Taktikat e duelit Qeveri-opozitë/ “Lobimi rus” dhe strategjia për të shpërngulur vëmendjen nga droga

485
Jakup B. GJOÇA

Akuzat për lobing, strategji për të shpërngulur vëmendjen nga kokaina
Shërbimet Informative Shtetërore në Shqipëri nuk gjejnë dot porositësit dhe garantuesit e 613 kg kokaine
Po bëhen seriale mediatike akuzat e përditshme të PS-së, për lobingun e kryetarit të PD-së Lulzim Basha për të dalë fotografi me Presidentin e SHBA Donald Trump, të cilat në të vërtetë kanë për informacion vetëm një shkrim nga revista investigative amerikane “Mother Jones”, sepse vetë PS-ja deri tani nuk ka publikuar asnjë fakt, provë tjetër, ndërkohë që as prokuroria e SHBA-së ende nuk ka filluar asnjë hetim. Në antitezë me këtë, kohë më parë gjykata e SHBA dënuan Bilal Shehun, për financime dhe lobim të paligjshëm, për të favoriziar kryeministrin Rama për të dalë një fotografi me presidentin e atëhershëm të SHBA-ve, Obama. Në Shqipëri, ende prokuroria nuk ka filluar hetimet e kësaj çështjeje, si palë e interesuar. Atëherë, gjithë zhurma politike e lobingjeve nga PS-ja, derisa nuk ka prova dhe fakte hetimore, bëhet vetëm për një qëllim politik. Të anashkalohet, të shpërngulet vëmendja e publikut, dhe e drejtësisë nga kokaina e kapur në Shqipëri. Qeveria, kryeministri Rama, ministri Brendshëm Xhafa zyrtarisht kanë përgëzuar Policinë e Shtetit, që kapi 613 kg kokainë në Portin e Durrësit, duke e monopolizuar “suksesin”, ndërkohë që DEA dhe ministri i Brendshëm i Kolumbisë deklaruan se kanë bashkëpunuar për kapjen e sasisë rekord të kokainës në Shqipëri. 
Kush janë porositësit dhe garantuesit e kokainës?
Edhe pse në Durrës u kapën 613 kg kokainë, ende të akuzuar zyrtarisht janë 3 persona, shoferi i kamionit, menaxheri i kompanisë dhe pronari i kompanisë që importoi banane. Mirëpo, pakkush mund të besojë, që një pronar kompanie importi të bananeve, do të kishte mundësi financiare të blinte në Kolumbi këtë sasi kokaine, madje të kishte, njëkohësisht, mundësinë që ta deportonte në Shqipëri, dhe që paskëtaj, ta nxirrte jashtë Shqipërisë. Pra, është e natyrshme, që prapa fasadës janë porositësit dhe garantuesit e vërtetë të kokainës. Porositësit janë ata që kanë mundësi financiare të mëdha, ndërsa porositësit janë ata persona, që kanë marrë garanci nga persona në pushtet, që do të kenë fushëveprimi të lirë në Shqipëri. 
A kishin informacion SHISH? 
Nëse kokaina u kap (rastësisht) nga Policia e Shtetit, do të thotë që Shërbimi Informativ Shtetëror dhe shërbimet e tjera informative të institucioneve përkatëse nuk kishin aspak dijeni për këtë sasi kokaine, të porositur dhe të ardhur në Shqipëri. Kjo mjafton, që të paktën, t’i cilësosh këto institucione për paaftësi. Nëse pranohet që shteti ynë bashkëpunoi me faktorët ndërkombëtarë, atëherë, si ka mundësi që SHISH nuk ka informacione, se cilët janë porositësit dhe cilët janë garantuesit e kokainës të ardhur në Shqipëri nga Kolumbia?

Reagimet politike

Berisha: Pas Tahirit, Ramën e merr peng një tjetër ministër
Ish-kryeministri Sali Berisha në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, e cilësoi tymnajë të gjithë historinë mbi lobimin rus për PD-në në SHBA. Duke dashur të heqë vëmendjen nga kjo histori, Berisha nuk i kurseu akuzat për kryeministrin e vendit Edi Rama. Sipas tij, e vërteta është se Edi Rama është marrë tashmë peng nga ministri i tij i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. “Sot sapo pashë mediat, konstatova se Edi Rama ka përdorur si mburojë ndaj akuzave që bëhen për të dhe vëlla Olsin për drogën, komunikatën banale që ka lëshuar dje Fatmir Xhafa, pasi i futi thikën pas shpine në mënyrë ekzemplare me deklaratën që bëri mëngjesin e ditës së drogës së madhe kur tha, se operacioni u krye nga policia dhe partnerët ndërkombëtarë. Me këtë deklaratë ai dëshmoi se e ka tashmë peng Edi Ramën, nuk është vetëm Saimir Trafiku por tani e merr edhe Fatmir Xhafaj. Kryeministri që vendos në Facebook statusin e Xhafës dhe bërtiste në çdo rresht, rroftë Xhafa, rroftë Xhafa! A e patë lajmin tjetër se detet dhe portet e Shqipërisë janë bërë autostradë e drogës drejt Evropës? Edi Rama përpiqet të tymnojë këto zhvillime që shumë shpejt do shënjojnë fundin e karrierës së tij si Noriega i Evropës”,- tha Berisha.
Ish-presidenti Nishani: Akuzat e qeverisë janë për të qeshur e për të qarë


Edhe ish-presidenti Nishani u bë pjesë e replikave politike për çështjen e lobimit të PD-së, duke ironizuar akuzat e PS-së. “Është për të qeshur pasi akuza anti-ruse që denoncon pro-rusët vjen pikërisht nga ata që u themeluan, u pushtetuan, u shkolluan, u financuan, u modeluan dhe u trashëguan si stalinistët më ortodoksë të Evropës Lindore.”, shkruan Nishani. “Debateve të nxehta publike dhe shqetësimeve të shumta e masive të qytetarëve këto ditë iu mbivendos artificialisht një sulm anti-opozitar me sponsorizim qeveritar. Opozita shqiptare, PD dhe lideri i saj Lulzim Basha u denoncuan nga qeveria dhe kryeministri i vendit në publik dhe në prokurori si pro-ruse në Shqipëri. Si të financuar nga rusët për të luftuar politikisht qeverinë socialiste!!! Jemi në një kaos total politik dhe social në Shqipëri, ndaj çdo gjë mund të dëgjojmë. Por kjo akuzë e qeverisë socialiste është për të qarë e për të qeshur. Është për të qeshur pasi akuza anti-ruse që denoncon pro-rusët vjen pikërisht nga ata që u themeluan, u pushtetuan, u shkolluan, u financuan, u modeluan dhe u trashëguan si stalinistët më ortodoksë të Evropës Lindore.

Sot, socialistët shqiptarë! Por realiteti i halleve dhe problemeve të panumërta që shqiptareve u krijohen çdo ditë është për të qarë. Sipas akuzës së lobimit qeveritar denoncimi që opozita i bën varfërisë që thellohet çdo ditë e më shumë nuk është një e vërtetë therëse, por një shërbim që Lul Basha dhe PD po i bëjnë Rusisë. Ikja masive e shqiptarëve në azil, nuk qenka tregues i keq qeverisjes por nxitje që e bën opozita me sponsorizimin e rusëve! Kultivimi masiv dhe trafiku evropian i kanabisit, përfshirja e segmenteve më të larta të policisë në të, pleksja e Ministrit të Brendshëm me trafikantët kryesorë, nuk qenka një platformë qeveritare për narkotizimin e vendit, por shpifje e opozitës për të nxirë shkëlqimin europeist të kryeministrit shqiptar. Kthimi i Shqipërisë në magazinën dhe dispecerinë e kokainës kolumbiane për tregun evropian, sipas lobimit qeveritar, është një përrallë e Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike që mbahet gjallë në publik si matrioshka ruse. Degradimi i shkollave, spitaleve, çerdheve, zyrave të shtetit nuk është përgjegjësi qeveritare, por mallkim opozitar që t’u shërbejë rusëve. Natyrisht të gjitha këto janë të qarta për shqiptarët. Për fatin e keq të lobistëve qeveritarë ka qëlluar që Partia Demokratike e udhëhoqi Shqipërinë në procesin dhe realizoi anëtarësimin e saj në NATO. Ju ka qëlluar që pikërisht Lulzim Basha ka udhëhequr negociatat diplomatike të këtij anëtarësimi. Qeveria socialiste i di mirë këto fakte. Por me sa duket menduan se plazmimi i kësaj teze do harrojë sado pak hallet dhe problemet e shumta që ata iu kanë krijuar shqiptarëve. Këto ditë nga qeveria u shmangën përkohësisht përgjigjet që shqiptaret presin në lidhje me skandalin e 28 shkurtit. Të 615 kg kokainë destinuar Shqipërinë si magazinë dhe bazë për shpërndarje ndërkombëtare. 
Basha: “Po përgatiten të mbyllin dosjen e Saimir Tahiri dhe të fshehin Olsi Ramën nga kokaina”


Partia Demokratike mblodhi grupin parlamentar ditën e djeshme, ku u diskutua për akuzat nga ana e qeverisë për financimet ruse në PD. Burime nga mbledhja e grupit të kësaj partie se Basha i ka quajtur mjegullnajë këto akuza për të mbuluar dy fakte të rëndësishme. “Po përgatiten të mbyllin dosjen e Saimir Tahiri dhe të fshehin Olsi Ramën nga lidhjet me klanet e drogës në Kolumbi,” mësohet të ketë thënë Basha. Grupi i Partisë Demokratike ka thënë se “Olsi Rama është në rreth të kuq nga të gjitha agjencitë e mëdha ndërkombëtare për trafik kokaine”. “PD ka bërë transparencë të plotë të financimit dhe është në përputhje të plotë me ligjin. Kemi qenë ne që i kemi kërkuar prokurorisë më 27 nëntor që ta hetojë këtë çështje,” mësohet të ketë thënë Basha.
Prokuroria kërkon dëshminë e Ilir Dervishit


Pas Arben Ristanit një tjetër zyrtar i PD-së, pritet të mbërrijë në dyert e prokurorisë së Tiranës, për të dhënë shpjegime për mënyrën e financimit të kontratave lobuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për shefin e financës, Ilir Dervishi, i thirrur nga organi i akuzës në kryeqytet, në cilësinë e personit që ka dijeni.
Taulant Balla: Ka shumë dyshime edhe për mënyrën se si u financua protesta 3-mujore e opozitës kundër Reformës në Drejtësi 


PD dhe kryetari i saj janë të përfshirë në një skemë financimi të dyshimtë. Më 18 shkurt 2017, PD vendosi të bojkotojë Kuvendin, me qëllim bllokimin e miratimit të ligjeve dhe implementimit të Reformës në Drejtësi. Ka shumë dyshime edhe për mënyrën se si u financua protesta 3-mujore e opozitës kundër Reformës në Drejtësi dhe përpjekja për ta futur vendin në një spirale dhe në një krizë të thellë përmes bojkotimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Në pranverën e vitit të kaluar, në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017, PD dhe Lulzim Basha lidhën 2 kontrata me lobistin amerikan Nick Muzin në Uashington, me kompaninë “Stonington Strategies” në mënyrë që të siguronin takime të nivelit të lartë me administratën e presidentit amerikan, zotit Donald Trump. Për ta qartësuar edhe për gjithë anëtarët e grupit tonë parlamentar socialist, Muzin ka njoftuar se ka marrë 675 mijë dollarë për punën e tij ndaj PD-së, shumë më tepër se 75 mijë dollarë që janë në kontratën fillestare të PD-së. Pra PD e ka pranuar që ka bërë kontratë, por thotë se ka paguar vetëm 75 mijë dollarë. Ndërkohë, ai që ka marrë paratë thotë që ka marrë 675 mijë dollarë. Dokumentet e depozituara më 14 nëntor 2017 konfirmojnë se Partia Demokratike e Shqipërisë, dhe jo “Biniatta Trade LP”, ishte entiteti që ka bërë pagesën prej 500 mijë dollarë për lobistin Muzin. Megjithatë ishte kontrata me “Biniatta Trade LP” dhe jo kontrata me PD-në, që përfshinte një tarifë prej 500 mijë dollarësh. E për t’i bërë të gjitha gjërat dhe çështjet të zymta, pak pasi Muzin paraqiti dosjen e tij të ndryshuar, PD deklaronte më 23 nëntor 2017 se nuk kishte marrëdhënie financiare me “Biniatta Trade LP”, ashtu siç bëri edhe Lulzim Basha para 4 ditësh; dhe kishte paguar Muzinin vetëm me 25 mijë dollarë, d.m.th që 500 mijë nuk kishin ardhur nga PD-ja. Por lobisti amerikan e hedh poshtë deklaratën e PD-së, dhe kjo i vështirëson tërësisht gjërat për subjektin politik në fjalë, PD-në, sepse Muzin shprehet qartë se ai ka raportuar pagesën me saktësi dhe i ka marrë ato para nga Partia Demokratike. Zëdhënësi i Muzin thotë gjithashtu se ai besonte se “Biniatta Trade LP” ishte një kompani private në pronësi të disa njerëzve që mbështesnin Partinë Demokratike të Shqipërisë. Pra vetë lobisti amerikan beson se “Biniatta Trade LP” i përket mbështetësve të PD-së, ndërsa Lulzim Basha më 8 mars thotë se nuk e njeh fare këtë kompani , edhe pse kjo kompani paska paguar të paktën 150 mijë dollarë në interes të tij dhe të PD-së. Misteri i dytë ka të bëjë me faktin se kush e zotëron këtë kompani; dhe kjo ka shkaktuar një shqetësim të madh jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm për publikun tonë shqiptar, jo vetëm për mbështetësit e PD-së, por për këdo; po të kemi parasysh se kush e zotëron kompaninë “Biniatta Trade LP”, e cila paska bërë pagesa në interes të PD. “Pagesa e “Biniatta Trade LP” për Muzin ngre një dyshim të dukshëm. Një burim i lidhur me Rusinë siguroi para përmes një kompanie skematike për të ndihmuar Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe për të ushqyer mosmarrëveshjet e vazhdueshme politike në Shqipëri.” 
KQZ kërkon raportet e shpenzimeve të 2017-ës


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon që partitë politike të dorëzojnë raportet e tyre financiare për vitin 2017. Në zbatim të nenit 15/2, neni 23, të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për Partitë Politike”, i ndryshuar, si dhe akteve të miratuara nga KQZ, ju kujtojmë partive politike të regjistruara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, detyrimin për të depozituar raportet financiare vjetore të vitit 2017, brenda datës 31.03.2018. Sipas ligjit “Për Partitë Politike”, partitë politike, dorëzojnë raportet financiare vjetore një herë në vit pranë KQZ dhe duhet të jenë sipas rregullave për raportimin e financiar dhe duhet të përfshijnë informacion të hollësishëm për:
a) burimet e financimit të partisë politike gjatë gjithë vitit kalendarik;
b) shpenzimet e kryera nga partia politike
c) subjektet e lidhura, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, me partitë politike apo që kontrollohen prej tyre, të cilat deklarohen nga vetë partia politike;
si edhe çdo informacion tjetër që parashikon ligji “Për partitë Politike” për aktivitetin financiar të partisë politike.
Raportet duhet të depozitohen nëpërmjet personave përgjegjës për financat e partive politike, sipas formateve të standardizuara për raportimet financiare vjetore të miratuara me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në zbatim të nenit 23/4 të ligjit “Për partitë politike”, shkelja e afatit të dorëzimit të raportit financiar në kohën e duhur apo paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara, të miratuara nga KQZ, dënohet me gjobë nga 50.000-100.000 lekë.
Afati për dorëzimin e raporteve financiare nga partitë politike është data 31.03.2018.
Sigal