Studentët kyçin dhe gozhdojnë në shenjë proteste dyert e fakulteteve. “Do futemi në grevën e urisë”

712
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Viti 2019 fillon me protestat e studentëve, sikurse u mbyll edhe 2018-ta. Nuk pranojnë masat gjysmake të qeverisë

Viti 2019 filloi me protestën e studentëve, sikurse u mbyll edhe 2018-ta. Studentët nuk pajtohen me masat gjysmake të qeverisë, e cila bëri lëshime, duke përgjysmuar tarifat për studentët, por me kushte, për studentët me nota të larta dhe jo për të gjithë, pavarësisht nga notat. Qeveria nuk i plotësoi të 8 kërkesat e studentëve, duke premtuar …dialog për to. Mirëpo studentët, dje theksuan edhe njëherë, se nuk mund të nisë dialogu i tyre me qeverinë, pa plotësuar 8 kërkesat e tyre, të cilat janë minimale dhe bazike.

 

Banderola gjigante te Politekniku: Sot vendosim ne, fund Katovicës

Në  mëngjes herët, te Universiteti Politeknik të Tiranës u shpalos një banderolë e madhe, duke mbuluar fasadën qendrore të godinës. Shkrimet në të, “anti-establishment dhe anti-politikë”, janë të shkruara me të zezë, kuq e blu. “Sot vendosim ne.” dhe “Rroftë rinia e lirë!” – shkruhet me të madhe në pankartë. Me të kuqe janë shënuar emrat e politikanëve kryesorë të vendit dhe rektorëve e dekanëve të Universiteteve.

Studentët kyçin dhe gozhdojnë në shenjë proteste dyert e fakulteteve

Studentët protestën e djeshme e nisën duke  kyçur dhe gozhdojnë në shenjë proteste dyert e fakulteteve. Në fakt, gozhdimi i dyerve të fakulteteve ishte simbolike, sepse asnjë nga studentët nuk pranoi që të futej në auditorë.

“S’ka më pritje”, studentët marshojnë drejt kryeministrisë, e cila është e rrethuar me policë

Pasi u kanë vënë drynin portave të fakulteteve dhe pasi kanë gozhduar dyert e rektoratit, studentët kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë. “S’ka më heshtje, s’ka më pritje, por ka vetëm brohoritje. Do vazhdojmë të kundërshtojmë”, thërrasin studentët në kor. Ndërkohë që ka nisur protesta e studentëve, policë të shumtë nga ana tjetër kanë rrethuar kryeministrinë, por jo vetëm. Protestës së djeshme të studentëve iu bashkuan edhe studentë nga universitetet në Kosovë dhe në Maqedoni.

Katran + Rama= 50 % KatRAMA

Studentët kanë ideuar paketa, mbi të cilat shkruhet: “Dialogu me KM dëmton rëndë veten & njerëzit rreth teje”. Në paketë ka disa detaje që e bëjnë këtë formë proteste akoma më të veçantë. Studentët kanë shpjeguar simbolikën e përdorur, ku thonë: “Piktura e kompozuar në të djathë të paketës është pikturë e Ramës. Pjesa anësore në të majtë të paktës është kompozuar barkodi PAL + 8 numrat = 8 Kërkesat tona. Ndërsa tek përmbajtja në pjesën anësore të djathtë janë: NIKOLLA + Nikotinë=Nikolltinë 5.8%; Katran + Rama=  KatRAMA50 %; Ministri + Oksid Karboni = Minioksid Karboni 9%. Për 9 ministrat e hequr Nivele toksike = 35.2%”

Studentët nga Elbasani dhe Korça nisen drejt Tiranës

Studentët protestues të  universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit i janë drejtuar Tiranës me autobusë për t’iu bashkuar shokëve të tyre përpara Kryeministrisë. Ata kanë përshtatur vargjet e një kënge shumë popullore për t’i dërguar një mesazh  të pastër Kryeministrit, largimin e tij nga posti. ‘Koka në Stamboll, Trupi në Janinë, Të shtrinë Edi Rama, more, O Edi Rama, të shtrinë!’ – thonë vargjet e tyre. Studentët e Korçës nuk mundën të mbërrinin në Tiranë, për shkak të dëborës në rrugë.

Studentët janë kërcënuar me telefonata anonime

Ana, studentja e Arkitekturës e njohur për mesazhet e shkëmbyera me kryeministrin Rama për protestën, u shpreh se veprimi i studentëve për të gozhduar dyert e fakulteteve  vjen si shenjë revolte ndaj kërcënimeve që kanë marrë me numra anonimë apo dhe hakërrime në rrjetet sociale. Ana: Shumë studentë janë kërcënuar me telefonata anonime dhe janë bllokuar që të futen në rrjetet e tyre sociale.

Reagimi  i kryeministrit Rama: Pengmarrje e një proteste

Kryeministri reagon përmes një postimi në Twitter: “Mbyllja me dhunë e dyerve të disa fakulteteve është fytyra kuptimplotë e pengmarrësve të një proteste shembullore, e cila tanimë ka hyrë në fazën e realizimit të kërkesave bazë dhe zhvillimit të një Dialogu të brendshëm për objektivat specifikë të çdo fushe studimesh #MeStudentët”