Takimi i parë me ambasadorët për vitin 2026, Begaj: Marrëdhëniet me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n janë themel i sigurisë sonë!

Presidenti Bajram Begaj priti ambasadorët e huaj në ceremoninë e parë diplomatike për vitin 2026, ku morën pjesë edhe deputetë të Parlamentit Evropian.

Në fjalën e tij, Begaj vlerësoi  për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i cilësoi ato si një partneritet të veçantë dhe historik, të ndërtuar mbi besim dhe vlera të përbashkëta. Ai përmendi edhe ftesën e presidentit Donald Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, duke e quajtur atë një vlerësim për rolin e Shqipërisë si partner i besueshëm.

NOA

” Marrëdhënia jonë strategjike me SHBA, anëtarësimi në BE dhe përkatësia jonë ne aleancën e Atlantikut të Veriut përbëjnë themelet e sigurisë dhe orientimit tonë ndërkombëtar. Partneriteti me SHBA-të është më shumë se një aleancë politike ushtarake. Është një marrëdhënie e veçantë, historike, e ndërtuar mbi mirënjohjen, besimin, vlerat e përbashkëta, dhe angazhimin për lirinë dhe demokracinë. Pak ditë më parë, kjo marrëdhënie u pasurua me një tjetër element domethënës, përmes ftesës së presidentit Donald Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, një nismë e rëndësishme që forcon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar. Ky angazhim pasqyron vlerësimin e SHBA-ve për Shqipërinë, si një partner i besueshëm, i qëndrueshëm dhe i përkushtuar” tha Begaj

Presidenti u ndal edhe te marrëdhënia me Bashkimi Evropian, duke thënë se anëtarësimi mbetet një zgjedhje strategjike dhe një kthim në familjen natyrore europiane. Ai theksoi se hapja e grupkapitujve të negociatave dëshmon njohjen e reformave të ndërmarra nga Shqipëria.

“Aspirata e Shqipërisë për anëtarësimin në BE është një zgjedhje strategjike dhe kthim në familjen tonë natyrore. Europa mbetet një projekt paqeje dhe vlerash që ndërtohet mbi demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektin për liritë individuale. Rruga jonë drejt anëtarësimit në BE është një proces transformues ë synon të forcojë institucionet, rrisë standardet dhe konsolidojë stabilitetin. Hapja e grupkapitujve të negociatave konfirmoi njohjen nga BE të reformave të ndërmarra, duke shënuar kalimin nga aspirata në një angazhim të strukturar dhe të bazuar në meritë” tha Begaj

Në fjalën e tij, presidenti përmendi edhe përkatësinë e Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat e sigurisë dhe orientimit ndërkombëtar të vendit.

Begaj theksoi se përkatësia euroatlantike e Shqipërisë dhe bashkëpunimi me partnerët strategjikë “nuk janë thjeshtë llogari gjeopolitike por zgjedhje identiteti dhe vlera të patjetërsueshme”.

“Kemi zgjedhur të jemi ku janë vlerat e paqes dhe të demokracisë, sundimit të ligjit dhe dinjitetit njerëzor sepse këto i japin kuptim qënies tonë si shtet” deklaroi Begaj.