“S’kemi pse të marrim pjesë në komisionet online për t’u bërë lolo”, deputeti i PD propozon bojkotimin: Tendencë për grusht shteti brenda parlamentit. Duan të na mbyllin gojën

149
Sigal

Deputeti i PD Tritan Shehu e ka cilësuar një tendencë për grusht shteti brenda parlamentit zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare online. Ai tha se kjo është një çështje thelbësore e demokracisë dhe kërkohet t’iu mbyllet goja deputetëve, pasi komisionet janë vendet ku zhvillohen debatet.

“Është çështje e procedurës, se është çështje e demokracisë, e lirisë, e shprehjes së deputetëve. Sepse këtu kemi një tendencë për grusht shteti brenda parlamentit. Për t’i mbyllur gojën deputetëve. Pra, është një çështje thelbësore e procedurës parlamentare. Komisionet janë bazë e diskutimeve dhe gjithmonë është thënë që të mos bëjmë diskutime të mëdha në seancë plenare, por t’i bëjmë në komisione, me shumë të drejtë. Po kërkohet të evitohet vendi i debateve, i mendimeve, diskutimeve dhe i konkluzioneve, kjo është të tallesh me parlamentin. E ka gabim zoti Balla kur thotë nuk është çështje e seancës plenare. Është çështje e funksionimit normal të një parlamenti e një vendi sovran. Askush nuk ka të drejtë t’i imponohet parlamentit. Aq më shumë kur kërkohet t’i imponohet një masë e papërputhshme me masat kombëtare për epideminë që janë sot, jashtë standardeve, sui generis vetëm e vetëm për t’i mbyllur gojën deputetëve ashtu sikur u mbyll kufiri para zgjedhjeve, siç u përdor ai komitet para zgjedhjeve për të mos i lënë njerëzit të votojnë. Ashtu kërkohet sot t’i mbyllet goja deputetëve. Kjo është shumë e rëndë, është e paimagjinueshme. Në qoftë se doni të diskutojmë për masat epidemiologjike hajde diskutojmë, Shqipëria nuk është në gjendje epidemiologjike të rëndë, është katastrofë. Por nuk e zgjidhin komisionet këtë çështje, përkundrazi komisionet duhet të diskutojnë për masat që duhen marrë për këtë situatë. Për të mos shkuar më me 30 mijë të vdekur të tjerë. Ne kërkojmë t’i mbyllim gojën komisioneve. Këtu është një çështje shumë serioze, thelbësisht e funksionit të parlamentit, e bazës demokratike të funksionit të parlamentit, është një çështje dhunimi e të drejtave të parlamentit dhe të deputetëve”, tha Shehu.

Ai propozoi madje bojkotin e komisioneve nëse zhvillohen online mbledhjet.

“Kot po rrimë këtu dhe kot do shkojmë në komisione. Unë propozoj këtu. Ndryshe ne mos të marrim pjesë në komisione. S’kemi pse të marrim pjesë në komisione, për t’u bërë lolo e disa videove. Mos të marrim pjesë në asnjë komision, që të mos cenohet demokracia shqiptare. Boll me të tilla gjëra, boll me shakara, lodra”, deklaroi Shehu.