Klubi italian refuzon ofertat për Kastriot Dermakun

206
Sigal

Kastriot Dermaku shpreson të kthehet shpejt në Serinë A dhe me një rol protagonisti me fanellën e Leçes.

Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare e provoi shijen e elitës së futbollit italian me Parmën, por për një periudhë të shkurtër dhe u kthye në B te një klub i cili është kandidati kryesor për kthimin në elitë në edicionin e ardhshëm.

Një kthim për të cilin ai ka refuzuar oferta të rëndësishme, siç ka treguar drejtori sportiv i Leçes, Pantaleo Korvino, para mediave.

“Kemi pasur kërkesa të rëndësishme edhe për Dermakun e Helgason. Ishim të qartë me ta dhe në fakt asnjëri nuk kishte pretendime se nuk ishin plotësuar kërkesat e tyre.

Në këtë moment dhe me këtë klasifikim, nuk deshëm të hiqnim disa elementë të rëndësishëm nga grupi. Të gjithë ishin dakord, duke treguar se kemi zgjedhur njerëz para futbollistëve”, tha Korvino në një konferencë për shtyp ku bëri bilancin e merkatos së Leçes, e cila kryeson Serinë B dhe shihet nga të gjithë si një ekip i cili është gati për skenën e Serisë A.