Shkarkimi i Metës, Lefter Maliqi del kundër PS: Veproi si burrë shteti, unë s’firmos për largimin e tij!

452
Sigal

Deputeti i ardhur nga listat e Partisë Demokratike në Parlament, Lefter Maliqi është shprehur se nuk do të votojë nismën e PS për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Maliqi, thotë se Meta me aktin e tij veproi si burrë shteti dhe evitoi përplasjen civile.
Në Komisionin e Ligjeve, mësohet se është shprehur:

“Meta veproi mbi palët, do mbahet mend për veprimin si burrë shteti. Nuk do e votoj shkarkimin e Presidentit. Presidenti shmangu konfliktin dhe përplasjen civile.”-ka thënë Maliqi.

Ndërkohë që këtij akti, ai i ka mëshuar edhe në reagimin e tij në rrjetet sociale.

Postimi i plotë:

Veprim dinjitoz prej pushtetari, largpamësi, mbi palët, në shërbim të interesave të vendit dhe të ardhmes Europiane. Vendimi i Presidentit shmangu përplasjen e mundshme civile dhe kthimin e vendit në diktaturë, pasi pasojat do ishin shumë të rënda më 30 Qershor deri dhe në viktima.

Demokracia do ishte në rrezik, vota e lirë në rrezik dhe e ardhmja Europiane në rrezik. Presidenti uli tensionet tregoj veten që eshtë mbi palët, tregoj veten që eshte student i Dhjetorit 90 me vizion Perëndimor.

Veprimi i tij do ngelet në histori, pasi shmangu gjakderdhjen që mund të ndodhte më 30 Qershor dhe shmangu instalimin e Diktaturës. Rama të ruaj qetësinë ti thërras arsyes. Basha të ul tonet dhe të shkoj drejt dialogut dhe zgjedhjeve të parakohshme me standarte Europiane dhe ndryshim sistemi elektoral. Sot fitoj Demokracia, fitoj Shqiperia, fitoj e ardhmja Europiane.

Presidenti Ilir Meta shpjegoi sot arsyet pse anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. Në një deklaratë për mediat, Meta tha se kreu i shtetit nuk mund të lejonte zgjedhje farsë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës.

Ky vendim i Metës u mor ditën e shtunë pak para nisjes së protestës së opozitës për të sjellë ndryshimin e kursit të situatës politike në vend.

Opozita e përshëndeti këtë vendim, ndërkohë që PS ka nisur zyrtarisht procedurat për të shkarkuar Metën përmes një rezolute.