SPAK ngrin pasurinë e famljes Xhaçka

VOA: SPAK vendos nën sekuestro një pjesë e truallit ! Artan Gaçi nën hetim për falsifikim , bashkëshortja Olta Xhaçka vijon të gëzojë e qetë mandatin e deputetes falë mbështetjes së “Partisë” dhe Kuvendit, edhe pse firmosi VKM-në me “grabitjen” e mbi 5 mijë m2 tokë bregdetare

SPAK ngrin pasurinë truall të bashkëshortit të ish-Ministres, Artan Gaçi nën hetim për falsifikim

Sigal

Të mërkurën SPAK ka vendosur që të ngrijë pasurinë truall prej 5512 metër katror. Hetimet e nisura nga SPAK pas kallëzimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, kanë sjellë zhvillime të reja. Trualli në pronësi të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka është vendosur nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme. Sipas Klan Neës, Artan Gaçi po hetohet për falsifikim të aktit të marrjes së tokës në pronësi. Sipërfaqja në fjalë, mësohet se është pjesë e tokës që Gaçi ka fituar statusin e investitorit strategjik pak kohë më parë. Kallëzimi për këtë çështje u depozitua në SPAK më 21 gusht 2023 ku Fredi Beleri tha se një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, është përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli. Kjo tokë, sipas kallëzimit, më pas është blerë dhe përdorur nga bashkëshorti i Xhaçkës për të përfituar statusin special. Më herët ish deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, tashmë investitor strategjik në jug të Shqipërisë, u paraqit për disa orë në SPAK më 6 tetor. Po për këtë çështje në SPAK u thirr edhe kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës Jorgo Goro. Opozita në Shqipëri ka hedhur herë pas here akuza të forta për këtë ngjarje dhe ka insistuar në heqjen e mandatit të Xhaçkës.

Investimi i bashkëshortit të Xhaçkës, nën sekuestro një pjesë e truallit

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme ka vënë nën sekuestro preventive një pjesë të truallit mbi të cilin ish deputeti socialist Artan Gaçi, bashkëshort i ish ministres së Jashtme Olta Xhaçka, po ndërton një kompleks turistik. Kjo masë vjen pas një kallëzimi penal të bërë nga kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës Fredi Beleri, sipas të cilit dokumentat e pronësisë së kësaj sipërfaqe janë falsifikuar nga trashëgimtarët e një banori të Himarës, në bashkëpunim me kryebashkiakun socialist Jorgo Goro, me qëllim që ajo të përfitohej më pas nga zoti Gaçi. I ndodhur në arrest me burg nën akuzën e shitblerjes së votës, në zgjedhjet vendore të 14 majit, kryetari i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, depozitoi në muajin gusht një kallëzim penal ndaj rivalit të tij socialist, Jorgo Goro, trashëgimtarëve të një banori të Himarës si dhe ndaj ish deputetit socialist Artan Gaçi, bashkëshort i ish ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, anëtare e parlamentit, emri i së cilës është po ashtu mes të kallëzuarve. Zoti Beleri denonconte faktin se bëhet fjalë për një sipërfaqe mbi 5 mijë metra katrorë tokë, të cilat i janë njohur trashëgimtarëve të familjes Mëhilli si pronë, përmes dokumentave të falsifikuar dhe akteve, sipas tij në shkelje të ligjit, nga ana e kryebashkiakut Jorgo Goro dhe zyrës së regjistrimit të pasurive. Ai pretendon se e gjithë kjo praktikë ka patur si synim që kjo sipërfaqe t’i kalojë ish deputetit socialist Gaçi, i cili e ka blerë më pas atë, duke e përfshirë si pjesë të terrenit ku ai ka nisur të ndërtojë një kompleks turistik në bregdet. Çështja u trajtua më shpejtësi nga Prokuroria e Posaçme, e cila ka marrë në pyetje për rastin, pak javë më parë, si zotin Goro ashtu dhe zotin Gaçi, të cilët shmangën komentet për gazetarët. Sot u mësua se ndërkohë, mbi këtë sipërfaqe trualli, është vënë sekuestro preventive. Madje sipas zonjës Xhaçka e cila reagoi në rrjetet sociale, ndaj disa komenteve të ish kryeministrit Berisha, kjo masë është marrë po ashtu disa javë më parë “për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994”, shkruajti ajo duke shtuar se nuk ka dyshime mbi qëllimin e Prokurorisë së Posaçme e se nuk ka pse ta komentojë. Ndërtimi i një hoteli me 5 yje, nga zoti Gaçi, u bë objekt polemikash pasi kompania e tij mori statusin e investitorit strategjik, duke u tërhequr disa muaj më vonë, pasi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me një kompani të paraqitur si amerikane dhe me përvojë, por që në të vërtetë, ishte themeluar nga e fejuara amerikane e vëllait të zonjës Xhaçka, dhe pa ndonjë eksperiencë në fushën e turizmit. Ky rast, u bë shkak edhe për vënien në diskutim të mandatit si deputete të zonjës Xhaçka. Ishte opozita ajo që pretendoi se bëhej fjalë për konflikt interesi, duke qenë se kompania e zotit Gaçi përmes statusit të investitorit strategjik, përfitonte shfrytëzimin e bregdetit. Ndonëse shumica nuk pranoi dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit e konsideroi të gabuar vendimin, dhe i ka kërkuar parlamentit që t’ja përcjellë asaj rastin, si i vetmi autoritet që mund të vlerësojë pavlefshmërine ose jo të mandatit të një deputeti. Por ndonëse Gjykata është shprehur që në muajin janar, parlamenti nga ana e tij po e zvarrit procedurën dhe çështja është ende pezull. / Zëri i Amerikës

Reagon Olta Xhaçka: Bashkëshorti im nuk ka marrë tokë nga shteti

Ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme dikur edhe ministre e mbrojtjes Olta Xhaçka, ka reaguar pas lajmit se Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar mbi 5 mijë metra katrorë truall në pronësi të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi. Reagimi i plotë i ish-ministres Olta Xhaçka erdhi pas reagimit të Berishës. Olta Xhaçka tha: “Një kusar me damkë dhe shpifës me nam si Sali Berisha nuk mund t’i bëjë askujt moral. Bashkëshorti im nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e një pjese të kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një pronë private qysh nga viti 1994 është pjesë e një procesi që unë as e dyshoj në qëllim, as e komentoj në meritë. SPAK-u të bëjë punën e vet i papenguar nga askush, ndërsa Sali Berisha le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund!”