Sokol Olldashi: “Partia e Edi Ramës nuk është më parti e socialistëve”

465
Sigal

 Ministri i Transportit  Sokol Olldashi: “Më 23 Qershor, shqiptarët do t’i nxjerrin kartonin e kuq PS-së”

Ministri Olldashi, i cili kryeson dhe listën e kandidatëve për deputet të PD në Fier, në mitingun e mbrëmshëm në qytetin e Fierit,  tha se në 23 Qershor shqiptarët do t’i nxjerrin kartonin e kuq PS-së dhe Kryetarit të saj Rama. “Edhe 6 ditë na ndajnë drejt ditës së madhe që do vulosë ecjen e Shqipërisë përpara. Në 24 Qershor Ramës  do t’i japim metrin të dalë dhe të matë rrugët. Shqipëria do vazhdojë rrugën e reformave dhe do lërë autobusin e Edi Ramës të hallakatet pa e ditur se ku shkon dhe pa ditur sa kushton, do ti nxjerrim kartonin e kuq dhe ta lëmë aty ku i takon në stolin e rezervave”,- tha ai. Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Fierit, Sokol Olldashi, ka zhvilluar takime elektorale me banorë të Komunës Dushk, lagjeve të “Hasanllinjve”, Kongresit të Lushnjës” si dhe “Liri Kazazi” të qytetit të Lushnjës. Para banorëve të Komunës Dushk, Olldashi paraqiti një pasqyrë të arritjeve të  tetë viteve qeverisjeje, duke u ndalur në infrastrukturën rrugore, ndërtimin e shkollave, të  qendrave shëndetësore, kopshteve etj.. Ai tha se gjatë këtyre tetë viteve investimet në Qarkun e Fierit janë rreth 27 herë më shumë sesa gjatë viteve të qeverisë socialiste. Për zotin Olldashi diferenca mes projektit të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste është e dukshme. Kjo pasi alternativa e PD-së nuk është ajo e gënjeshtrave, por e shifrave reale të investuara në qarkun Fier”. Kemi ndërtuar në këtë qark 66 ujësjellës. E di që ka ndonjë zonë që nuk furnizohet në zonat rurale. Por kemi ndërtuar 66, kemi mbyllur 102 shkolla në këtë qark. E dimë akoma që ka shkolla të pambyllura, të parregulluara, por ne po vazhdojmë punën. E kemi gjetur raportin nxënës kompjuter, një me një mijë. Por praktikisht mund të quhet zero. Një kompjuter për një mijë nxënës e kemi gjetur në vitin 2005. Sot jemi një me njëzet. Jemi absolutisht të pakënaqur me këtë kuotë. Por e kemi gjetur një me një mijë.” Ai premtoi investime të fuqishme në bujqësi në Lushnje si një prej qendrave të bujqësisë shqiptare. Projektet do të fillojnë pikërisht nga Lushnja, u shpreh zoti Olldashi duke përmendur si investimin më të madh atë të  ujitjes me pika, projekt ky në bashkëpunim me Bankën Botërore me një vlerë prej 66 milionë eurosh. Ndërsa   para banorëve të  lagjes Hasanllinjve në qytetin Lushnjë, Olldashi u ndal tek programi i katër viteve të ardhshme të  qeverisjes demokratike, ku pikësynimi kryesor është Shqipëria e zhvilluar në vitin 2017. ” Programi ynë  është një program shumë i qartë, shumë i saktë , shumë i studiuar, dhe shumë i përllogaritur nga pikëpamja ekonomike. Një program që  secili prej jush mundet ta shfletojë, ta analizojë, ta gjykojë dhe të na vlerësojë në mënyrën e tij. Është një program që do ti japë vendit në katër vitet e ardhshme zhvillimin në një stad shumë  më të lartë sesa e ka sot. Për të arritur atë objektiv që ne e kemi pasur që në vitin 2005 dhe që e kemi shpalosur para qytetarëve, “Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017”. Ai nuk harroi tu bënte thirrje socialistëve të ndershëm që të bashkohen me alternativën e PD-së pasi PS nuk përfaqëson më interesat dhe idealet e tyre… “. Edhe socialisti i fundit në Shqipëri e ka kuptuar se partia e tyre nuk ka asnjë shans që të fitojë  dhe nuk ka më asnjë shans që të fitojë për një arsye shumë të thjeshtë. Jo se nuk ka socialist në Shqipëri, por se partia e Edi Ramës nuk është më parti e socialistëve. Partia e Edi Ramës çdo ditë e më tepër po shndërrohet në një parti të lidhur me interesa klienteliste të kryetarit të saj”, tha Olldashi. Para qindra banorëve, zoti Olldashi pasi prezantoi kandidatët për deputet të PD-së në këtë rreth Florian Danin dhe Myslym Murrizin, garantoi qytetarët lushnjarë, vazhdimësinë e investimeve në këtë qytet, pavarësisht se bashkia drejtohet nga Partia Socialiste.  “Do të vazhdojmë të investojmë në këtë qytet, përsa kohë do të gjejmë një partneritet real nga Bashkia.

BERISHA NË FIER:RROGA MINIMALE 350 DOLLARË, PENSIONET JO MË PAK SE 150

PD-ja ka përmbyllur mbrëmjen e djeshme fushatën elektorale në Qarkun Fierit. Kryeministri Berisha në fjalën e tij është treguar konciz në shpalosjen e platformës së partisë dhe koalicionit që drejton, duke e vënë theksin kryesisht tek punësimi dhe rritja e pagave dhe pensioneve. “Le të ecim përpara për një mandat të tretë me të cilin synojmë rritjen e mirëqenies. Jam këtu për t’u zotuar se gjatë mandatit të ardhshëm në Shqipëri rroga minimale do rritet në 350 dollarë. Rroga e mësuesit dhe rroga mesatare do arrijë në 700 dollarë. Jam sot për të garantuar çdo të ri fierak dhe çdo të ri të Shqipërisë se dyert e universiteteve do vazhdojnë të jenë të hapura për të bërë realitet ëndrrën universitare, pranë çdo shkolle të mesme do hapen degë profesionale sikundër do hapen shkolla profesionale në mbarë vendin. Katër vitet që vinë çdo njeri prej jush që do punësohet, qeveria do paguajë çdo lloj detyrimi fiskal për ju tre vjet, do mundësojë kualifikimin tuaj falas në çdo sipërmarrje. Për të gjithë të rinjtë me profesion do garantojë mikrokredi të buta për t’u vetëpunësuar. Katër vitet që vinë me dyfishimin e turizmit, uljen e taksave, projektet e mëdha, mbështetjen e fermave dhe teknologjisë së informacionit në Shqipëri do krijohen 250 000 vende pune. Ftoj pensionistët e Fierit të bashkohen me ne, pasi i garantoj se katër vitet që vinë nuk do ketë pension nën 150 dollarë. Qeveria do marrë përsipër 100% të gjitha shërbimet shëndetësore dhe ilaçet e pensionistëve, do subvencionojë transportin urban dhe interurban, do përballoj me buxhetin e saj 90% të shpenzimeve në shtëpinë e kujdesit të të moshuarve”, deklaroi Berisha. Dhe më tej premtoi lehtësira për bizneset shqiptare dhe të huaj që do të investojnë në Shqipëri, ndërsa për emigrantët ai tha se bizneset e tyre do të jenë 3 deri në 5 vjet pa asnjë detyrim fiskal. Duke ju drejtuar fermerëve, Kryeministri i garantoi për trefishim të granteve, si dhe likuidimin me para në dorë të akcizës së naftës.

Në Berat, premtimet e Berishës: Do rris rrogën minimale 350$, dyfishoj pagesën e papunësisë

Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë takimit përmbyllës elektoral në Berat, premtoi se në mandatin e ri do të rrisë rrogën minimale në 350 dollarë, ndërkohë që, do të dyfishojë pagesën e papunësisë.  “Unë ftoj qytetarët e Beratit dhe të mbarë Shqipërisë të bashkohen, të ecin përpara në rrugën e mirëqenies, garantoj se rroga minimale do rritet 350 dollarë, mesatarja në 700 dollarë, e arsimtarëve , 700 dollarë. Garantoj të papunët se pagesa e papunësisë do të dyfishohet. Qeveria do marrë përsipër të gjitha shpenzimet për kualifikimin e tyte”, premtoi Berisha.  Duke bërë një vlerësim të mandatit të shkuar Berisha tha se ai ka mbajtur premtimet teksa i bëri thirrje që të bashkohen me programin e PD-së që parashikon lehtësi për punësimin e tyre si dhe arsimin profesional.