Tahiri, i implikuar në trafikun e ilaçeve

573
Sigal

Opozita akuzon familjarët e kryeministrit për vjedhje të pasurisë publike, por nga ana e vet, dje babai i njërit prej drejtuesve të lartë të selisë rozë është arrestuar nga policia për kontrabandë ilaçesh. Kjo ndodh, pasi Kosta Bajraba, një përfaqësues tjetër i lartë i PS-së u kap si hajdut ordiner duke vjedhur në një supermarket të Los Anxhelosit. Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, arrestoi dje Bashkim Tahirin, babanë e deputetit socialist, Saimir Tahirit, me akuzën për kontrabandë ilaçesh. Arrestimi i tij, krijoi një pështjellim në qarqet politike, ku Kryesocialisti Rama doli menjëherë në mbrojtje të deputetit Tahiri, ndërsa nga selia blu nuk u bë asnjë deklaratë.

Policia

Policia vuri në pranga babain e deputetit socialist, Sajmir Tahiri nën dyshimin se personi bën pjesë në një bandë të kontrabandës së ilaçeve. Të dhëna nga policia bënë të ditur se, shtetasi Bashkim Tahiri, 62 vjeç fuste kontrabandë medikamente ilaçesh të ndryshme së bashku me persona të tjerë. Shtetasi Bashkim Tahiri u prangos në farmacinë që 62-vjeçari ka pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, përballë pediatrisë. Burimet policore thonë se, Tahiri bën pjesë në një grup që kontrabandonin ilaçe. Zanafilla është shtetasi Dritan Gjiza, i prangosur nga policia, vjehrra e të cilit punonte në një qendër shëndetësore në Itali. Nadire P., vjehrra e Dritanit grabiste ilaçe në qendrën shëndetësore italiane dhe i dërgonte me traget në Durrës, ku i priste dhëndri, Dritani. Ky shtetas më pas ia shiste me çmime të papërfillshme, Bashkim Tahirit, babait të deputetit socialist, Sajmir Tahiri. Bashkim Tahiraj pasi blinte ilaçet kontrabandë i shiste këto medikamente me çmimin e tregut. Mësohet prej burimeve policore se ilaçet nuk kanë dokumentacionin përkatës.

Veprat penale

Sipas njoftimit të policisë, bëhet e ditur se, Sektori Ekonomik dhe Financiar, arrestoi me sukses operacionin e koduar “Rispedal”, ku u arrestuan në kushtet e flagrancës 3 shtetas për konsumim të këtyre veprave penale që janë: “Kontrabandë e mallrave që paguhet në akcizë”, “Kontrabanda e mallrave të licencuar”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” si dhe “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, ku u bë arrestimi në kushtet e flagrancës për shtetasit e mëposhtëm: Dritan Gjiza, 27 vjeç, banues në Tiranë, Bashkim Tahiri, 62 vjeç, banues në Tiranë dhe shtetasja Nadire Taga, 63 vjeç. Pas arrestimit të Bashkim Tahirit kanë reaguar menjëherë strukturat e Partisë Socialiste, ku i pari bëri deklaratën e tij, Kryesocialisti Rama.

Kontrabanda dhe morali politik

I arrestuari, Bashkim Tahiri, është babai i deputetit të PS-së dhe Kryetarit të PS-së për Tiranën, Saimir Tahiri. Sipas deklaratës së zëdhënëses së policisë, nga hetimet e kryera u konkludua se shtetasit e lartpërmendur këtë aktivitet të kundraligjshëm e kryenin, duke bashkëpunuar me njëri- tjetrin, prej 1 viti, me synim tregtimin e mallrave kontrabandë për t’ju shmangur detyrimeve doganore e tatimore”,- deklaroi Katragjini. Duke qenë se kontrabanda e ilaçeve e  ushtruar nga Bashkim Tahiri, kjo ka të bëjë jo aq me çështjen penale, të cilën do ta shqyrtojë drejtësia, por në radhë të parë edhe me moralin politik. Djali i të akuzuarit, Bashkim Tahiri, për kontrabandë është deputeti i PS-së dhe Kryetari i PS-së për Tiranën. Saimir Tahiri, i cili vazhdimisht ka akuzuar familjen e Kryeministrit, pikërisht për korrupsion, tani ndodhet përballë një akuze të tillë, ndaj babait të tij. Sepse sipas policisë,  “është kapur në flagrancë për ushtrimin e kontrabandës së ilaçeve”. Pikërisht, ky fakt ka të bëjë me moralin politik të vetë Saimir Tahirit. Cili nga shqiptarët  mund të besojë sot, që djali i Saimir Tahiri nuk dinte asgjë, deri më sot, për kontrabandën e babait të tij, me ilaçet? Në fakt, deri tani askush nuk mund të ngrejë akuza apo të shpallë të pafajshëm, Bashkim Tahirin, por e para që duhet të flasë është prokuroria. Në këtë rast ka disa pyetje dhe disa kundërpyetje në lidhje me Saimir Tahirin dhe strukturat policore që u angazhuan për arrestimin e të atit. Kjo histori e kontrabandës së prindërve të Tahirit ka kohë që është publikuar nga deputetët e maxhorancës, jo vetëm në Parlament, por edhe në mediat tona kombëtare. Sepse kjo histori ka një kohë ët gjatë që po përflitet. Por pyetja që shtrohet në këtë rast është kjo: “A mund ta ushtronte kontrabandën e ilaçeve për një ndërkohë të gjatë Bashkim Tahiri, sikur të mos ishte djali i deputetit Saimir Tahiri”? Por kundërpyetja tjetër është kjo: A mund të bënte kontrabandë, Bashkim Tahiri, kur ai ishte nën vëzhgimin dhe survejimin e vazhdueshëm policor? Sidoqoftë në këtë rast, na kujtohet thënia e deputetit Eduard Shalsi , i cili  në  “Top Story” të Sokol Ballës ka thënë, para pak kohësh: “Dhe mbi të gjitha, një premtim që mund ta bëjmë që tani, është se ne nuk do të vjedhim në mënyrë kaq flagrante sa kanë bërë këta”. Sikur të besojmë deklaratën e Shalsit, atëherë vjedhja dhe kontrabanda rozë ka nisur qysh tani.

 Deklarata e Tahirit: Nuk do ma mbyllin gojën!

Në orën 20:20, deputeti i PS-së Saimir Tahiri, ka reaguar në lidhje me arrestimin. Pas arrestimit të babait të tij Bashkim Tahiri, nga strukturat e Policisë së Tiranës për kontrabandë ilaçesh ka shkuar në mbrëmje në Drejtorinë e Policisë. Por megjithëse ishte i shoqëruar edhe nga avokati Plarent Ndreca nuk u lejuan të takohen me të arrestuarin, i cili po mbahet brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë. Në një prononcim për mediat deputeti Tahiri theksoi se inkurajon këdo që të hetojë qoftë dhe babain e tij, teksa tha se askush nuk guxojë t’i mbyllë gojën. “Erdha të takoj babain tim, atë që besoj se do bënte çdo fëmijë për babanë apo familjen e tij. Unë vijoj dhe ritheksoj atë ç’kam ritheksuar në publik gjatë gjithë kohës. Sipas meje, askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin. Jam këtu për të thënë se, inkurajoj cilindo, që të hetojë mirë cilindo, pa asnjë përjashtim, qoftë dhe im atë. Por nuk mund të rri këtu pa e thënë, që besoja këta njerëz Sali Berisha, Flamur Noka, Agron Kulicaj, që nuk kanë hezituar për hir të fëmijëve të Saliut, për hir të eksponentëve të maxhorancës të më gjobisin përmes policisë, po këta njerëz që nuk kanë hezituar të vrasin edhe njerëz, në bulevard, kësaj radhe bënë shumë pak”,- u shpreh Tahiri.

PS politizon kontrabandën

Kryesocialisti Rama ngre dyshimet nëse arrestimi i Bashkimit është i lidhur me “përplasjet” në gjyq të djalit të tij, deputetit Saimir Tahiri me fëmijët e Kryeministrit Berisha. Ndërkohë, ai ka kërkuar që të zbardhet e gjithë historia, duke shprehur konsideratat që ai ka për deputetin Tahiri si një nga më aktivët e PS-së në denoncimin e korrupsionit në vend. “Natyrshëm lind edhe dyshimi se ky ndalim i orkestruar mediatikisht, në kohë reale, me një bujë të pazakontë, i babait të një deputeti opozitar, mund të jetë hakmarrja politike e babait Kryeministër”. Edi Rama si Kryetari i PS-së, nuk distancohet nga fakti që babai i deputetit të tij u kap në flagrancë dhe, njëkohësisht, në vend që ta dënojë si akt të kundraligjshëm kontrabandën e ilaçeve, mundohet ta politizojë, duke akuzuar si “ndalim të orkestruar mediatikisht”, dhe si “hakmarrje politike”. Ku ka fakte Edi Rama që të ngrejë të tilla dyshime? Po sikur të vërtetohet kontrabanda, atëherë Kryetari i PS-së do të mbajë të gjithë përgjegjësinë politike të kontrabandës të babait të deputetit të tij? A nuk do të ishte më mirë që Edi Rama, duke u distancuar nga kontrabanda e kapur në flagrancë, të kërkojë që Kryetari i PS-së për Tiranën, Saimir Tahiri të japë dorëheqjen nga detyra partiake? Në këtë periudhë elektorale, një dorëheqje e Kryetarit të PS-së për Tiranën, veç të tjerave, do të lehtësojë edhe vetë PS-në e socialistët në Tiranë nga  përdhosja politike e akuzave  për kontrabandë. Sepse, në të kundërt, pyetja për të cilën duhet të japë përgjigje Kryetari i PS-së është: Sot, si opozitë, merren e zhvillojnë kontrabandën e vogël, se aq mundin. Po nesër, sikur të jenë në pushtet, socialistët mund të zhvillojnë në përmasa të paimagjinueshme kontrabandën dhe korrupsionin.

Rasti i dytë pas Barjabës

Kohë më parë,  Kosta Barjaba, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryetarit të PS-së, u kap duke vjedhur në një supermarket në Los Anxhelos, si një hajdut ordiner. Dukej, në atë kohë, sikur Edi Rama u kap në befasi, apo sikur kishte gabuar në zgjedhjen e bashkëpunëtorëve? Kosta Barjaba nuk ishte pjesë e një rastësie, por ai ishte vetëm një pjesë e vogël e mozaikut të hajdutëve rozë. Ai ishte njeriu më i afërt i Anastas Angjelit dhe akoma edhe sot punon si dekan në universitetin e tij. Aktualisht, Kryetari i PS-së, e ka projektuar Anastas Angjelin në listat për kandidatë në Gjirokastër. Anastas Angjeli, si ministër i qeverisë “Nano” është përfolur për korrupsion. Atëherë, cilat interesa politike e shtyjnë Kryetarin e PS-së që ta riciklojë politikisht Anastas Angjelin? Kosta Barjaba, Anastas Angjeli janë emra që nuk mund të ngrenë dot moralin e socialistëve dhe në kësi rastesh populli thotë “Hajduti mban hajdutin”. Por ka edhe më keq, sepse hajdutëria dhe kontrabanda në gjirin e PS-së, apo familjarëve të tyre, po zyrtarizohet me afrimin e 23 Qershorit.

 Deklarata e Kryetarit të PS-së, Edi Rama

Pas njoftimit të marrë për ndalimin nga policia të zotit Bashkim Tahiri, babai i deputetit socialist Saimir Tahiri, me akuzën “kontrabandë ilaçesh”, kryesocialisti Edi Rama nënvizon: “Asnjë shtetas i Republikës së Shqipërisë nuk është mbi ligjin. Zoti Bashkim Tahiri duhet të hetohet deri në fund dhe të gjykohet deri në fund, në mënyrë të drejtë e të pavarur, për akuzën që ka ngritur policia. Fakti që bëhet fjalë për të atin e deputetit Saimir Tahiri, sigurisht nuk e bën të akuzuarin vetvetiu më të pafajshëm. Por, pa asnjë dyshim i bën akuzuesit vetvetiu më të dyshuar! Sepse dihet botërisht që nuk është goditja e parë e shtetit ndaj familjes së Saimir Tahirit apo ndaj vetë deputetit socialist, i cili është i mirënjohur nga opinioni publik për kurajën dhe këmbënguljen me të cilën ka denoncuar në vijimësi korrupsionin qeveritar, krimin e organizuar, si edhe vetë Kupolën drejtuese të Policisë. Dihen edhe gjyqet e orkestruara në dëm të Saimir Tahirit për akuzat e tij ndaj fëmijëve të kryeministrit. Prandaj natyrshëm lind edhe dyshimi se ky ndalim i orkestruar mediatikisht, në kohë reale, me një bujë të pazakontë, i babait të një deputeti opozitar, mund të jetë hakmarrja politike e babait kryeministër. Por, sidoqoftë, edhe historia ende shumë e freskët e ndalimit po kaq të bujshëm dhe po për hakmarrje politike të Kryebashkiakut të Kavajës, tregon se, e vërteta nuk vonon shumë të dalë. Deri sa të dalë e vërteta ne jemi edhe në qëndrime po ata që kërkojmë vazhdimisht me fjalë barazi para ligjit dhe ndëshkim sipas ligjit për të gjithë. Pa dallim. Edhe nëse bëhet fjalë për kolegë ose të afërm të kolegëve tanë nën akuzë. Po njësoj edhe në këtë rast konkret. Por ciladoqoftë e vërteta që qëndron pas ndalimit nga policia të babait të Saimir Tahirit, Kryesocialisti Edi Rama shpreh të gjithë solidaritetin njerëzor, por edhe bindjen e plotë për integritetin moral e politik të deputetit socialist. Saimir Tahiri është njëri prej pjesëtarëve më aktivë të skuadrës sonë kombëtare për një Rilindje Shqiptare dhe kjo ngjarje as nuk e cenon as nuk e kushtëzon konsideratën e lartë për të.

Deklarata e Policisë së Shtetit

Dje, Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorisë e Policisë së Qarkut Tiranë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Rispedal”, ku u arrestuan në kushtet e flagrancës 3 – shtetas për konsumim të veprave penale të “Kontrabandës së mallrave që paguhet në akcizë”, “Kontrabanda e mallrave të licencuar”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” si dhe “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”. Në kuadër të këtij operacioni policor, i realizuar me pjesëmarrje dhe koordinim të strukturave të Krimit Ekonomik – Financiar, Sektori i Operacioneve Speciale dhe nën drejtimin e Njësisë së Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme medikamentesh të futura përmes Pikës së Kalimit Kufitar Durrës duke ju shmangur kështu detyrimeve doganore dhe detyrimeve tatimore. Sot në orën 13:00’ u realizua arrestimi në kushtet e flagrancës për shtetasit e mëposhtëm: Dritan Gjiza, 27 vjeç, banues në Tiranë, Bashkim Tahiri, 62 vjeç, banues në Tiranë dhe shtetasja Nadire Taga, 63 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Pas një punë operative hetimore dhe procedurale u mundësua dokumentimi ligjor i përfshirjes së shtetasve të sipër cituar për një periudhë 3-mujore hetimi, ku është arritur të sigurohen provat e mjaftueshme për t’u vërtetuar faktin, që shtetasit në bashkëpunim me njëri – tjetrin kanë mundësuar transportimin e medikamenteve, ku siguroheshin përmes shtetases me iniciale N.P (vjehrra e shtetasit Dritan Gjiza), e cila i siguronte në një mënyrë të jashtëligjshme në një qendër shëndetësore në Itali. Pas hetimit, u konkludua se shtetasi, Dritan Gjiza, pasi siguronte transportimit me mjete të ndryshme, përmes Pikës së Kalimit Kufitar Durrës, duke bashkëpunuar edhe me shtetasit e sipër cituar, i tregonin më pas në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri e ndodhur në afërsi të QSUT në Tiranë. Në momentin e arrestimit të 3 – shtetasit u kapën në flagrancë duke shkëmbyer medikamentet me shumën e parave, në afërsi të rrugës “Todi Shkurti” në Tiranë, ku u gjenden dhe u sekuestruan një sasi e konsiderueshme medikamentesh për diagnoza të ndryshme kurimi si : sëmundje kancerogjene, sëmundje nervore etj, ku vlera e tyre arrin në mbi 10 mijë euro. Nga hetimet e kryera u konkludua se shtetasit e lartpërmendur këtë aktivitetet të kundraligjshëm e kryenin duke bashkëpunuar me njëri -tjetrin prej 1 viti, me synim tregtimin e mallrave kontrabandë për t’ju shmangur detyrimeve doganore e tatimore. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për hetime të mëtejshme ndërkohë që vazhdon puna hetimore për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në aktivitet të kundraligjshëm, për konsumim të veprave penale të mësipërme…..

Shezai Rrokaj: Politika të mos ngatërrohet me çështjen e arrestimit!

“Politika nuk duhet të ngatërrohet me këtë problem”. Kjo ishte deklarata e djeshme, e kreut të LSI-së, për Tiranën, Shezai Rrokaj, i cili nënvizoi, se, “çdo gjë duhet të vendoset nëpërmjet procedurave ligjore”.

Zoti Rrokaj, çfarë mendoni për arrestimin e Bashkim Tahirit?

Unë mendoj se më parë duhet pritur që të zbardhet çështja nga specialistët përkatës dhe pastaj duhet të shprehen politikanët. Kjo, sepse, në radhë të parë Prokuroria do të administrojë provat, pastaj do të presim verdiktin për veprimet e mëtejshme.

Ju çfarë mendoni për kontrabandën e ilaçeve?

Unë them që të veprojë drejtësia, se vetëm ajo mund të na sqarojë plotësisht për atë që ka ndodhur. Dhe mendimi im është që kjo çështje të mos përzihet me politikën.

A cenohet sipas jush figura e Tahirit, pas këtij arrestimi?

Unë mendoj se zoti Tahiri është deputet i Parlamentit dhe figura e tij nuk cenohet aspak, pasi ende nuk kemi dëgjuar organin e specializuar të Prokurorisë.

A dyshoni ju se në këtë çështje mund të ketë dijeni edhe Saimir Tahiri?

Jo, nuk e besoj.

A mendoni se akti i  Bashkim Tahirit është frymëzuar nga figura e djalit të tij, që është i rëndësishëm në selinë rozë?

Kjo nuk mund të ketë ndodhur, por këto gjëra do të sqarohen pasi të flasë drejtësia. Nëse i ati e ka kryer fajin për të cilin akuzohet, atëherë le të mbajë përgjegjësi. Nëse në këtë ngjarje ka gisht edhe Saimiri, atëherë, duhet të veprojë ligji. Çështja duhet të shikohet deri në fund sipas procedurave ligjore.

Fatos Klosi: Berisha e donte Kryeprokurorin për terror ndaj opozitës

 Ky është një akt i pastër politik që ka nga fillimi deri në fund një tendencë terrori për të ushtruar presion mbi opozitarët”. Kështu u shpreh dje, ish -kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, i cili nënvizoi se, “kjo ndodh sepse Saimir Tahiri është “dikush”, pra një figurë e politikës së majtë, prandaj presioni ndaj tij është zgjedhur nga Berisha, për t’i dhënë një goditje të majtëve”, tha ai duke nënvizuar se, “kjo nuk mund të funksionojë më…

Zoti Klosi, si e shikoni arrestimin e djeshëm të Bashkim Tahirit, babait të deputetit Saimir Tahiri?

E shoh se, ajo nga e cila njerëzit kanë pasur më shumë frikë tanimë ka ndodhur. Në këtë drejtim, unë dua të kujtoj këtu, se jo më kot, para pak kohësh, Berisha ushtroi një presion të madh për të marrë Kryeprokurorin. Dhe të gjitha këto janë vazhdimësi e rrugës së Berishës për t’i bërë presion opozitës, në lidhje me aktivitetin e sak politik.

Sipas jush ky është një arrestim për kontrabandë, apo ka prapavijë politike?

Sipas meje ky është një akt i pastër politikë që ka qysh nga fillimi deri në fund një tendencë terrori për të ushtruar presion mbi opozitarët. Kjo ndodh sepse Saimir Tahiri është dikush, pra një figurë e politikës së majtë, prandaj presioni n ndaj tij është zgjedhur për t’i dhënë një goditje të majtëve. Por në fakt kjo nuk mund të funksionojë, sepse lëvizjet brutale të Berishës janë të gjitha të parashikuara, që kur mori kryeprokurorin.

Sipas jush kjo strategji ndaj opozitës do të vazhdojë edhe më tej?

Po jam i bindur që historia e sulmeve politike të paprincipta të Berishës nuk mbaron me kaq. Ai do të vazhdojë përpjekjet e tij të dëshpëruara, por tanimë i ka dalë boja këtyre veprimeve. Dhe askush nuk i beson më gënjeshtrat e tij duke shpikur raste të kontrabandës së ilaçeve, apo gjëra të tjera të këtij lloji.

Atëherë, sipas jush, kush e ka radhën për nesër?

Këtë nuk e gjej dot, sepse nuk jam në mendjen e Berishës për t’i cilësuar edhe emrat e atyre që do të arrestohen nesër. Por padyshim, që ata do të jenë njerëz të pastër e të ndershëm nga koalicioni i Majtë.

 Pëllumb Pipero: Jam i bindur se Bashkim Tahiri nuk merret me kontrabandë

Në një prononcim ekskluziv, për gazetën “Telegraf”, drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë, zoti Pëllumb Pipero u shpreh se: “Unë vlerësoj shumë punën e qeverisë shqiptare, e cila me këtë rast ka treguar se ka ardhur fundi i kontrabandistëve që kanë organizuar prurjet e ilaçeve nga Italia. Nga ana jonë, ne jemi përpjekur për të ndaluar me çdo mënyrë këtë kontrabandë, por mendoj se nevojitet bashkëpunimi i dy vendeve, dy doganave dhe dy pikave kufitare”. Ndërsa i pyetur për arrestimin e djeshëm, Pipero tha se: Ai, Bashkim Tahiri, mund të ketë shitur, ose mund të ketë kërkuar ndonjë ilaç për ndonjë klient, por unë jam i bindur se ai nuk merret me kontrabandë”.