Shqipëria nis eksportin e hashashit,1.2 tonë zbarkojnë në Greqi

78

Në ditën që në Tiranë Kryeministri dhe ambasadorët e huaj zhvillonin konferencën kundër krimit dhe trafiqeve të drogës, policia greke deklaroi kapjen në brigjet e Pelopenezit të gomones me 1.2 ton hashash të nisur nga brigjet shqiptare. Pse nuk u njoftua policia shqiptare, viti elektoral dhe milionat e drogës që priten të shkojnë për blerjen e votave.

Dje policia greke kapi një gomone me 1,1 ton hashash në Tainaro pranë Peloponezit. Nuk është rastësi, që në vitin elektoral të zgjedhjeve parlamentare, në Shqipëri shtohet masivisht kultivimi i hashashit. 1200 kg kanabis u sekuestruan në një zonë pranë Gjithios në Peloponez. Sipas informacioneve të para, ngarkesa ka mbërritur me skaf nga Shqipëria dy ditë më parë dhe ishte shkarkuar në një zonë të izoluar në afërsi të Gjithios. Policia thotë se kishte informacion për mbërritjen e lëndës narkotike e ndaj dhe strukturat e posaçme të saj ndodheshin në alarm. Deri tani janë 2 të arrestuar, ata janë gjetur mbi motoskafin që transportohej droga. Fakti që policia greke kishte informacion se nga Shqipëria do të vinte gomonia me 1,1 ton hashash, do të thotë se policia greke nuk njoftoi Policinë Shqiptare, nga frika e dekospirimit, siç ndodhi në raste të tjera, që dëshmon se segmente të Policisë së Shtetit bashkëpunojnë me trafikantët ndërkombëtarë të drogës.
Vrasjet e hashashit
Në Malësinë e Madhe para disa ditësh u zbardh vrasja e dy të rinjve, në parcelat e hashashit. Policia e Shtetit, vetëm pas kësaj ngjarjeje, “zbuloi” edhe 50 parcela me hashash. Gazetari investigativ Artan Hoxha , publikon një video nga parcelat e hashashit, të cilat Policia e Shtetit nuk i gjen dot. Në Elbasan, këtë vit janë bërë disa varsje të bujshme, që të gjitha kanë motivin e larjes së hesapeve midis grupeve për shkak të prishjes së pazareve të trafikimin ndërkombëtar të drogës.
Kultivim i hashashit nën kujdestarinë e Policisë
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në mesvitin e 2020-s, deklaronte se këtë vit nuk ka asnjë rrënjë hashash të kultivuar. Ngjarjet e vrasjeve për hashashin, kapjet e tonelatave të hashashit nga Italia dhe Greqia, përgënjeshtrojnë ministrin e Brendshëm. Është e qartë se tonelatat e hashashit që kapen në detet me Italinë dhe Greqinë, kultivohen dhe thahen, nën kujdestarinë e segmenteve të Policisë së Shtetit, pasi bosët e vërtetë të trafikimit të hashashit nuk janë fshatarët e gjorë, por kryebanditë të lidhur dhe që bashkëpunojnë me zyrtarë të lartë të shtetit. Përfitimi është reciprok. Kryebanditët garantojnë miliona euro përfitime, të cilat i ndajnë me zyrtarët e lartë, ku një shumë e majme e qindra milionë euro që përfitohen nga trafiku i drogës, paskëtaj, përdoren edhe për blerjen e votave, për të kërcënuar elektoratin, në zgjedhjet parlamentare, siç ndodhën edhe në 2015, 2016, 2017, të evidentuara dhe të provuara edhe në autopërgjimet e Prokurorisë shqiptare të dosjeve 339 dhe 184.