Skandali i Pjetrit/ Rama nuk mban asnjë përgjegjësi, akuzon PD që e zbuloi

524
Sigal

Fundi i pushimeve verore për kryeministrin Edi Rama u zyrtarizua sot në Lezhë, nga ku drejtoi një takim me drejtuesit e PS për veriun e vendit.

Në një pjesë e gjatë e fjalës së kryeministrit lidhej me pastërtinë e figurës për të gjithë drejtuesit e bashkive, nënkryetarët, por edhe për të gjithë ata që kanë një rol drejtues.

”Kemi patur një problem me Shkodrën dhe kjo ka ardhur për arsye se komisioni i verifikimit të pastërtisë së figurës që ngritëm edhe këtë herë në parti, nuk mund të shkojë përtej kufijve që kanë shtetet në lëshimin e statusit penal për çdo individ. Italia për shembull e ka deri 10 vjet më parë, dokumentin e pastërtisë. Mirëpo në rastin e Valdrin Pjetrit kjo nuk ka mjaftuar siç e kemi parë”, ka thënë Rama duke patur parasysh rastin e Valdrin Pjetrit në Shkodër.

Të gjitha të dhënat përtej 10 viteve ka thënë kryeministri , janë të arkivuara dhe në to kanë akses vetëm autoritetet policore.

“Në rast se letrat që nxori PD janë autentike, ato janë marrë në mënyrë të paligjshme. Janë fotografuar nga ekrani i kompjuterit duke dhënë ndonjë ryshfet. Ne s’mund ta bënim këtë dhe s’mund ta bëjmë, por duhet ta zgjidhim. Sepse s’mund të marrim asnjë kosto as ne as komuniteti, kur një vetëdeklarim rezulton i rremë, pasi kanë mbaruar zgjedhjet dhe krijohet boshllëk e zhgënjim”, vijoi kreu i qeverisë

Sipas asaj që raporton Top-Channel, përballë kësaj situate kryeministri propozon edhe një zgjidhje.

“Do t’i propozoj parlamentit që kandidaten e partive për deputetë apo kryebashkiakë, të depozitohen më herët se sa afati i regjistrimit, në mënyrë që të ketë kohë për verifikim nga organet ligjzbatuese. Kush individ merr përsipër të gënjejë një parti e një shoqëri të tërë, të mbajë mbi kurriz të gjitha pasojat. Nuk është përgjegjësi e partisë politike kur del një mollë e kalbur. Por ama është përgjegjësi e partisë të reagojë duke e flakur mollën e kalbur. Por me këto dy ndryshime ligjore, jo vetëm gënjeshtari apo shkelësi, do flaket nga partia, po s’do lëre asnjë boshllëk nga pas”, është shprehur Rama..

Ai ka kërkuar që, në Shkodër të ketë më shumë gra në postet drejtuese.