Skandali me Borxhin: PS e mori me 5.9 miliard euro, sot arrin në 14 miliard euro

965
Sigal

Analizë nga  Prof.Dr. Qemal Lame

BE u solidarizua me shqiptarët për fatkeqsinë e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Borxhi në rritje problem shqetsues, në total shuma arrin në  92% e GDP. Rama e mori Shqipërinë me 5.9 miliard në 2013 dhe në 2020  me borxhi  e ri të donacioneve dhe Eurobondin shifra arrin në 14 miliard euro

E gjithë bota u solidarizua me popullin shqiptar për të përballuar fatkeqësinë e shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Bashkimi Evropian me solidaritetin e tij dhe ndihmën e jashtëzakonshme, na tregoi se është pranë nesh, na vlerëson si pjesë e tij, kontribuon për të mënjanuar fatkeqësinë, ecur përpara për zhvillimin e vendit dhe arritjen sa më parë të hapjes së negociatave. Por nuk duhet të vetëkënaqemi. Kërkohet shumë punë e përgjegjësi për ta bërë më të fortë shtetin, zhvilluar ekonominë dhe më të mirë jetën e popullit. Është e domosdoshme të kuptohet e vlerësohet me përgjegjësi ndihma e dhënë nga Bashkimi Evropian dhe përgjegjësia e jashtëzakonshme për Shqipërinë, për të përdorur me efektivitet shumën një miliard e 150 milion euro. 265 milion euro janë ndihmë për Shqipërinë, për shqiptarët, për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga tërmeti i fundit. 885 milion euro janë borxhe dhe hua me interesa të ulëta që do të rikthehen nga taksapaguesit shqiptarë. Problemi kryesor për Bashkimin Evropian dhe Qeverinë e Shqipërisë është administrimi me përgjegjësi i ndihmës dhe borxhit. Për këtë qëllim, do të monitorohet dhe kontrollohet nga institucionet evropiane përdorimi sipas qëllimit të dhënë i fondeve dhe parandalimi në kohë i shpërdorimeve e korrupsionit të mundshëm nga institucionet zbatuese e ndërtuese në Shqipëri.

Nuk do të lejohet të përsëriten përvojat e mëparshme negative të shpërdorimit të fondeve evropiane. Për forcimin e ligjshmërisë dhe rritjen e përgjegjësisë nga drejtuesit e institucioneve shtetërore është me rëndësi edhe realizimi i iniciativës amerikane për të krijuar Akademinë e Transparencës. Rregullat ligjore dhe veprimtaria e një institucioni të posaçëm janë të domosdoshme për të ndjekur në vazhdimësi procedurën e zbatimit të buxhetit të shtetit, investimet kapitale, tenderët qeveritare, vlerat e vërteta të ndërtimit të objekteve me rëndësi ekonomike, ndërtesave të banimit, rrugëve e autostradave, etj. Ndihma evropiane, si dhe ato nga shtetet e tjera solidare për rindërtimin është e domosdoshme të vlerësohen me përgjegjësi dhe të detajohen në projektet që do të bëhen për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara.

Për këtë qëllim do të ishte efektive publikimi i projekteve dhe tenderëve që të njihet e të kontrollohet me rreptësi transparenca e domosdoshme. Projektet me blloqe të reja ndërtimi janë zgjidhja më e mirë për të sotmen dhe të ardhmen e qyteteve, fshatrave dhe jetës qytetare. Ndihma e dhënë hap mundësitë që të studiohen e miratohen projekte për zhvillimin ekonomik, krijimin e ndërmarrjeve të reja për të shfrytëzuar rezervat natyrore dhe punësuar të papunët e sidomos të rinjtë. Është e domosdoshme të vlerësojmë drejtë parimet e shtetit dhe të ekonomisë në kapitalizëm. Centralizimi dhe planifikimi socialist solli falimentimin e shtetit e të ekonomisë. Por edhe ky kapitalizëm që po funksionon, ka krijuar shtresën e re të pasur që pasurohet çdo ditë e më shumë, ndërsa populli varfërohet. Kujtojmë se miniera e Bulqizë mbushi 72 vjet. Ajo vazhdon të shfrytëzohet dhe ka rezerva të mëdha. Por privatizimi i saj nuk plotësojë pritshmëritë e premtuara për prodhimin, teknologjinë e re bashkëkohore, kushtet e punës dhe shpërblimin e punëtorëve.

Po kështu edhe industria gjigante e naftës, ka degjeneruar, nuk jep të ardhura në buxhet, nuk paguan as punëtorët që detyrohen të protestojnë. Koncesionet kanë krijuar oligarkinë e re. Ato nuk arrihet të kontrollohen me rregullat e njohura si në shtetet perëndimore. Nuk zbatohen detyrimet ndaj buxhetit të shtetit. Qeveria është e domosdoshme të përmirësojë veprimtarinë e saj për planifikimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit. Theksojmë me forcë se është jetike ndryshimi i politikës PPP-së që ka krijuar shqetësime për përdorimin e fondeve, financimit pa disiplinë të rreptë financiare dhe me kritere që mënjanojnë përgjegjësinë ligjore.

 Borxhi në rritje i Shqipërisë është problem shqetësues.

Kënaqemi dhe jemi mirënjohës për borxhet e huat me interesa të ulëta. Por ato kërkohet të kthehen në kohën e parashikuar në marrëveshjet e arritura nga Qeveria. Është me pasoja të rënda rritja e shpenzimeve shtetërore, pagesave jo në kohë të detyrimeve të kredive dhe lënia e tyre si detyrim për qeveritë e ardhshme si ka ndeshur rëndom në këto 30 vjetët e fundit.

Kujtojmë se më parë nuk kemi pasur borxhe shtetërore. Populli me filozofinë e tij na mëson se borxhi është një litar që e merr dhe e ve në qafë për të vetëvrarë. Prandaj kërkohet ndërgjegjësim dhe kërkesë e rreptë llogarie për çdo lek, euro ose dollar të marrë borxh nga shteti. Nga llogaritjet e bëra nga ekonomistët shqiptarë evidentohet një borxh gjigant, i paimagjinueshëm më parë për të cilin është e domosdoshme të reflektohet dhe të garantohet zhvillimi perspektiv i buxhetit dhe ekonomisë kombëtare. Qeveria ka planifikuar në këtë vit të marri 2 borxhe: 500 milionë Euro si Eurobond dhe 700 milionë Euro si kredi nga Banka Botërore. 1.2 miliardë Euro në një vit! Kemi të drejtë të theksojmë se kjo shifër është një rekord historik!Evidentohen aktualisht: 9 miliardë Euro borxh të shkruar. 2.2 miliardë euro detyrime koncesionare. 1.2 miliardë euro borxh të parashikuar, viti 2020, 600 milionë euro detyrime të prapambetura ose konflikte gjyqësore të vendosura duke përfshirë edhe Bechettin.

Në total shuma arrin në 13 miliardë euro!

Nëse GDP e 2020-ës pritet të jetë rreth 14 miliardë euro. Kjo shumë e parallogaritur tërheq vëmendjen seborxhi total në 2020 do të jetë 92 për qind e GDP. Në vitin 2013, kur e mori pushtetin qeveria socialiste, Shqipëria kishte 5.9 miliardë euro borxh të trashëguar nga qeveria e koalicionit PD-LSI.Në 2020 do të ketë 13 miliardë. 2.2-fishin. 7.1 miliardë Euro më shumë. Po të shtohen edhe 885 milionat e marrëveshjes së fundit, do të kemi shifrën prej 7.886 miliardë euro më shumë.Këto shifra të publikuara tregojnë për shqetësimet e krijuara. Ato kërkohet të analizohen e të jepen shpjegime me përgjegjësi nga Qeveria, Ministria e Financave, Banka e Shtetit, Instituti i Statistikave etj. Megjithatë, opinioni publik diskuton dhe shqetësohet për fondet buxhetore që jepen për objekte jo të mirëfillta për prodhim e punësime masive. Janë ndërtuar disa rrugë me çmime më të larta se çdo rrugë e ndërtuar në shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian ku duam të integrohemi!

Nuk është ndërtuar asnjë ndërmarrje prodhuese për të punësuar të papunët!

Borxhi në rritje po krijon rrezikun e katastrofës që përjetoi Greqia! Ta mbajnë në qendër të vëmendjes këtë përvojë të fqinjit tonë dhe të mos bien viktimë e planeve jo efektive për shtetin, ekonominë e mirëqenien e popullit. Kreditë plotësojnë nevojat emergjente dhe bëhen efektive kur përdoren me plane të mirë studiuara, nuk lejohen shpërdorime dhe krijohen mundësi për të rritur prodhimin e të ardhurat e buxhetit të shtetit që të paguhen detyrimet nga bankat ose shtetet e tjera, si dhe ato nga Banka jonë Kombëtare. Dëshirojmë dhe shpresojmë që të me ndihmën e fundit nga Bashkimi Evropian ti jepet një hov zhvillimit ekonomik dhe punësimit. Kjo do të ishte me rëndësi historike kombëtare për të krijuar sigurinë për punë e jetesë dinjitoze në Shqipëri. Kështu do të vlerësohen drejtë nevojat për zhvillimin aktual e perspektiv dhe do të mënjanohen në masën e mundshme edhe problemet që nxisin emigracionin masiv që ka krijuar gjendjen e rëndë të uljes drastike të popullsisë dhe rritjen e moshës mesatare të treguesve demografike. Kemi për detyrë që të përkushtohemi të gjithë për të kthyer besimin në mundësitë që ka Shqipëria dhe ta bëjmë jetën më të mirë këtu në atdheun tonë.