Dhe hera e tretë që u votua në Kuvend për mandatin e deputetes socialiste ishte e njëjta e datës 12 shtator. Dhe këtë radhë, ashtu si të dytën votimi erdhi si detyrim i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, me PS-në që doli për të dytën herë kundër Kushtetueses me po të njëjtin argument: Deputetët janë të lirë në votën e tyre.

Maxhoranca socialiste kundërshtoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dërgimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka për verifikim. Në seancën maratonë që zgjati deri vonë mbrëmje 65 deputetë të PS-së abstenuan, 9 të tjerë votuan kundër, ndërsa pro votuan vetëm 25 deputetë të opozitës. Ky është votimi i tretë për këtë çështje, dhe i dyti që vjen si detyrim i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Pra kjo ishte hera e dytë që maxhoranca del kundër Kushtetueses për mandatin e Xhaçkës.
Kush votoi kundër? Votat kundër nga Partia Socialiste u dhanë nga Bledi Çuçi, Damian Gjiknuri, Bujar Çela, Anduel Tahiraj, Jurgis Çyrbja, Klodiana Spahiu, Paulin Stërkaj, Petro Koçi si dhe Shkëlqim Bullari. Ndërkohë kryeministri Edi Rama dhe deputetja Olta Xhaçka për të cilën u zhvillua ky votim nuk ishin fare në sallë.
Protestë në sallë nga opozita
Ky rezultat u kundërshtua nga deputetët e opozitës, të cilët nuk është hera e parë që kërkojnë heqjen e mandatit të deputetes Xhaçka. “Turp, turp, t’ju vijë turp!”– ishin thirrjet me të cilat deputetët demokratë i drejtoheshin socialistëve.
PD dhe PS me dy raporte të ndryshme
Për këtë çështje opozita dhe maxhoranca dolën me dy raporte të ndara. PD në raportin e saj i kërkonte Kuvendit të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të çuar mandatin e Xhaçkës për verifikim.
Ndërsa PS ndonëse në raport thotë se mbështet vendimet e Gjykatës Kushtetuese, i qëndron idesë se deputetët nuk janë të detyruar të votojnë “Pro”, por janë të lirë në votën e tyre. Asnjëri prej raporteve nuk u lexua në seancë. Kjo gjë u kritikua nga deputeti Gazment Bardhi, i cili tha se po mbahen dy standarde të ndryshme. “Sipas rregullores, pas përfundimit të shqyrtimit nga Këshilli i Legjislacionit, ose raporti i përbashkët, ose i veçuar i mazhorancës dhe opozitës i prezantohet seancës plenare. Nuk ka ndodhur kurrë që Këshilli Legjislacionit të mos prezantojë pasi i ka paraqitur raportin kryetares së Kuvendit. Keni burgosur kryetarin e opozitës me pretekstin se s’ka zbatuar një vendim të shkallës së parë dhe krekoseni këtu me dy raste për të mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Dilni për zot votës tuaj në shkelmim të Kushtetutës së Shqipërisë” – tha Bardhi.
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Parlamentit, i cili refuzonte dërgimin në këtë gjykatë të mocionit të opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Xhaçka. Kushtetuesja thoshte se mandati i deputetes socialiste duhet të shqyrtohet pa vonesa në Gjykatën Kushtetuese dhe deputetët janë të detyruar ta dërgojnë atë sa më shpejt. Pas votimit u tha se Kuvendi kishte vendosur ta dërgonte çështjen për interpretim në Komisionin Evropian për Demokraci, apo siç njihet ndryshe “Komisioni i Venecias”.
Çfarë thonte Gjykata Kushtetuese?
Kjo nuk është hera e parë që mandati i Xhaçkës kalon në Kuvend, por e treta. Fillimisht maxhoranca votoi kundër dërgimit të mocionit në nëntor 2023, më vonë në prill të këtij viti rrëzoi një vendim të gjykatës që i kërkonte Kuvendit të dërgonte mocionin për interpretim pranë saj. Argumenti i përdorur ishte se deputetët janë të lirë të votojnë sipas dëshirës. Në vendimin e datës 10 korrik 2024, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Parlamentit, i cili refuzonte dërgimin në këtë gjykatë të mocionit të opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Xhaçka. Kushtetuesja thoshte se mandati i deputetes socialiste duhet të shqyrtohet pa vonesa në Gjykatën Kushtetuese dhe deputetët janë të detyruar ta dërgojnë atë sa më shpejt.
Dhe hera e tretë që u votua në Kuvend për mandatin e deputetes socialiste ishte e enjta e datës 12 shtator. Dhe këtë radhë, ashtu si të dytën votimi erdhi si detyrim i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, me PS-në që doli për të dytën herë kundër Kushtetueses me po të njëjtin argument: Deputetët janë të lirë në votën e tyre.
Pas votimit të së enjtes, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, tha se Kuvendi kishte vendosur ta dërgonte çështjen për interpretim në Komisionin Evropian për Demokraci, apo siç njihet ndryshe “Komisioni i Venecias”.
Pyetjet për Komisionin e Venecias
1- Bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese, a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar?
2- Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputetit? Cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili është roli i organit respektiv legjislativ në konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit?
3- Mbi bazë të cilave standarde do të duhet të interpretohet raporti mes mandatit përfaqësues, jo detyrues që deputetët gëzojnë dhe rolit tyre si anëtarë të Kuvendit në rastin e shqyrtimit të mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit?
4- Cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre? Nëse po, në ç’raporte është kompetenca që organi legjislativ ka në këtë procedurë, krahasuar me kompetencën e gjykatës përkatëse?
5- Cili prej këtyre organeve ushtron kontroll thelbësor të mocionit për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit? Cili është subjekti që legjitimohet që ta dërgojë çështjen në gjykatën e caktuar?




















