Shtëpia e Leshterikut

372
Sigal

Nga Oerd Bylykbashi

Durrësi nuk ka më bashki dhe kryetar bashkie të zgjedhur. Vangjush Dako nuk mund të vazhdonte veprën e tij monumentale të shkatërrimit të qytetit. Pas damkës së Departamentit të Shtetit dhe skandalit të shitblerjes së votave që nxorën Zëri i Amerikës dhe Bild, figura e tij publike iu shkri Ramës si akullore në dorë.

Durrësi nuk e ka bashkinë dhe një kryetar të zgjedhur që prej 30 qershorit kur në krye të saj u emërua një kryetare që nuk mori as 13 përqind të votave, dhe ku madje një pjesë e tyre ishin të manipuluara.‎ Ajo kryetare dha dorëheqjen mu në mes të katastrofës së tërmetit. Në vend që të ishte në ballë të një prej tragjedive dhe krizave më të mëdha që kishte goditur Durrësin, ajo u dorëhoq nga detyra.

Nënkryetari që e zëvendësoi u dorëhoq pas pak kohësh sepse ishte i sëmurë dhe në vend të tij u caktua nga Këshilli Bashkiak socialist, një drejtoreshë që ishte emëruar me shpejtësi nënkryetare. Por nënkryetari i dorëhequr u rikthye dhe rimori detyrën e nënkryetarit kryetar. Mos u çuditni fare.

Sot ai dha dorëheqjen e parevokueshme. Në letrën e tij thoshte që dorëhiqej nga posti i nënkryetarit të emëruar kryetar. A do rikthehet drejtoresha nënkryetare e caktuar kryetare e perkohshme? Apo do të vendoset ndonjë nga nënkryetarët që askush nuk di ç’punë bëjnë?

Nuk është lojë fjalësh. Kjo është çorba që Edi Rama gatuan në atë tenxheren e nxirosur që quhet Bashkia Durres, çorbë të cilën e përzien Dako me lugë druri nga pas perdes. Këtë çorbë i servir Edi Rama durrsakëve. Jo pak, por mbi 300 mijë banorëve të bashkisë.‎ Pushtet vendor autonom e që nuk varet nga qeveria, siç kërkon Kushtetuta, nuk ka më në Durrës.

Pushteti që u bazua në fitore me blerje votash, presione dhe banda që udhëheqin fushaten, ka degjeneruar në emërim de facto të kryetarit të komitetit ekzekutiv si në kohë të komunizmit nga Qeveria në Tiranë me vule noteri nga këshilli bashkiak socialist. Kryetar i emëruar dhe këshill njëpartiak. Turp! Nuk ka pse çuditet kush pse te dëmtuarit nga tërmeti nuk marrin dëmshpërblimin, qirate apo ndihmën për pandeminë. Nuk ka çudi pse biznesit bashkia i kërkon taksat në këtë situate kur bizneset ose janë mbyllur ose po japin shpirt, sepse nuk ka pushtet vendor të dalë nga vota e durrsakëve, por nga stilografi i Edi Ramës.

Edi Rama po e zgjat gjendjen e jashtëzakonshme në mënyrë antikushtetuese deri me 23 qershor. Kjo do të thotë që zgjedhjet ku durrsakët të caktojnë kush do t’i qeverisë nuk do të mbahen para gjysmës së dytë të gushtit në rastin më të mirë, edhe sikur të stabilizohet gjendja e pandemisë. Sigurisht Rama do ta shtyjë sërish gjendjen e fatkeqësisë natyrore e për rrjedhojë edhe zgjedhjet vendore. Kështu që durrsakëve do t’u serviret e njëjta çorbë tek mensa që formalisht quhet bashki.

Kush ka ndjekur serialin amerikan ‘House of Cards’ apo Shtëpia e Letrave (si ato shtëpitë e ndërtuara me letra bixhozi), e ka parasysh se si në atë sajesë televizive, presidentet e SHBA ndërroheshin pa zgjedhje, por me makinacione e intriga. Do të ishte llaf i madh ‎ta quanim me të njëjtin titull këtë sage të turpshme në Durrës, kur kryetarët anonime përplasen tek shkallët e bashkisë si leshteriku në bregun e Vollgës apo siç e quajmë tani, lungomares. Maksimumi mund ta quajmë “Shtëpia e Leshterikut”.