Shqipëria në “listën gri” të Europës/ Meta: Hap prapa për vendin tonë!

117
Sigal

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mbledhur sot Kryesinë, në kuadër të aksionit politik, përpara zhvillimit të zgjedhjeve të 14 majit.

Në fjalën e tij, Meta renditi disa prej problematikave të vendit tonë, duke përmendur edhe përfshirjen e Shqipërisë në listën gri përsa i përket politikës fiskale.

Sipas ish-Presidentit, ky është një hap prapa për Shqipërinë në procesin e integrimit europian. Meta akuzoi kryeministrin Edi Rama se po synon ta kthejë vendin në një parajsë fiskale për oligarkët.

Meta: Falenderoj deputetët për angazhimin e jashtëzakonshëm. Jemi një forcë politike që ka paraqitur shumë nisma ligjore, për interes të qytetarëve, sipërmarrësve por edhe për zgjidhjen e krizës energjitike, për liberalizimin e prodhimit të energjisë fotovoltaike. Bëhet gjithçka nga banda e Rilindjes për të bllokuar përfshirjen e Partisë së Lirisë përsa i përket proceseve integruese të vendit. Partia e Lirisë, cenon interesat e Rilindjes e cila e ka problem integrimin europian të vendit.

Nuk është rastësi dhe hapi i fundit që ndërmorën europianët për të monitoruar Shqipërinë për regjimin fiskal, për shkak të hapave prapa që ka bërë Shqipëria. Kanë synim ta kthejnë Shqipërinë në një parajsë fiskale për vetë Edi Ramën, për oligarkët dhe ta kthejë në ferr për qytetarët.

Ndërkohë, sot është një ditë shumë e rëndësishme sepse është dita e Pavarësisë së Kosovës. Kemi qenë mbështetës e proceseve që sollën Pavarësinë e Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare. Fitoren e saj në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë. Në mënyrë të vazhdueshme, në këtë proces të forcimit të shtetit të Kosovës, që ka qenë nën kërcënimin e fqinjit të saj të pandreqshëm, por për fatkeq, shteti i Kosovës ka marrë goditje të herëpashershme nga kryeministri jonë. Ka vendosur interesat e tjetër kujt përpara interesave të Kosovës.

Jemi të lumtur që Kosova e feston këtë ditë të rëndësishme me arritje plot përmbajtje, të cilat kanë treguar se një shtet i ri me vullnet të fortë politik, mund të arrijë suksese shumë të rëndësishme. Kosova ka arritur shumë suksese të forta. Jo vetëm me një infrastrukturë model, por edhe shërbime cilësore, shumë më të lira se vendet e tjera të rajonit. Shohim një vëmendje më të madhe ndaj pedagogëve, mësuesve, mjekëve.

Shohim një kujdes të jashtëzakonshëm për shëndetin e qytetarëve edhe në kohë krize. Për fat të keq, shohim zhvillime negative këtu. Kjo e ka shpjegime. Kosova ka bërë hapa përpara demokracisë, për zgjedhjet politike dhe standardit të tyre. Kosova, falë llogaridhënies, në dy vitet e fundit ka një progres prej 20 vendesh në luftën kundër korrupsionit. Ne jemi të vendosur për të mbështetur Kosovën në të gjithë sfidat e saj deri në anëtarësimin e saj në NATO dhe BE.