Shpenzimet në fushatë dhe monitorimi i partive, KQZ kërkon fonde shtesë nga qeveria

508
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar sot qeverisë fonde shtesë për të realizuar monitorimet e partive gjatë fushatës së zgjedhjeve. Mbikqyrja e mënyrës se si përdoren fondet në fushatë kërkon më tepër burimeve njerëzore dhe për këtë KQZ i kërkoi sot publikisht qeverisë, nëpërmjet zëdhënëses Drilona Hoxhaj që të japë fonde të tjera.

“KQZ i ka kërkuar Ministrisë së Financave fond shtesë për të implementuar ndryshimet e fundit ligjore për të bërë të mundur monitorimin e fushatës, për zgjedhjet e datës 25qershor 2017.

Ndërkohë, pas shpalljes publike të KQZ-së në media, deri tani kanë shprehur vullnetin e tyre 24 auditë teknicien. Menjëherë sapo Ministria e Financave të akordojë fondin e kërkuar, KQZ do të emërojë auditët kontabël, të cilët do të fillojnë kontrollin dhe monitorimin e fushatës zgjedhore të partive politike.

Theksojmë se, zbatimi i ligjit 90/2017, “Për partitë politike”, është detyrim jo vetëm për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve por edhe për partitë politike, të cilat duhet të tregojnë vullnet në zbatimin korrekt të ligjit dhe të akteve të KQZ-së në fuqi”, deklaroi në konferencën për shtyp Hoxhaj.

Kuvendi i Shqipërisë në datë 22 maj 2017, miratoi ligjin nr. 90/2017, i cili ndryshoi ligjin për partitë politike dhe ngarkoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me përgjegjësi dhe detyra shtesë, për sa i përket financimit të partive politike dhe monitorimit të shpenzimeve të tyre gjatë fushatës zgjedhore. Në kuadër të këtyre ndryshimeve ligjore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një kohë rekord, nxori të gjithë aktet nënligjore të cilat do të mundësojnë zbatimin e ligjit për monitorimin e fushatës zgjedhore.
Sigal