Abuzimi me fondet e IPARD është i njëjtë me skemën e inceneratorëve, ku janë marrë paratë dhe nuk është ndërtuar asgjë. Tashmë AZHBR po u kërkon dhjetra bizneseve të kthejnë paratë, por bizneset dhe individët kanë paguar zyrtarët nën dorë në shifra që shkojnë deri në 50% . Ndaj bizneset po bëjnë të njëjtin veprim duke u kërkuar sekserëve të ministrisë së Bujqësisë të kthejnë paratë.
Një pjesë e bizneseve kanë paguar nën dorë sekserë apo drejtpërdrejtë zyrtarë të AZHBR-së për të përfituar grantet. Tashmë që AZHBR u kërkon të kthejnë paratë, bizneset po bëjnë të njëjtën gjë me sekserët dhe zyrtarët, që kanë paguar.
E kapur mat në skandalin e madh të abuzimeve me fondet e IPARD nga hetuesit e OLAF, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural është detyruar të kërkojë masivisht kthimin e parave nga bizneset. Javët e fundit, AZHBR u ka nisur letër dhjetra bizneseve, të cilat kanë përfituar grante, duke u kërkuar të kthejnë paratë mbrapsh.
Pak javë më parë, portali Amfora publikoi një informacion zyrtar, sipas të cilit deri në fund të majit AZHBR u kishte kërkuar kthimin e parave të përfituara nga grantet rreth 10 subjekteve, mes të cilave kompanisë ‘Coast to Coast’ të biznesmenit Florenc Gjikuria si dhe asaj ‘Kavaljon’ në pronësi të ish kryetarit të bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi.
Por muajt e fundit lista e bizneseve të cilave u është kërkuar të kthejnë paratë për abuzim apo mosrespektim të kontratës është rritur ndjeshëm. Por tashmë po krijohet një tjetër konflikt.
Një pjesë e bizneseve kanë paguar nën dorë sekserë apo drejtpërdrejtë zyrtarë të AZHBR-së për të përfituar grantet. Tashmë që AZHBR u kërkon të kthejnë paratë, bizneset po bëjnë të njëjtën gjë me sekserët dhe zyrtarët, që kanë paguar.
Një katrahurë korrupsioni dhe paligjshmërie, që tani mund të çojë edhe në konflikte fizike, pasi zakonisht këta që marrin rryshfetet operaojnë me moton “paratë e marra nuk kthehen më.”
Përpjekje për të shpëtuar kokën
Të turpëruar nga skandali, që çoi në vendimin e papreçedentë të BE-së për pezullimin e fondeve të IPARD, zyrtarët e qeverisë dhe drejtuesit e AZHBR po përpiqen tashmë të shpëtojnë nga përgjegjësitë penale, por edhe të rregullojnë sadopak imazhin e rrënuar duke kërkuar kthimin e parave.
Institucioni që ka menaxhuar dhjetra milionë euro grante, por edhe qeveria shqiptare janë damkosur zyrtarisht si të korruptuar nga Bashkimi Europian. Zyra kundër mashtrimit në BE, e njohur me emrin OLAF ka kallëzuar prej kohësh në prokurori abuzimet masive të dala në dritë nga hetimi i saj.
Por prej më shumë se dy vite, organi shqiptar i akuzës i ka zvarritur hetimet duke mos vënë asnjë zyrtar përgjegjës përpara ligjit. Megjithatë, përpjekjet e prokurorisë për të mbytur aferën apo hezitimi i saj për të hetuar deri në fund, nuk kanë mundur ta shpëtojnë qeverinë nga reperkursionet e skandalit.
Faktori grek
Brenda strukturave të Bashkimit Europian, çështja e abuzimeve me fondet e IPARD nga qeveria shqiptare po mbahet në qendër të axhendës veçanërisht nga Greqia. Pas përplasjeve mes Tiranës dhe Athinës zyrtare për arrestimin e Fredi Belerit, qeveria greke është duke kërkuar me prioritet zbardhjen deri në fund të skandalit të granteve dhe vendosjen e qeverisë shqiptare përpara përgjegjësive.
Ndërkohë që një tjetër front ku Athina po “hakmerret” është skandali i vjedhjes së pronave të bregdetit. Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama u detyrua të shkarkojë nga kabineti ministren e Bujqësisë, Frida Krifca dhe atë të jashtme Olta Xhaçka.
E para shihet si përgjegjëse direkte për skandalin me fondet e BE-së për bujqësinë gjatë kohës që drejtonte AZHBR-në, ndërsa Xhaçka akuzohet si e përfshirë në skandalin e tjetërsimit të pronave në bregdet, duke u kallëzuar pak ditë më parë në SPAK nga Fredi Beleri për tokën mbi të cilën bashkëshorti i saj po ndërton hotelin në Himarë.
Abuzimi me fondet e IPARD i njëjtë me skemën e inceneratorëve, janë marrë paratë dhe nuk është ndërtuar gjë
Është shumë e ngjashme me inceneratorët si skemë. Kanë dalë plot raste, si rasti i kompanisë që ka inceneratorët, që donin edhe ata, kanë marrë ato 300-mijë eurot për të bërë serat. Skema është e njëjtë, fryrja e faturave, kalimi nëpër sekserë dhe shkuarja e këtyre fondeve në njerëz e biznese, që nuk kishin lidhje as me bujqësinë as me biznesin e përpunimit të produkteve bujqësore.
Eduard Sharka, kreu i Sindikatës së Fermerëve, foli rreth abuzimit me fondet e BE (IPARD) nga Ministria e Bujqësisë dhe AZBR. Situata me abuzimet e fondet e bujqësisë daton sidomos gjatë periudhave të zgjedhjeve, ku fermerëve u premtohet mbështetje. Mesa duket flluska e korrupsionit, tashmë dëshmuar nga hetimi i OLAF ku fondet kanë shkuar sipas lidhjeve nepotike dhe jo aty ku është ne nevojë bujqësia, në bazë për fermerët.
“Në rritjen e standardit të prodhimeve të bulmetit për të krijuar standard sipas BE duheshin mbështetur fermerët e vegjël, asnjë nuk përfitoi nga këto grante. E njëjtë ishte edhe situata për fermerët e serave të vogla. Këto fonde shkuan te biznese që kërkonin të diversifikonin bizneset e tyre ose të përfitonin grantet. Mjeti për të abuzuar ka qenë, përveç sekserëve, edhe fryrja e faturave, siç kemi dëgjuar dhe do të dalin edhe nga hetimi i OLAF. Në fakt janë dhënë fondet dhe mungon ajo vepra që duhej prodhuar apo krijuar nga këto fonde. Është shumë e ngjashme me inceneratorët si skemë. Kanë dalë plot raste, si rasti i kompanisë që ka inceneratorët që donin edhe ata, kanë marrë ato 300-mijë eurot për të bërë serat. Skema është e njëjtë, fryrja e faturave, kalimi nëpër sekserë dhe shkuarja e këtyre fondeve në njerëz e biznese që nuk kishin lidhje as me bujqësinë as me biznesin e përpunimit të produkteve bujqësore.”- u shpreh Sharka.