Shkarkimi i Metës/ Berisha kundër: S’mund të përdoret Kushtetuesja si hanxhar. Ja rasti i presidentit kroat

161
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha e quan të pavend shkarkimin e presidentit Ilir Meta, nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favor të Kuvendit. 

Sipas Berishës është e pa pranueshme që të përdoret Gjykata Kushtetuese si një hanxhar për të prerë fjalën e lirë.

Lideri historik i PD tha se procesi ndaj Metës ka nisur për një deklaratë, ndërsa solli rastin e presidentit kroat.

“Dua të shprehem për procesin dhe është histori politike e turpshme. Evokim i nenit 55 të Kohës së Diktaturës. Kurrë GJK një akt të një parlamenti militantë nën diktatin e një njeriut që kërkon pushtet absolut, nuk duhet ta merrte në shqyrtim. Të ndërmarrësh akt për Presidentin, shkarkimin, siç bëri parlamenti i shkuar, vetëm parlament nuk ishte. Po lexoja që Presidenti i Kroacisë do tërheq çdo ushtar edhe pse nuk kishte në Ukrainë. Ndërsa kryeministri thotë se mendova se po fliste ndonjë gjeneral rus. Por nuk mendojnë se për fjalën të marrë nismën e shkarkimit”, u shpreh Berisha në Log, në ABC.

“Që gjykata të vendos duhen 5 vota. Një gjykatës që voton për deklarata publike, nuk e meriton atë vend. Le të thonë një mijë herë. Por për deklarata që janë bërë kjo shkon drejt ligjit të propagandës. Dhe nuk shkarkohet Presidenti nga kjo. Të përdorësh si hanxhar GJK për fjalën e lirë”, tha Berisha.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e ka shtyrë për të hënën në orën 10:00 seancën e radhës ku pritet edhe të japë vendimin për shkarkimin ose jo të Presidentit Meta pas kërkesës nga Kuvendi.

Vendimi erdhi pas kërkesës për 48 orë kohë të përfaqësuesve të institucionit të Presidencës, të cilat theksuan se do ta shfrytëzonin pas t’i dhënë përgjigje 70 pyetjeve të parashtruara nga Kuvendi.