“Shqiptarët i ka pushtuar varfëria” Kryemadhi: Në pushtet do vijmë me një plan të qartë për rimëkëmbjen e ekonomisë, që t’iu japim shqiptarëve mundësinë të zgjedhin

466
Sigal

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha gjatë një interviste me skype në “Pasdite me Xhaxhiun” ,deklaroi se zoti Rama mund të bëjë planet e tij si të dojë dhe përgjigjen do ta marrë në mënyrë të merituar.

Pjesë nga intervista:

Xhaxhiu: Nëse zoti Rama nuk heq dorë nga kjo reformë, ose do të vazhdojë akrobacitë me suportin e ndërkombëtarëve, pyetja që do t’iu bënte një LSI-st hallexhi që është në periferi të Shqipërisë është kjo: Si keni menduar të vini në pushtet?

Kryemadhi: E para nuk është çështja për të ardhur në pushtet, e para është çështja që t’iu ofrojmë shqiptarëve mundësinë që të jenë të barabartë dhe shqiptarët të kenë të drejtën që ta zgjedhin ata se kush do të jetë më i miri. Në pushtet vihet duke i ofruar shqiptarëve një strategji, një plan afatshkurtër, afatmesëm, afatgjatë, për të nxjerrë Shqipërinë nga varfëria, për të cilën ne jemi të gatshëm dhe e kemi shprehur. E dyta, ajo që është shumë e rëndësishme është që zoti Rama mund të bëjë planet e tij si të dojë dhe përgjigjen do ta marrë në mënyrë të merituar. Tashmë nuk ka kohë dhe opozita nuk ka çfarë humbet më. Jemi të organizuar në mënyrën tonë ‘guerrilase’ le të themi në kuptimin e mirë të fjalës, jo në kuptimin e keq. Nuk është më çështja tani për të qenë thjesht në kuadrin dhe për të bindur se sa përkrahës dhe sa njerëz kemi me vete. Këtu tashmë agravimi dhe uria e njerëzve për të qenë prezent, për të zgjidhur hallet e tyre dhe problemet ekonomike që kanë pllakosur dhe që kanë pushtuar shtëpitë e shqiptarëve, është shumë e madhe. Pushtimi i varfërisë, në shtëpitë e shqiptarëve është i jashtëzakonshëm në të gjithë Shqipërinë dhe e vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur një pushtimi kaq të madh që është varfëria, është vetëm reagimi pa kompromis ndaj kësaj klike që ka varfëruar shqiptarët çdo orë, çdo minutë e çdo sekondë. Dhe sot në këtë moment pandemie që i mbyll shqiptarët nëpër shtëpia, në këtë moment krize, që e gjithë bota ka hallet e veta dhe është në një kolaps ekonomik, psikologjik dhe politik, ky zotëria gjen rastin dhe çon letrat nëpër dyert e institucioneve. Pse e bën këtë? Mos kujtoni se e bën këtë për Teatrin. Jo, e bën këtë për të larguar vëmendjen nga varfëria. Provokon një grup njerëzish për të larguar opinionin publik nga varfëria, sepse e di që gjunjët e shqiptarëve sot dridhen nga të pangrënët. Ka familje të tëra që nuk kanë bukë të hanë në tryezat e tyre.