Strategjia e Ramës për të vjedhur votat/ Drejtorë dhe njerëz në kërkim në komisionet zgjedhore

299
Sigal

Nga një hulumtim i gazetës MAPO rezulton se në 90 KZAZ në të gjithë vendin anëtarët e emëruar nga PS në pjesën dërrmuese të tyre, 203 persona janë të angazhuar në administratë, prej të cilëve 117 janë drejtorë. Bien në sy emra që janë vënë nën akuzë ose janë shkarkuar për abuzim me detyrën, si rasti i Klodjan Gradecit, drejtori i AKBN, por dhe të tjerë. Gardianë të pushtetit janë dhe biznesmenë që rezultojnë se fitojnë të gjithë tenderat në qytetet e tyre, apo që operojnë në Tiranë por figurojnë si kryetarë të degëve të PS-së në jug. 

Nga kërkimi ynë rezultoi se për 90 KZAZ në të gjithë vendin, në qershorin e vitit 2017, janë angazhuar 203 persona të administratës shtetërore në nivel qendror dhe lokal. Të paktën ky del nga rezultatet e kërkimit online, po nuk përjashtohet mundësia që për shumë të tjerë të mos ketë të dhëna.

Nga këta 113 rezultonin drejtorë të të gjitha niveleve. Hipoteka, kadastra, shërbimi i patentave, shërbimi i provës, drejtoritë arsimore, ata të shëndetësisë, OSHEE, AKBN, shërbimi social, drejtorë të Bashkive në të gjitha nivelet e kështu me radhë. Duket sikur kemi të bëjmë me një garë se kush e kush të japë kontributin për partinë në zgjedhje, dhe jo si zyrtarë të shtetit që janë emëruar në ato poste për t’i shërbyer publikut. Por le të japim disa fakte

Akuzat

Në vitin 2018, ish-drejtori i Hipotekave në Shkodër Zamir Leka, do të shkarkohej dhe do vihej në arrest nga ana e prokurorisë për abuzim me detyrën. Nuk kishte vetëm një javë që ishte emëruar në këtë detyrë. Egla Mirashi, drejtoreshës së Patentave Shkodër në vitin 2020, do i vihej eksploziv në makinë. Të dy këta drejtorë të lartë figurojnë anëtarë të KZAZ numër 2 në Shkodër.

Valbona Tula, drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijës Shkodër (sot drejtoreshë e shërbimit social) e akuzuar në media për punësime partiake, e shkarkuar nga kjo detyrë po nga një ministër socialist, figuron si nënkryetare e KZAZ 4 po në këtë qytet. Gjithsej për qarkun Shkodër figurojnë 8 drejtorë të lartë të të gjitha niveleve. Por nuk mbaron me kaq. Kohët e fundit në AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) plasi një skandal. Drejtori Klodjan Gradeci, rezultonte i implikuar në një aferë rreth 1.3 milion euro. Ky person rezulton si kryetar i KZAZ numër 9 në zgjedhjet e vitit 2017. Sot ai është në kërkim nga drejtësia, dhe mendohet se është arratisur drejt Turqisë.

Denoncimi u krye fillimisht nga Albpetrol, por u mbështet dhe nga një kompani amerikane e cila iu drejtua FBI-së. Po ashtu në Durrës, në KZAZ numër 25 të Shijakut, kryetari i saj Dorjan Gollaj, zyrtar i ZRPP Durrës, dhe Sekretar i PS Durrës do arrestohej nën akuzën e tjetërsimit të një sipërfaqeje prej 68 mijë metra katrorë në Kepin e Rodonit në tetor të vitit 2019. Bashkë me të në hetim do futej dhe Edlira Nova, drejtoresha e Hipotekës, që rezulton kryetare e KZAZ dy vjet më pas në zgjedhjet e vitit 2019. Më tej Dorjan Gollaj, do emërohej dy muaj pas skandalit si bashkëkryetar i Degës së PS Shijak me vendim të Edi Ramës.

Në po këtë KZAZ pra në Shijak, në zgjedhjet e atij viti është emëruar dhe Shpresa Domi e dënuar më parë për kontrabandë dhe falsifikim dokumentash, por sot rezulton e emëruar nga Elton Arbana (dhe ky pjesë e dosjes 339 të manipulimit të votave), Kryetari i Bashkisë Shijak si nënkryetare Bashkie. Në Vlorë, një person i akuzuar nga Erjon Braçe në vitin 2016, si i dënuar për trafik droge rezulton si zëvendëskryetar KZAZ Himarë. Bëhet fjalë për Ilia Gjicalin, i dënuar në vitin 2007 për moskallëzim krimi në lidhje me një ngarkesë droge.

Këtë fakt e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri Erjon Braçe, pasi Kokëdhima kërkonte ta fuste në garën për kreun e PS së Himarës. Por kjo nuk e pengoi që Gjiçali të ishte përfaqësues i PS në KZAZ e Himarës. Gjithashtu në Vlorë, në KZAZ figuron si anëtare dhe Olta Ganaj, drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijës së këtij qyteti e denoncuar për abuzim me detyrën nga emisioni “Stop”. E shkarkuar së bashku me pesë punonjëse që keqtrajtonin fëmijët, por sot është drejtoreshë e Spitalit Psikiatrik të Vlorës.

Biznesmenë

Në listën e KZAZ-ve nuk mungojnë as biznesmenë. Kështu për shembull në Vlorë, në KZAZ 83 kryetare është L.G, aksionere në firmën e bashkëshortit që merr thuajse të gjithë tenderat për veshmbathje dhe ushqime në qytetin bregdetar. Open Data Albania konkludon se vetëm gjatë periudhës 2015-2018 kompania e saj ka përfituar rreth 1 milion dollarë tendera. Shumë prej tyre dhe nga Shtëpia e Fëmijës. Rast tipik i përfshirjes është dhe ai i kryetarit të PS-së Dropull, Kosta Garo, nënkryetar në KZAZ-në e Jergucatit. Sipas Open Data Albania, Garo është president i një firme me seli në Tiranë, që merret kryesisht me mallra importi. Firma e Garos, është hapur në zgjedhjet e vitit 2017. Ky person mbahet mend për një incident që shkaktoi me deputetin Vangjel Tavo ditën e votimit.

Shpërndarja

Por këta janë vetëm një pjesë e armatës që përdoren në zgjedhje. Këtu nuk kemi folur për komisionet e qendrave të votimit, të cilat në të gjithë vendin janë rreth 5600 të tilla. Dhe ato gëlojnë me drejtorë, inspektorë tatimesh, drejtorë shkollash etj., të cilët detyrë primare kanë identifikimin e zgjedhësve.

Nuk folëm për këshilltarët e ministrive apo kuvendit të angazhuar nëpër KZAZ. Nuk folëm qark më qark e bashki më bashki, duke respektuar në një farë mënyrë dhe të drejtën e tyre për të patur bindjen politike. Por gjatë hulumtimit tonë, ndeshëm në jo pak raste dhe me drejtorë apo inspektorë të hetimit tatimor që jo në pak raste përdoret dhe formë presioni ndaj atyre votuesve që kanë ndonjë aktivitet dhe ushqejnë familjen.

Këta më tej mbështeten nga “çunat problematikë”, apo shefat e tyre që drejtojnë nga qendra. Nga armata tjetër e shefave që lajmërojnë vartësit me telefona për të dalë në votime, nga sekserët që shkojnë me paratë derë më derë për të blerë karta e vota. Një skemë e mirorganizuar, që duke mbledhur pazëllat në të gjithë vendin çon në manipulim masiv të votave, siç edhe ndodhi në zgjedhjet e kaluara. Ndoshta Kryeministri këtë ka ndërmend kur kërkon 800 mijë vota më 25 prill. Rrugë tjetër për t’i gjetur ato nuk ka./MAPO

Shpërndarja sipas qarqeve e administratës nëpër KZAZ dhe drejtorët e lartë

auto votat11602933739