Shërimi i dy mjekëve nga koronavirusi/ Presidenti Meta: Me rëndësi, forcimi i masave mbrojtëse ndaj tyre!

336
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka reaguar me gëzim për lajmin e shërimit të dy mjekëve shqiptarë nga koronavirusi, doktor Skënder Bratajt dhe Andi Koraqit.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta rithekson rëndësinë e forcimit të masave mbrojtëse ndaj mjekëve dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit të qytetarëve për t’ua lehtësuar punën sa të mundemi.

Postimi i plotë

Shërimi i Dr.Skënder Brataj dhe Dr.Andi Koraqi nga #COVID19 është një lajm i mirë dhe i gëzueshëm për të gjithë, sikundër është edhe shërimi i të gjithë mjekëve dhe infermierëve të cilët e kanë fituar betejën me këtë pandemi të rrezikshme!

Duke i falenduar të gjithë mjekët dhe personelin shëndetësor, që me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm po sakrifikojnë si askush tjetër për shëndetin e çdo qytetari në vijën e parë të frontit, ritheksoj rëndësinë e forcimit të masave mbrojtëse ndaj tyre dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit tonë për t’ua lehtësuar punën sa të mundemi.
#MjekëtJanëHeronj