Tahiri, automatet në karburante: Siguri dhe çmim më i ulët

455
Sigal

Fjala e ministrit të
Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në konsultimin publik me operatorët e shitjes
së karburantit me pakicë, mbi marrjen e masave shtesë të sigurisë me temë
“Siguria sukses për biznesin”:

Është miratuar në parlament ligjin “Për masat
shtesë të Sigurisë Publike”, i cili parasheh analizën e riskut që bën Policia e
Shtetit dhe bashkëpunimin pastaj me të gjithë operatorët privat, në mënyrë që
bashkërisht të bëhet e mundur marrja e atyre masave të cilat do të parandalonin
ngjarjet kriminale. Kemi vlerësuar që një ndër sektorët më sensitivë ndaj
ngjarjeve kriminale gjatë pesë viteve të fundit është sektori i juaj i shitjes
me pakicë në pikat e karburanteve.

Së pari, dua t’ju garantoj që për Ministrinë e
Punëve të Brendshme ju jeni partner themelor në ndërtimin e një mjedisi më të
sigurt për qytetarët dhe për sipërmarrjen.

Ne besojmë shumë që mënyra më e mirë për të
ndërtuar qytete më të sigurta kalon vetëm nëpërmjet bashkëpunimit me ju. Kemi
një provë definitive që është mjaft elokuente për atë që mund të bëjmë
bashkërisht, provën me qytetarët.

Në Tiranë pas ndërtimit të sallës së re të
Komandimit dhe numrit 112, për të gjithë emergjencat është gjashtë-fishuar
numri i telefonatave nga qytetarët. Në qoftë se ishim në rendin e 10-11 mijë
telefonata në muaj, sot jemi në rendin e mbi 60 mijë telefonata nga qytetarët,
të cilët lajmërojnë shqetësimet edhe më të vogla me besimin ose me investimin e
besimit tek Policia për të zgjidhur çështje të cilat deri dje konsideroheshin
të parëndësishme.

Kjo nga njëra anë,
është një kontribut jo i vogël i qytetarëve për të ndarë bashkërisht
përgjegjësinë e sigurisë. Nga ana tjetër, është një provë ose një test
konstant, angazhim për Policinë e Shtetit për të zgjidhur qytetarit, për
cilindo shqetësim që ai ‘reklamon’ pranë Policisë së Shtetit.

Jo rrallë është konceptuar siguria si një
investim ekskluziv i Policisë. Madje shpesh media, në opinionin publik, në diskutimet
e shumta lidhur me sigurinë në vend ‘gishti i përgjegjësisë’ drejtohet gati në
mënyrë ekskluzive ndaj Policisë së Shtetit, pavarësisht se kontributi që duhet
të japim të gjithë mbetet ende shumë i madh. 

Po pa asnjë dyshim më
së pari institucionet publike dhe pastaj domosdoshmëria për t’u bërë bashkë me
qytetarët e me sipërmarrjen për ta bërë Shqipërinë edhe më të sigurt.

Premisë e domosdoshme për sukses në biznesin
tuaj është pa asnjë dyshim siguria. Ndaj është shumë e rëndësishme, që në
mënyrë të përbashkët ne të japim llogari para jush për masat që ka marrë
Policia për ta bërë sipërmarrjen tuaj dhe sipërmarrjen në tërësi më të sigurt,
por në këmbim të marrim angazhimin tuaj, për të bërë gjithçka është e
nevojshme, që në nivelin minimal të masave paraprake ne të bëjmë ç’është e
mundur për të parandaluar ngjarjet kriminale.

Dhe në qoftë se ka një rëndësi themelore hetimi
dhe zbulimi, vënia para përgjegjësisë e të gjithë atyre që bëjnë ngjarjet
kriminale, ka një rëndësi po kaq themelore marrja e masave për të parandaluar
këto ngjarje kriminale.

Për ne është e domosdoshme që veçanërisht në
sektorin e furnizimit ose shitjes me pakicë të karburantit të zhdukim faktorët
nxitës për të gjithë ata që duan të bëjnë një vepër penale duke grabitur apo
vjedhur paratë “cash” në duart e operatorëve shitës në çdo pikë karburanti.

Statistikat e Policisë së Shtetit në vitet e
fundit falsin qartë për një fenomen jo pak shqetësues lidhur me vjedhjen dhe
grabitjen e pikave të karburantit.

Nga viti 2011 deri në
2016 janë mbi 170 vjedhje dhe janë zbuluar jo më shumë sesa 40% e tyre. Kjo
sepse jemi përpara një lloj fenomeni kriminal, i cili ka vështirësi në hetim
dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. 

Gjeografia e këtyre
ngjarjeve është praktikisht gjithë Shqipëria pa kursyer edhe kryeqytetin.

Shpesh ky fenomen përsëritet në të njëjtat pika
të shitjes së karburantit. Për këtë arsye lind e domosdoshme një vlerësim
paraprak i atyre që konsiderohen faktor rreziku për ne, por që për autorët e
mundshëm të këtyre veprave penale janë faktor nxitës ose faktor ftues. Duke
parë eksperiencën botërore dhe konsideruar situatën e këtyre viteve, unë iu jam
adresuar me një letër, nëpërmjet të cilës kam synuar dhe synoj ndërtimin e një
bashkëbisedimi paraprak, mbi të cilin duhet të shohim mënyrën se si të marrim
masat që këta faktor nxitës apo ftues t’i bëjmë zero, në mënyrë që të
eliminojmë me aq sa është e mundur vjedhjen dhe grabitjen e pikave të
karburantit në të gjithë Shqipërinë.

Praktika e do që duhet të keni kujdes maksimal
vetë, për të shuar me sa është e mundur, çdo premisë që shërben si masë
lehtësuese për ata që duan të kryejnë një vepër penale të tillë në biznesin që
ju ushtroni. Ju marr shembull, sot në botë, gjatë orëve të natës nuk gjen
operatorë që shet me para në dorë karburant në pikën e karburantit.

Pra këtë “entitetin
njerëzor”, këtë të punësuarin i cili shkëmben paratë me klientin gjatë natës
për të shitur karburant, sot në botë nuk e gjen.

Dhe ka edhe një arsye
përveç eficiencës së biznesit. Arsyeja është eliminimi në maksimum i këtij
faktori nxitës. Që është personi që gjatë orëve të natës ka sasi të
konsiderueshme “cash” në dorë për shkak të shitjes së karburantit dhe që mund
të bëhet pre e atyre që kërkojnë para të shpejtë nëpërmjet këtij akti kriminal.
Dhe që si gjahun më të mirë gjejnë operatorin shitës në pikën e karburantit, të
pambrojtur, me para në xhep dhe fare të ekspozuar ndaj rrezikut.

Është kjo arsyeja që
sot në botë, ka lindur e domosdoshme dhe sot të paktën gjerësisht e aplikuar,
pikat e vetëshërbimit gjatë natës, të paktën në shitjen e karburantit.

Operatorë mund të ketë
i cili ndihmon dhe asiston konsumatorin, po jo që shkëmben para me
konsumatorin. Pra mjafton kjo masë, mjafton kaq për ta bërë me interes zero,
për cilindo keqbërës vjedhjen apo grabitjen e një pike karburanti. Kësisoj
praktikisht e bën të pamundur. Është njëlloj si sistemi bankar.

Sot ka automate ku mund
të tërhiqen para dhe nuk ka operatorë banke që të jep para në dorë gjatë natës.
Është njëlloj si shumë sektorë të tjerë  të cilët shërbimin gjatë natës e
klasifikojnë të automatizuara apo të elektronizuara. Kjo sepse pa asnjë dyshim
ka një interes biznesi nga pas, pra një interes të efektivitetit të
sipërmarrjes, por ka dhe një interes për investimin e përbashkët të sigurisë.

Nëqoftëse bëjmë një provë në një qytet, supozoj
Tirana, që ka parametra sigurie shumë më të lartë sesa qytetet e tjera; bëjmë
një provë që çdo pikë karburanti të mos ketë operatorë që të shesin karburant
me lekë në dorë, por që asistojnë qytetarët në vetëshërbim dhe paratë futen në
një automat elektronik, siç janë këto të bankave, atëherë është provë e
mjaftueshme për të vërtetuar që vjedhjen zbresin në nivelin zero. I kemi hequr
shoqërisë një kërcënim jo të vogël kur vjen puna të ngjarje kriminale që kanë
të bëjnë me këtë sektor. Dhe mbi të gjitha ju kemi hequr juve një mundësi që të
dëmtoheni realisht, jo vetëm nga pikëpamja financiare por dhe nga pikëpamja e
investimit në biznesin dhe sipërmarrjen tuaj.

Është kjo arsyeja që ne kemi hapur këtë dritare
komunikimi për t’u këshilluar bashkërisht në mënyrë paraprake, në lidhje me
masat që Policia mendon duhet të marrim në sektorin tuaj.

E para dhe më e domosdoshmja, është eliminimi i
parave “cash” gjatë natës në të gjitha pikat e karburantit në Shqipëri. Dhe kjo
bëhet duke përdorur teknologjinë, duke përdorur mundësinë që paratë të mos i
mbaj në xhep operatori shitës i karburantit, por të jenë të paktën gjatë natës
të jenë pjesë e komunikimit që ka qytetari, konsumatori me një automat
elektronik që garanton siguri maksimale.

E dyta masë e domosdoshme është sistemi i
kamerave. Thuajse të gjithë pa përjashtim sot keni bërë investimet tuaja
personale për të pasur një sistem kamerash në çdo pikë karburanti. Thuajse të
gjithë pa përjashtim këtë e keni bërë si pasojë e vetëdijes suaj se duhet ky
investim për të qenë më të sigurt. Thuajse të gjithë pa përjashtim e keni bërë
këtë mbi bazën e njohurive personale apo profesionale, pa një konsultim
paraprak me Policinë, sepse kjo çështje nuk ka qenë as në vëmendjen e Policisë
më parë.

Detyrimet ligjore të ligjit për sigurinë publike
imponojnë bashkëpunimin dhe në këtë sektor, pra konsultën paraprake me ju,
analizën e riskut dhe vendosjen e standardeve minimale edhe për vendosjen e
kamerave në pikat e shitjes së karburantit në Shqipëri.

Unë do të doja që ky
standard të ishte deri në nivelin e njohjes automatike të targës dhe
memorizimin automatik të personit dhe targës në komunikim të vazhdueshëm online
non stop me policinë. Në mënyrë që policia të dijë që në atë moment, nëse një
targë që paraqitet në atë sekondë në një pikë karburanti është e falsifikuar
apo jo dhe kjo sot nga pikëpamja teknologjike është fare e lehtë. Kjo mund të
na marrë kohë, kjo pa asnjë dyshim do të na marrë energji dhe jo pak burime
financiare, por duhet të hedhim hapin e parë me garantimin e një sistemi që
mundëson një nivel minimal të kritereve teknologjike, të sistemit të kamerave.

Sot ndër ju ka praktika shumë të suksesshme
lidhur me aplikimin e sistemit të kamerave, shumë prej jush janë avangardë në
kriteret teknike të sistemeve që keni përdorur dhe ky është një rast për t’ju
falënderuar, por kjo është vetëm shenja më e mirë e potencialit që kemi për të
bërë më shumë bashkë dhe e mundësisë që kemi për të garantuar kushte më të
mira. Unë kuptoj që shumë prej jush mund të mendojnë që e gjithë kjo ka një
kosto financiare, pra ky investim i juaj për automatin elektronik për sistemin
e kamerave ka një kosto financiare.

Ne jemi shumë të gatshëm të mos hedhim asnjë hap
përpara pa bërë një konsultë  me ju edhe mbi këtë çështje, sepse ne
besojmë që kjo duhet të jetë një sipërmarrje e përbashkët e juaja me ne, me
Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit.

Por unë jam shumë i
bindur që investimi për të blerë në pesë pika shitje sot karburantin në një
pikë të caktuar, ku një prej këtyre të jetë elektronike për natën, unë besoj se
ky është investim relativisht i vogël krahasuar me rrezikuan apo ekspozimin e
rrezikut që kemi përballë ngjarjes kriminale dhe akoma më keq një investim fare
i vogël përballë dëmit që mund të shkaktoj një ngjarje kriminale nga pikëpamja
financiare, pikëpamja e imazhit dhe nga pikëpamja e biznesit. Ndaj është shumë
e nevojshme që në balancën ndërmjet investimit të përbashkët për të garantuar
më shumë siguri dhe investimit zero dhe ekspozimin maksimal ndaj rrezikut, unë
them që ka ardhur koha  të investojmë pak sot për të bërë të ardhmen më të
sigurt.

Cilido investim
pavarësisht se unë besoj që nuk bëhet fjalë për fatura të pa përballueshme i
shtrirë në kohë mund të ndihmoj që nesër e tutje ju të jeni me rrezikun zero
përballë çdo ngjarje kriminale dhe kjo më duket investimi më i mirë që mund të
bëjmë për sipërmarrjen dhe qytetarët në çdo qytet që ju ushtroni aktivitetin
tuaj.

Ne jemi shumë të hapur
për të ndërtuar një bashkëbisedim transparent me ju pasi iu konsiderojmë
partnerët tanë kryesor në zhdukjen e kriminalitetit në këtë sektor. Ashtu siç
jemi shumë të hapur për të planizuar ose për të përcaktuar ndërmarrjen e disa
hapave konkret të cilat do të garantonin më shumë siguri për ju, qytetarët edhe
për komunitetin në tërësi. Sot jemi në nivelin e një këshillimi reciprok,
lidhur më këtë çështje.

Me hyrjen në fuqi të ligjit “Për masat shtesë të
sigurisë publike’’ Policia e Shtetit do të ndërmarrë një vlerësim të riskut në
çdo sektor dhe pas saj të diktojë me detyrim marrjen e masave shtesë të
sigurisë. Sot nuk jemi aty. Sot jemi te bashkëbisedimi paraprak, këshillimi
reciprok për t’u bindur bashkërisht mbi domosdoshmërinë që keni për të marrë të
tilla masa dhe për ta bërë sipërmarrjen tuaj më të sigurt.

Unë jam shumë i bindur
që do keni shumë më shumë për të thënë. Ne do kemi shumë për të mbajtur shënim,
por unë besoj që sot do të jetë një hap deçiziv për të garantuar sigurinë
nesër.

Nëse automatet
elektronike të marrëdhënies financiare ndërmjet konsumatorit dhe shitësit të
karburantit do ishin vendosur 5 vite më parë, sot vjedhjet e karburanteve do
ishin zero. Vjedhjet me dhunë të karburanteve do të ishin zero. Jeni bërë
dëshmitarë të gjithë të ngjarjeve më të fundit në Tiranë, ku vjedhjet e
karburanteve nga një person i arrestuar tashmë nga policia ishin seri e
zakonshme, thuajse e përnatshme, gjë që tregon riskun që kemi, por tregon edhe
domosdoshmërinë që kemi për marrjen e këtyre masave.

Nëse vendosim në zbatim
këtë plan minimal të parandalimit të këtyre ngjarjeve, ngjarjet e vjedhjeve dhe
grabitjeve në sektorin tuaj do të jenë zero dhe ky është përfitimi më i madh
për ju dhe për shoqërinë në tërësi. Unë ju falënderoj dhe jam këtu së bashku me
Drejtorin e Policisë së Shtetit, bashkë me zyrtarët më të lartë të policisë për
të dëgjuar dhe mbajtur shënim sugjerimet tuaja.