Shqipëria, Jordania dhe Vatikani, panel diskutimi në Nju York

489
OKB, shpresë e madhe për njerëzimin
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) është organizata më e madhe në botë, e cila ka për qëllim ruajtjen e sigurisë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe barazinë sociale. Ajo u themelua pas Luftës së Dytë Botërore, në 24 tetor 1945 me iniciativën e shteteve fituese (SHBA, Kina, Anglia, Bashkimi Sovjetik dhe Franca), me qëllim kryesor forcimin e bashkëpunimit midis shteteve të botës, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e paqes në botë. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, OKB luajti rol të madh në uljen e tensioneve në një botë të polarizuar. Pas rënies së Murit të Berlinit, OKB ka mundur të ruajë autoritetin e vet, pavarësisht ndryshimeve të mëdha në rendin botëror. Vendet anëtare të OKB-së pajtohen me mendimin se bota e sotme moderne po bëhet gjithnjë e më të globalizuar dhe ka nevojë për një organizatë ndërkombëtare të aftë për të vepruar globalisht dhe në mënyrë efektive për zgjidhjen e konflikteve globale. Sot OKB është e përfshirë në një sërë nismash dhe aktivitetesh të cilat adresojnë dhe synojnë të zgjidhin çështjet globale me rëndësi të madhe për të ardhmen e njerëzimit. Pranimi i Shqipërisë në OKB më 14 dhjetor 1955 përbën një nga ngjarje të shënuara në historinë e vendit. Shqipëria mban misione të përhershme diplomatike pranë selisë të OKB-së në Nju Jork dhe Zyrave të saj në Gjenevë dhe në Vjenë. Gjatë aktivitetit të saj në OKB, Shqipëria u ka kushtuar rëndësi të veçantë çështjeve që lidhen me paqen, sigurinë, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, zbutjen e problemeve ekonomiko dhe sociale, etj. Vitet e fundit Shqipëria merr pjesë në operacionet paqeruajtëse të OKB-së duke kontribuar me trupa, vëzhguesit ushtarakë dhe policore si dhe duke kontribuar fondet në buxhetin e operacioneve të paqes. Shqipëria është zgjedhur anëtare e ECOSOC në vitet 2005-07 dhe 2013-15. Gjatë vitit 2013 Shqipëria dha ndihmesën e saj në ECOSOC edhe në cilësinë e Zëvendës Presidentit të Këshillit Ekonomik dhe Social. Shqipëria është pjesë e programit “Një OKB”, si vend pilot që po zbaton këtë reformë të OKB. Konferenca ndërkombëtare e “Delivering as One”, e mbajtur në Tiranë 27-29 qershor 2012 vlerësoi përvojën e Shqipërisë në këtë drejtim. Që prej janarit të 2011 Shqipëria është anëtare në Bordin Ekzekutiv të UN-HABITAT. Në prill 2011 ajo bën pjesë në bordin ekzekutiv të UNICEF për mandatin 2012 –2014, është zgjedhur në bordin ekzekutiv të UNEP për vitet 2012-15, është anëtar i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2013-15, ndërsa në 2014 u zgjodh Zëvendës Presidente e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s. Shqipëria ka mbajtur postin e Presidentit të Mbledhjes së 10-të të Shteteve Palë të Konventës së Otawas (Minat antipersonel) si dhe ka qënë anëtare e Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA-s), shtatori 2007 – shtator 2009. 
Sigal

John Kerry: Dita ndërkombëtare e demokracisë, moment reflektimi 

Ne ndalemi sot për të reflektuar dhe festuar mbi demokracinë dhe debatin e lirë dhe të hapur qe ajo përfshin. Ne festojmë demokracinë jo për shkak se ajo është e lehtë apo e përkryer, sepse ajo nuk është asnjëra nga këto gjëra. Ne festojmë demokracinë për shkak se ajo është e rrënjosur në vullnetin e popullit dhe, si e tillë, bën një punë më të mirë se çdo formë tjetër e qeverisjes në respektimin e të drejtave të individëve, zgjidhjen e problemeve në mënyrë paqësore, dhe ndërtimin e qëndrueshem te prosperitetit. Vetëm demokracia lejon një vend të përfitojë nga energjia e plotë dhe talenti i qytetarëve të saj, dhe nga progresi dhe inovacioni qe rrjedha e pafrenuar e ideve mund të krijojë. Kjo është arsyeja pse njerëzit e zakonshëm kudo janë duke punuar për të bërë këtë parim themelor një realitet. Vitin e kaluar, ne pamë tranzicione paqësore demokratike në Sri Lanka dhe Nigeri. Ne pamë një derdhje të mbështetjes popullore për kufizimin e mandateve kushtetuese në Afrikë dhe guximin e aktivistëve në mbarë botën të cilët kërkojnë nga qeveritë që të jenë të përgjegjshme, gjithëpërfshirëse, transparente dhe te ndershme. Ka disa ide më të fuqishme – më të mbushura me aspiratën universale – se demokracia. Por demokracia nuk ka qenë kurrë një fakt automatik – një e drejte e lindur si një pilot automatik. Kjo është një mundësi që duhet të rinovohet dhe të rigjallërohet nga çdo brez. Kjo është arsyeja pse SHBA do të vazhdojë të ngrihet dhe të flasi kur qeveritë autoritare godisin shoqërinë civile, burgosin reformatorë paqësore, heshtin kundër të drejtave legjitime ose miratojnë legjislacion që shkel liritë e bashkëpunimit, të folurit dhe të shtypit. Tema e OKB-së këtë vit “Hapësirë për Shoqërinë Civile” është një përkujtues i fuqishëm se një shoqëri civile e fortë dhe e pavarur është një pikë e rëndësishme fillestare për një shtet të fortë dhe të pavarur. Ndërsa ne përpiqemi në vendin tonë për një bashkim më të përsosur, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me aktivistët në vijën e frontit dhe të njerëzve të zakonshëm në mbarë botën për të përmbushur sfidat e përbashkëta, për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta dhe për të mbrojtur lirinë dhe drejtësinë për të gjithë.

(Përshëndetja e Sekretarit Amerikan të Shtetit me rastin e ditës Ndërkombëtare të Demokracisë)