Shezai Rrokaj: Qeveria t’i plotësojë kërkesat e studentëve siç janë. Të ndërpritet baltosja en bloc e profesoratit

587
Sigal

Intervista e Deputetit të LSI-së, Shezai Rrokaj për emisionin “Intervista e Mbrëmjes në Channel One

Protesta e Studentëve ka rinisur pas festave të fundvitit. Si e shihni aktualisht këtë protestë?

Mesazhi u dha. Shpeshherë njerëzit komentojnë, jo janë më shumë, janë më pak, po e shikojnë në pikëpamje numerike. Mesazhi u dha nga studentët. Këta janë studentë të Republikës së Shqipërisë, janë studentë të familjeve shqiptare. Mesazhi i vetëm që duhet të kuptojmë prej tyre është pse ne nuk po veprojmë, si gjithë vendet e tjera, për ti dhënë arsimit atë që të gjitha vendet, proporcionalisht me investimet kombëtare japin. Dhe ky mesazh do të thotë që qeveria aktuale në vend që të subvencionojë për arsimin 3.2, sa mund ti bjerë këtë vit dhe po gati e njëjta gjë është parashikuar dhe për 2020, të ndryshojë menjëherë duke e kaluar buxhetin në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 0.5 që ka Arsimi i Lartë në këtë 3 % të përgjithshëm në 1% shpresoj për këtë vit dhe në 1.5% të GDP për 2020.  Përgjysmimi i tarifave duhet bërë jo vetëm për Bachelorin por edhe për Masterin. Sepse tarifat e Masterit janë shumë të larta dhe të papërballueshme për familjet shqiptare. Ne i kemi thënë këto gjëra. Kryeministri nuk ka dhënë përgjigje për atë që duan studentët. Kryeministri thotë që nuk subvencionohet masteri nga shteti. Dhe thotë që nuk ka model në Europë. Nuk është e vërtetë që nuk ka model. Kush të merr në punë pa master sot. Është pjesë integrale e shkollimit. Janë vërtetë 3+2 , por në thelb pa bërë 5 vite shkollimi, nuk të merr njeri në punë. Ku do të shkojë kjo pjesë e Bachelorit në qoftë se nuk do të vazhdonin masterin. Por qeveria thotë që unë nuk  marr përsipër subvencionimin e masterit. Studentët kërkojnë përgjysmimin e kësaj tarife. Nga 1 milionë e gjysmë të jetë 750 mijë. Kështu që përgjigje studentëve nuk po u jep. Sepse studentët që janë nga nota 5 deri në notën 6, u subvencionohet për këtë vit por nuk u subvencionohet tarifa e shkollimit për vitin që vjen.  Këtu nuk është problemi për të subvencionuar apo për të mbështetur thjesht dhe vetëm ekselencën.  Le ta bëjë politikën për ekselentët, jam plotësisht dakord dhe duhet madje Universiteti duhet të bëjë, janë hedhur disa ide dhe në kohën që isha unë por ajo që ka rëndësi është tu përgjigjemi studentëve me atë që është thelbësore. Përgjysmim i tarifës për të gjitha kategoritë.

Çfarë do të bëhet me Kartën e Studentit. Nuk kuptohet. Jemi vënë në lëvizje me një kompani franceze por ça do të thotë kjo. Asgjë. Sepse ajo  që duan studentët është çfarë përfitojnë ata nëpërmjet kartës së studentit në Republikën e Shqipërisë. Në pikëpamjen e shëndetit, në pikëpamje të shkollimit, të ,muzeve, kinemave, biletave të autobusit e kështu me radhë. Dhe për këtë qeveria duhet të jetë shumë e qartë dhe të shprehet me ligj.

Kërkesat e studentëve janë të drejta të panegociueshme, që do të thotë që janë kërkesa bazë. Qeveria duhet të jetë e qartë e prerë dhe ti plotësojë kërkesat ashtu siç studentët i kanë kërkuar dhe ashtu siç u përpoqa ti shpjegoj një pjesë të tyre që janë më të rëndësishme.

Me përfundimin e protestës së studentëve, do të nisë një aksion opozitar?

Opozita që në momentin që humbet pushtetin, detyra e saj është që të ndërshkojë keqqeverisjen. Opozita ka nevojë sot për një aksion opozitar në vijim në mbështetje të të gjitha kategorive sociale, jo me atë mendësinë e deritanishme të opozitës që mbledh militantët, i paguan me lekë, i sjell me lekë të protestojnë.

Ka përfunduar ky lloj opozitarizmi dhe të paktën opozita këtë radhë po kupton që detyra e saj në radhë të parë është të dënojë keqqeverisjen, të mbështesë të gjitha kategoritë sociale që ndëshkohen nga keqqeverisja dhe të tregojë cila është rruga që duhet të ndjekë një qeverisje në të mirë të qytetarëve. Mbi të gjitha është shumë e nevojshme që qytetarët të shikojnë se me cilin ekip duhet të jenë që të marrë në dorë qeverisjen e re, dhe kjo është shumë e rëndësishme për ta për të mos përsëritur edhe njëherë të njëjtën histori që i bëjnë shqiptarët të lëngojnë dhe të pashpresë në vendin e tyre. Opozita po bën një hap cilësor më të bërit opozitë duke kaluar nga opozita me militantizëm në opozitarizmin që mbështet të gjitha kategoritë sociale që ndëshkohen nga keqqeverisja