Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetsim zyrtarizon pyetsorin me shqiptarët: Besim i ulët i qytetarve ndaj institucioneve shtettrore dhe politike. 85% shprehen se qeveria është e korruptuar dhe 71% mendojnë se mungon ndëshkueshmëria. 69 % nuk besojnë tek reforma dhe 1 në 2 shqiptar kërkojnë të larggohen nga vendi. Ja pyetsori i plot
Sondazhi i Institutit Amerikan: Një në dy shqiptarë duan të ikin nga vendi për shkak të varfërisë
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim kryqëzon Rilindjen: 85 % e shqiptarëve besojnë se qeveria është e korruptuar
Jakup B. GJOÇA
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim publikoi dje në Tiranë Sondazhin e Opinionit Publik mbi Besimin në Qeverisje. Sondazhi zbuloi një besim të ulët të qytetarëve ndaj gjithë institucioneve shtetërore e politike në vend, si dhe tek reforma në drejtësi. Në raport thuhet se një në dy shqiptarë duan të ikin nga vendi dhe perceptimi i tyre për korrupsionin shtetëror mbtet i lartë. Sondazhi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim u shtri në 61 bashki të vendit mblodhi vlerësime të ulëta nga qytetatër për nivelin e besimit tek qeveria, parlamenti, partitë politike dhe tek drejtësia. Ky sondazh, publikohet një ditë më pas nga sondazhet e portaleve, të cilat treguan se 63 % e shqiptarëve do të votonin Opozitën e Bashkuar dhe vetëm 37 % Partinë Socialiste.
85 % e shqiptarëve: Qeveri e korruptuar
“Shumica e qytetarëve e konsiderojnë qeverinë qendrore dhe vendore si jotransparente apo të përgjegjshme. Gjatë tre viteve të fundit ata perceptojnë një rënie të transparencës dhe llogari-dhënies nga qeveria qendrore dhe ajo vendore” – thuhet në raport. Mbi 85 për qind e të anketuarve pohojnë se korrupsioni i nivelit të lartë dhe atij të ulët është një dukuri e përhapur gjerësisht në shoqërinë shqiptare. Sipas tyre, institucionet më të korruptuara janë drejtësia, spitalet, dhe qeveria, e më pas janë parlamenti, policia dhe bashkitë. Ditët e fundit janë bërë kallëzime penale në SPAK ndaj tenderave sekretë që kanë bërë ministritë, por edhe bashkitë, në kohë pandemie. Madje, skandali i korrupsionit është edhe më i thellë, po të kihet parasysh, që ditët e fundit, kanë rënë edhe zjarr në zyra të ministrive, ku mbahen dokumentacioni i tenderave dhe i koncesioneve. Qeveria shqiptare është e vetmja në botë që ka dhënë koncesione në ndërtimine rrugëve, me kosto të atilla shumë të larta, që nuk ka asnjë referencë në asnjë vend tjetër të botës, si përshembull, 1 kilometër rrugë në fushë, Kashar- Balldren me 17 milionë euro kilometri, apo 1 kilometër tek Unaza e Re me kosto astronomike 23 milionë euro kilometri. Shumë kompani që kanë marrë koncesion pasuritë e Shqipërisë, sikurse në nxjerrjen e naftës, kanë mbi 20 vite që punojnë dhe nuk paguajnë asnjë qindarkë taksë, me pretendimin më absurd, se shpenzimet e tyre janë më të mëdha sesa fitimet. Vetëm në Shqipëri ndodh që kompanitë të punojnë 20 vite me bilanc ekonomik negativ, siç pretendojnë, ndërsa zyrtarët e qeverisë u besojnë këtyre pretendimeve.
71 % e shqiptarëve: Korrupsioni nuk ndëshkohet
“6 nga 10 shqiptarë nuk besojnë në ndëshkimin e korrupsionit të vogël, ndërsa 7 në 10 shqiptarë nuk besojnë në ndëshkimin e korrupsionit të madh” – thekson raporti.
Prokuroria e përgjithshme dhe gjykatat shihen si institucionet më pak të pavarura për të tretin vit rresht. Shumica e të anketuarve nuk kanë besim në ndëshkimin e korrupsionit të niveleve të ulëta dhe atyre të larta.
Në këto 7 vitet e fundit, edhe pse tashmë funksionon SPAK-u, asnjë zyrtar i lartë nuk është çuar në gjykatë për korrupsion, megjithë që të gjitha raportet vjetore të institucioneve ndërkombëtare, sikurse DASH, FMN, BE, shkruajnë se Shqipëria është një ndër vendet më të korruptuara në botë. Në SPAK janë depozituar shumë kallëzime penale ndaj koncesioneve konkrete, por deri tani prokurorët e Gjykatës Speciale të Antikorrupsion flenë mbi dosjet e korrupsionit, ngaqë nuk guxojnë t’i çojnë në gjykatë.
60 % e shqiptarëve: Axhenda e gjykatave dhe e prokurorisë ndikohet nga interesat politike
“Mbi 60 për qind e shqiptarëve besojnë se axhenda e gjykatave ndikohet shumë nga interesat politike, ndërsa prokurorinë e vlerësojnë si shumë të ndikuar nga interesat politike” – thuhet në përfundimet e sondazhit. Shqipëria ështe i vetmi vend në Botë, që për 3 vite nuk ka as Gjykatë Kushtetuese, nuk funksionon ende Gjykata e Lartë. Në të gjitha institucionet e reja të drejtësisë që u ndërtuan në bazë të reformës zgjedhore, u emëruan drejtuesë, ata të cilët e hartuan reformën në drejtësi, njerëzit që janë besnikë të qeverisë. Ventingu në Gjyqësor u bë nga njerëz anonim, pa aftësi profesionale, pa përvojë, dhe shumë herë vendimmarrjet e Vetingut kanë qenë tejet kontradiktore, sepse, siç kanë denoncuar vetë protagonistët, vendimmarja e vetingut ka qenë e paracaktuar, është ndikuar nga politikëbërja. Shumë herë vetingu ka lënë në Gjyqësor gjyqtarë dhe prokurorë që nuk kanë mundur të justifikojnë dot qindra milionë lekë, që kanë bërë biznese me rrogë shteti me fitime miliona euro në vit, që kanë në pronësi mijëra metra katrorë shtëpi dhe dhjetëra hektarë tokë, ndërkohë që janë përjashtuar nga Gjtqësori prokurorë që kanë hetuar dosjet e nxehta të politikanëve.
60 % e shqiptarëve: Qeveria dhe parlamenti nuk dëgjon grupet e interesit për ligjet që miratojnë
Pjesëmarrja e shqiptarëve në demonstrata, tubime dhe peticione mbetet relativisht e ulët. Një pjesë e madhe kanë humbur shpresat se mund të ndikojnë në jetën e vendit, duke ëndërruar një jetë më të mirë në emigrim. “Të paktën 6 nga 10 të anketuarve pohojnë se dëgjesat publike janë takime formale, ku sugjerimet nga grupet e interesit për projektligjet nuk merren parasysh” – thekson raporti. Në qindra ligje që hartohen nga qeveria, në shumicën e tyre, grupet e interesit, shoqëria civile është përjashtuar nga debati publik, sepse ligjet bëhen për interesa të caktuara dhe për persona të zgjedhur, ndërkohë që parlamenti voton pa asnjë debat, çdo ligj që paraqet qeveria. Edhe në rastet, kur qeveria dhe parlamenti hartojnë dhe votojnë ligje në kundërshtim me Kushtetutën, me interesat publike, kombëtare, sikurse është përshembull, ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe Presidenti i Republikës nuk i ka dekretuar, sërish parlamenti, me urdhër politik nga qeveria, i ka miratuar, pavarësisht protestave masive të grupeve të interesit dhe shoqërisë civile. Madje, edhe kur organizma ndërkombëtarë, sikurse BE dhe Komisioni i Venecias i kanë kundërshtuar këto ligje, qeveria dhe Parlamenti ynë me arrogancë i kanë shpërfilluar opinionet e këtyre organizmave ndërkombëtare, sepse në ato ligje për qeverinë pa qenë parësore interesi politik dhe jo interesi kombëtar.
53 % e shqiptarëve duan të emigrojnë nga Shqipëria
“Pothuajse 1 në 2 shqiptarë duan të largohen nga Shqipëria. Ata që mendojnë kështu u përkasin grupe me të ardhura të larta, me arsim universitar, si dhe gratë dhe të papunët” – thuhet në studim. Në këto 5 vitet e fundit, ku qeveris kryeministri Rama janë larguar nga Shqipëria për të emigruar mbi 450.000 shqiptarë. Edhe pse Edi Rama, si kryetari i opozitës në 2013 premtoi se në qeverisjen e tij do të hapeshin 350.000 vende të reja pune, në fakt, në këto 76 vite të qeverisjes së kryeministrit Rama, koncesionet e pasurive publike kanë krijuar monopole të oligarkëve, është vrarë konkurrenca e ndershme në tregun e punës, bizneset e vogla po falimentojnë përditë për shkak të taksave të larta, qeveria u ven oligarkëve privilegje të tilla ekonomike saqë u fal me qindra milionë euro me ligjin e dividentit, me veprim prapaveprues, edhe pse është në kundërshtim me Kushtetutën, ndërkohë që qeveria rriti çmimin e energjisë elektrike, të ujit, rrogat dhe pensionet janë po ato të para 7 viteve. Shqiptarët po varfërohen, prandaj, llotarinë amerikane e aplikuan mbi 1 milionë shqiptarë, ndërkohë që Shqipëria tashmë është e para në Europë, për nga numri i azilkërkuesve ekonomikë në vendet e BE-së.
50 % e shqiptarëve nuk i besojnë reformës në drejtësi
Dyshimet dhe mosbesimi i qytetarëve shtrihen edhe mbi reformën në drejtësi. Sipas sondazhit, afro 1 në 2 shqiptarë besojnë se reforma në drejtësi do të ketë ndikojë pozitivisht në zhvillimin e vendit, por gjysma tjetër pohojnë se reforma nuk po kryhet me korrektësi. Mosbesimin më të madh ndaj reformës në drejtësi e kanë moshat deri në 30 vjeç, të arsimuar e në fillim të karrierës. Ata u shprehën se “reforma po bëhet sa për sy e faqe”, se “ajo nuk ka ndikim të vërtetë”, se “kjo reformë është proces selektiv, ku po ndëshkohen disa për t’u shërbyer atyre, që kanë mbështetje të fuqishme”. Reforma në drejtësi perceptohet si proces politik e jo thjesht si proces ligjor. Pjesëmarrësit mbi 55 vjeç raportuan ndikim të kufizuar pozitiv të reformës, sepse sipas tyre, “procesi është i lidhur me interesa të caktuara politike”. Anketat e të punësuarve në sektorin publik janë në kontrast të madh me ato nga të punësuarit në sektorin privat, nga të anketuarit e papunë, dhe ata me paga të ulëta, vëren studimi.
Shqiptarët kritika BE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare
Të anketuarit kanë shprehur më shumë besim tek organizmat ndërkombëtare, si NATO, ndërsa kanë humbur besimin tek organizmat e tjera ndërkombëtare, si përshembull tek BE-ja dhe përfaqësi diplomatike të huaja të akredituara në Tiranë, për shkak, se këto, në më të shumtën e herëve janë bërë paterica të politikave antikushtetuese dhe antidemokratike të qeverisë. Mjafton që të shikosh në portalet e tyre zyrtare, kritikat e pafundme dhe të përditshme të shqiptarëve ndaj përfaqësve të këtyre përfaqësive diplomatike në Tiranë, sikurse ishte edhe rasti i një ambasadori, që u ngriti protestuesve shqiptarë në Tiranë gishtin e mesit, apo mosveprimi dhe heshtja e tyre ndaj manipulimeve të zgjedhjeve në vitet e fundit në Shqipëri. Ndërsa brenda vendit shqiptarët më shumë besim kanë tek institucionet fetare dhe shoqatat.
Zëri i Amerikës/Shqipëri, Sondazhi: Besim i ulët i qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore e politike
Edhe Zëri i Amerikës i kushtoi reportazh sondazhit të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim duke theksuar se “Sondazhi zbuloi një besim të ulët dhe në rënie të qytetarëve ndaj gjithë institucioneve shtetërore e politike në vend, si dhe tek reforma në drejtësi. Në raport thuhet se një në dy shqiptarë duan të ikin nga vendi dhe perceptimi i tyre për korrupsionin shtetëror mbetet i lartë. Sondazhi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim u shtri në 61 bashki të vendit mblodhi vlerësime të ulëta nga qytetatër për nivelin e besimit tek qeveria, parlamenti, presidenti, partitë politike dhe tek drejtësia. Mbi 85 për qind e të anketuarve pohojnë se korrupsioni i nivelit të lartë dhe atij të ulët është një dukuri e përhapur gjerësisht në shoqërinë shqiptare. Sipas tyre, institucionet më të korruptuara janë drejtësia, spitalet, dhe qeveria, e më pas janë parlamenti, policia dhe bashkitë. Shumica e të anketuarve nuk kanë besim në ndëshkimin e korrupsionit të niveleve të ulëta dhe atyre të larta.





















