17 Prill, duke nisur numërimin që nga data 9 Mars kur u mbyllën shkollat dhe nisën kufizimet e para për shqiptarët, plotësohet edhe afati i karantinës (quaranta giorni) së parë me rastin e shpërthimit të virusit. Mund të ishim duke bërë, edhe ‘Të Pesëdhjetegjashtat’ nëse do të ishte `dëgjuar` nuhatja e shkollës ‘Udha e Shkronjave’ e cila u vetëmbyll që në 23 shkurt, por që atëherë me arrogancë u shpall armike dhe u dënua me vdekje nga qeveria.

Gjithsesi ja ku jemi te ‘Të Dyzetat’ dhe mund të bëjmë një bilanc, më shumë karakterial.

Sinqerisht gjatë kësaj periudhe absurde, kur fëmijëve ju thuhet se shkolla të rrezikon jetën dhe të rriturve ju kërkohet që të mos punojnë, shumëkush ka shpresuar se të gjithë po kalojmë në një proces riformatimi të mendjes e shpirtit dhe si përfundim, edhe të jetës post-virus. Veçanërisht pritet që të ndodhë kjo me atë pjesë të shoqërisë sonë, që kanë të trashëguar nga epoka e `normalitetit` pasuri dhe pushtet me bollëk.

Kur vdekja qëndron kaq gjatë në eter, kur as të merr e as nuk largohet për tu kthyer vetëm kur ti ke sekondën e fundit të orës tënde biologjike, të gjithë kanë shansin e madh për të reflektuar, penduar e vetë-përmirësuar.

I pasuri makut normalisht duhet të kuptojë përfundimisht, se ka qenë skllav i parave dhe jo e kundërta siç duhej të ishte për një kalimtar të shpejtë në këtë botë. Se politikani e pushtetari veçanërisht, duhet të kuptojë se sa i përkohshëm i vockël e i barabartë është në thelb, me të gjithë ata që sheh nga lartë-poshtë në kohë normale.

Duke ndjekur mediat ndërkombëtare, kemi parë dhe e kemi ndjerë këtë lloj reflektimi deri në përulësi te shumë pasunarë dhe pushtetarë, të atyre vendeve të globit, ku COVID-19 po sulmon egër. Mund të jetë në disa raste edhe hipokrizi, por të paktën nuk është ligësi, egërsi, nekrofili, cinizëm, sadizëm, narcizëm, egocentrizëm e megalomanizëm.

Të gjitha këto e një vargan më i gjatë simptomash diabolike të karakterit, (të cilat Dante Aligeri i ka sistemuar në rrathët e `Ferrit` të tij), ka shfaqur kryeministri i shqiptarëve në `Të Dyzetat` e para në këto kohë të kësaj pandemie.

Është e pabesueshme sjellja dhe gjuha e tij me qytetarët e thjeshtë, opozitën e median, por përtej kësaj janë të frikshme eksperimentet me `Aktet Normative` që ai po bën me demokracinë e brishtë shqiptare.

Të gjithë jemi `ambientuar` tani e 7-8 vite me shkeljet kushtetuese të tij; me shndërrimin e parlamentarizmit në Stanbagëtizëm, me Ramakracinë, me Drogkracinë e Kleptokracinë, por që do të bëheshim dëshmitarë edhe të `Koronakracisë` nuk kishte logjikë normale që ta mbante.

Duke shpresuar se profili psiko-shpirtëror i këtij individi në krye të një shteti në mes të Europës është një mutacion i veçuar, ndoqa me kuriozitet seancën e jashtëzakonshme të parlamentit këtë të enjte.

Mendoja se ata burra e gra, deputetë e ministra, në ato 39 ditë të ‘Të Dyzetave` të mbyllur në shtëpitë e tyre; gjatë daljeve të pakta jashtë apo në ballkon ishin kujtuar, se çfarë ndjesie të jep në mushkri thithja e ajrit të pastër. Se kishin dëgjuar këngën e shtuar të zogjve, të harruar prej kohësh jo vetëm në Tiranë. Netëve kishin parë qiellin e kthjellët plot me yje, të cilët bashkë me malin e Dajtit ditën, duken aq afër sa mund ti prekësh me duar. Se kishin biseduar gjatë me gratë, burrat, fëmijët, vëllezërit, motrat, miqtë e harruar e prindërit e tyre pleq. Ishin rinjohur me njëri tjetrin e ishin çmallur pas një përmallimi, si të një nizami që kthehet pas shumë vitesh ushtar i degdisur larg.

Ndoshta nga kjo flamë botërore më në fund kanë kuptuar se çfarë kishin humbur në të vërtetë duke e lëshuar veten në kacavjerrje, lëpirje, poshtërim e keqpërdorim nga një individ që i tjetërson deri në dehumanizim, vetëm për ca para e pushtet më shumë.

Dhe kjo vlen po njësoj; edhe për ata mjekë e ekspertë të shëndetit të cilët dalin ditë e natë në TV dhe trullosin një popull të kompleksuar me `heronj në vijën e parë të zjarrit`. `Heronj` të cilët kanë vijë zjarri ekranet dhe portalet, 24 në 24 orë, duke certifikuar demagogjinë dhe propagandën e Edi Ramës. `Luftëtarë të vijës së parë` që nuk guxojnë të flasin se çfarë po ndodh në `luftë` me ushtarët, viktimat, të plagosurit, armët, llogoret, por shndërrohen në memec e bëjnë të paditurin kur ju kërkohet transparencës për realitetin e sistemit tonë; gjendjen në spitale, për kushtet, mjetet mbrojtëse, testet, monitorimin e saktë etj, etj.

Specialistë që habiten edhe vetë me kurbën ditore të epidemisë së komanduar nga Sureli, e cila sillet si ‘kurvë’ e çartur vetëm në Shqipëri!

Vlen  edhe për ata ekspertë të ekonomisë, të cilët nuk guxojnë që të thonë të vërtetën për atë që i pret qindra mijë familje shqiptare, të cilave sot ju është prerë edhe ndihma nga bijtë e bijat e tyre emigrantë. Vlen edhe më shumë për ato media e gazetarë që janë vënë në shërbim të populizmit të turpshëm `të qeseve me ushqime` dhe të propagandës së një kryeministri i cili i tallet duke i thënë popullit se  milionerët me të cilët ka bërë ortakëri për 8 vite rresht, duhet të shesin një nga 3-4 jahtet apo vilat për të paguar punëtorët e mbetur pa punë, kurse nga ana tjetër fshehtas si skuth, ju bën dhuratë heqjen fare të taksës për jahtet e tyre.

Por le të kthehemi te deputetët dhe ministrat e mbledhur njëherësh në ditën e 39, të ‘Të Dyzetave’ të para të Edi Ramës.

Sapo nisi ajo seancë pashë, se gati të gjithë nuk kishin përjetuar asnjë proces reflektimi gjatë `Të Dyzetave`. Përkundrazi u shfaqën të etur për të treguar kush e kush më zëshëm e në mënyrë demonstrative, se ishin më ushtarë të bindur edhe se sa kishin qenë përpara epokës së koronavirusit. Të paduruar, për të respektuar skemat e Pavlovit me qentë e tij. Nuk tentonin që ta fshihnin se gjatë atyre ditë-netëve kishin menduar vetëm për kockën e Edi Ramës, gjatë e pas kësaj flame.

Pashë në fillim Gramoz Ruçin arrogant më shumë se kurrë më parë, i cili deklaroi pa ju dridhur qerpiku se pas kësaj pandemie Shqipëria do të dilte një nga vendet më të sigurt në botë. E thoshte këtë duke mbajtur në dorë një ligj antikushtetues, ku në çdo frazë kërciste fjala `burg` për shqiptarët e thjeshtë. Një ligj që kërcënon e shantazhon këdo që nuk është në pushtet, e i ndërlidhur me fijet e tij. Një ligj që ju bën karshillëk rekomandimeve të Këshillit të Europës e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, por ku mungonte burgu për ata që vjedhin buxhetin e shtetit në kohë epidemish, tërmetesh e fatkeqësish të tjera.

Pastaj pashë ca ministre e ish-ministre, të lëngëzuara nga kocka që ju mban në ajër Edi Rama që bënin si histerike përpara kamerave dhe podiumit ku ishte sistemuar `Pavlovi`. Për pak desh e rrahën me rripin e tij Ralf Gjonin e shkretë, vetëm se tha që një farë deputete me mbiemrin Bode ishte ‘keqpërdorur’, për këtë ligj që ndërhyn dhunshëm e në mënyrë antikushtetuese në Kodin Penal.

Dhe ja ku na u shfaq edhe vetë i zoti i ‘Të Dyzetave` që po festohen këtë të premte. Pasi kënaqi instinktet e tij me adrenalinën që duket se i jep nekrofilia foli për 18 mijë arkivole shqiptarësh të vdekur nga COVID-19, që mungonin për meritë të tij.

I egër me armiqtë që punojnë nëpër portale e ata që e kritikojnë, babaxhan me tufën e qenve të tij eksperimentalë, të cilët i mblodhi këtë të enjte në parlament për ti rikujtuar popullit, se i ka në rresht edhe në këto kohë flame `përfaqësuesit` e tij.

Nuk ja vlen as që ti vësh thonjëza fjalës, qen, kur e përdor për ata (dhe të gjithë të tjerët pa përjashtim), shpirt-shitur, të cilët nuk kanë mundësi as që të fshijnë jargët që ju rrjedhin, kur janë duke menduar për kockat që u premton Edi Rama.

Sepse i kanë duart gjithmonë lart, për të votuar mutacionet e një Virusi për të cilin kura dhe vaksina në këtë lloj demokracie e populli të lodhur deri në vetë-skllavëri nga varfëria, fatkeqësisht ka shumë pak që gjasa që të gjenden shpejt!