“Shengeni Ballkanik, gabim i Ramës”, Moikom Zeqo flet për krizën politike: Pse do ketë zgjedhje në pranverë

497
Sigal

Euriditi Moikom Zeqo është i shqetësuar për të ardhmen e vendit. Mungesa e qarkullimit juridik midis dy partive të mëdha është, sipas tij, një rast i paprecedentë në Europë, që po vendos në rrezik të ardhmen e vendit./ANILA DEDAJ

 

Për këtë, ai i shikon zgjedhjet e parakohshme si një domosdoshmëri, e parashikon se qoftë zgjedhjet vendore, ashtu edhe ato lokale, do të mbahen në muajin mars, falë ndërhyrjes së ndërkombëtarëve. Teksa analizon moshapjen e negociatave e refuzimin e Francës, të lidhur sipas tij me shkaqe historike e gjeopolitike, ai ndalet te takimi Rama-Vuçiç-Zaev për Mini Shengenin Ballkanik.

E quan të gabuar veprimin e Ramës, e veçanërisht qëndrimin kritik të tre krerëve përkatës të qeverive karshi Bashkimit Europian. “Një akt i tillë, jo vetëm që nuk e forcon perspektivën për në BE, por e minon atë”, thotë ai gjatë një prononcimi . Zeqo flet gjithashtu për dy qëndrimet e kundërta të Ramës dhe Zaevit pas refuzimit që ju bë dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për hapjen e negociatave. Sipas tij, fakti që Zaev mori përsipër përgjegjësitë, e bën atë një politikan vizionar, ndryshe nga Kryeministri ynë, që sipas filozofit, në pseudoargumentet që përdor, nuk merr parasysh të ardhmen e Shqipërisë.

Ndërkohë që dorëheqja e Ramës bëhet kryefjalë e fjalimeve të kreut të PD-së, Lulëzim Bashës, Zeqo e përjashton një fakt të tillë. Sipas tij, Rama nuk do të tërhiqet, por nëse për një arsye apo një tjetër ndodh largimi i tij, ai thekson se kreu i PS-së e njëherazi Kryeministër i vendit, nuk është i pazëvendësueshëm… Edhe pse ndryshimet ligjore (përfshirë ndërhyrjet e 2008-ës) e përqendrojnë pushtetin te kreu i partisë në pozitë, e siç euriditi thotë të qenit kryetar partie e njëherazi qeverie i limiton mundësitë për zëvendësimin e tij, ai pohon se kulti i ekskluzivitetit të pushtetit është një kult i gabuar, e në PS ka figura të denja për atë rol. Kritikë ndaj deputetëve, veçanërisht ndaj atyre të PS-së, për faktin se nuk kanë krijuar një profil të vetin autonom, Zeqo tregon se cilat duhet të jenë kriteret e domosdoshme që duhet të vendosen për përfaqësuesit e ardhshëm të popullit në Parlament.

Profesor, këto kohë është duke u diskutuar Reforma Elektorale, ndërkohë që konflikti politik midis dy partive të mëdha ndihet ende. Si e shikoni situatën?

Situata e sotme politike është shumë e ndërlikuar, aspak normale. Gjatë këtyre 30 viteve, ne nuk jemi gjendur në një situatë të ngjashme. Duhet ditur se politika është mbi të gjitha një qarkullim juridik, pra një mjedis ku ndodh komunikimi juridik midis partive, të cilat futen në procesin e zgjedhjeve që në fund të vendoset se cila do të jetë shumica qeverisëse, e cila pakica. Ndërprerja e këtij qarkullimi juridik te ne ka ndodhur në ’98-ën, kur ndodhi grushti i shtetit, e po ashtu tani në 2019- ën. Besoj se nuk ka asnjë shembull tjetër në Europë, ku mungon qarkullimi juridik midis forcave kryesore politike të një vendi. Përfaqësuesit e opozitës, veçanërisht Lul Basha, deri më sot nuk kanë shfaqur asnjë shenjë ku të shprehen të gatshëm të bëjnë një qarkullim juridik. Kanë pasur edhe fqinjët tanë si Greqia apo Maqedonia e Veriut probleme të mëdha politike, por nuk ka qenë i prerë deri në fund ai që quhet qarkullimi juridik. Po ashtu, nuk ka ndodhur asnjëherë që opozita të heqë dorë në mënyrë masive nga titujt juridikë të deputetëve.

Mendoni se kjo mungesë komunikimi apo qarkullimi juridik ka ndikuar te moshapja e negociatave?

Mund të ketë ndikuar, pasi një pjesë e diplomatëve që janë në vendin tonë raportojnë rreth asaj që ndodh në Shqipëri. Edhe pse rasti i negociatave është një çështje e një tjetër niveli politik. Këtu flitet për integrimin europian, e politikat janë të tjera, të cilat përfaqësohen nga shtete e figura të caktuara, të cilat punojnë për një politikë që të jetë ose pro integrimit, ose kundër. Meqenëse kryefjala quhet “Integrim”, duhet thënë se shtetet kryesore europiane qenë pro integrimit të Shqipërisë në BE. Ne duhet të fillonim negocimin për në BE, të paktën që në vitin 1996, e ky proces të zgjaste e shumta deri në vitin 2000. Për shtetet e tjera, të cilat nuk e kanë pasur këtë përqasje që kishim ne, procesi i negociatave ka zgjatur jo më shumë se 10 vjet. 29 vjet janë shumë…

Është diskutuar gjatë, a erdhi moshapja e negociatave prej çështjes së brendshme të Shqipërisë apo ka lidhje me politikat e Bashkimit Europian?

Shtetet kryesore europiane, në mënyrë të veçantë Gjermania ishin pro negociatave. Refuzimi prej Francës, nuk po flas për Holandën, Danimarkën dhe Spanjën, të cilat nuk kanë peshën e këtij shteti, mendoj se erdhi për shkak të protagonizmit të tepruar të Makronit. Presidenti francez e kupton fare mirë, që pas mbarimit të mandatit të Kancelares Merkel, mbetet figura kryesore në Europën e Bashkuar. Jo më kot në fjalimet e tij të fundit, ai shtjellon idenë e një Europe të Bashkuar ndryshe nga kjo që është deri më sot. Protagonizmi i tij, ideja për të qenë lider i BEsë për mua është i gabuar, sepse të gjithë liderët e vendeve europianë duhet të jenë komplementar. Nuk mund të jetë një njeri i vetëm që përcakton të ardhmen e BE-së.

Mendoni se “Jo”-ja e Macronit është e justifikuar? 

Në rastin konkret, refuzimi i Makronit është një “Jo”, e pa argumentuar. I dëgjova me vëmendje argumentet që ai renditi. Çështja e azilantëve nuk është ndonjë argument i madh. E njoh Francën mirë, e di që në rrugët e saj ka më shumë azilantë të vendeve të tjera sesa shqiptar. Ideja për azil nuk është një ide specifikisht shqiptare. Nga ana tjetër, as argumenti i islamofobisë nuk qëndron, sepse dihet se azilantët afrikanë, që zënë vendin kryesor në Francë, janë shumica myslimanë. Islamofobia në Shqipëri është një fenomen i sajuar, sepse Shqipëria vërtet që numerikisht ka shumicën e popullsisë myslimane, por ne nuk jemi ndonjë vend islamik i doktrinuar, përkundrazi jemi liberal. Madje, bashkëjetesa midis komuniteteve fetare në Shqipëri ka qenë shembullore. Dihet që paqen midis komuniteteve e vendos maxhoranca dhe myslimanët shqiptarë nuk kanë krijuar ndonjëherë probleme. Shqipëria gjatë gjithë jetës së saj shekullore, nuk ka asnjë dëshmi të ndonjë lufte fetare, ndërkohë që në Francë kanë ndodhur të tilla. Mjafton të përmendim “Natën e Shën Bartolomeut”, ku katolikët e protestantët u therën me njëri-tjetrin. Pra, refuzimi i Makronit ndodhi për shkak të mungesës së një perspektive historike. Kritikat që iu bënë Makronit lidhur me këtë çështje nga Kryeministri i Italisë, Cipras në Greqi etj., janë me vend.

A mund të ketë një perspektivë pas kësaj dhe për këtë, a duhet të ndryshojë edhe qëndrimi i palëve politike?

Në politikë nuk ka asgjë të pamundur. Edhe pse unë e quaj të padrejtë që Shqipërisë pas afro 30 vjetësh t’i refuzohet hapja e negociatave. Një padrejtësi e bërë jo ndaj klasës politike shqiptare, por ndaj popullit tonë. Është shumë e rëndësishme të theksoj se pavarësisht qëndrimeve ndërpolitike, e raporteve mes partive, ne duhet të kemi një vetëdije për faktin se jemi shqiptarë. Një vetëdije kombëtare. S’e kam kuptuar kurrë ngazëllimin e disa njerëzve për moshapjen e negociatave. Ky qëndrim më është dukur një paturpësi. Në vitin 1913, ne u copëtuam nga shtetet e Europës e diplomacia franceze ka qenë shumë negative ndaj Shqipërisë mbas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Ne sot jemi ende me kufijtë që u caktuan në Konferencën e Londrës, në ngjarjen që shënoi atë që sot quhet Shqipëria londineze. Kufij të ndarë në mënyrë të padrejtë, sepse më shumë se gjysma e tokave shqiptare, si në veri, ashtu edhe në jug, mbetën jashtë. Në këtë rast, është njësoj si unë të bëj me faj Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin për kufijtë, këta dy burra që vendosën Pavarësinë. A mund t’i fajësosh këta?! Nuk i fajëson dot. Pak a shumë në të njëjtën situatë jemi edhe sot. Në qoftë se Franca, në rastin konkret Makroni, dha një përgjigje refuzuese, nuk do të thotë që faji është i të gjithë shqiptarëve.

Si ndikon te Kosova moshapja e negociatave për Shqipërinë?

Sigurisht që refuzimi që iu bë Shqipërisë lidhet edhe me Kosovën. Është shteti më i ri në botë, që ende nuk është njohur nga të gjitha vendet. Kështu që, ndikon te çështja e njohjes. Kosova është shteti i dytë shqiptar, që së bashku me Shqipërinë përbëjnë faktorin e madh shqiptar në Ballkan e në Europë. Nëse nuk hapen negociatat për Shqipërinë, rrjedhimisht është dëmtuar një vend që ka ndikim të madh dhe është edhe zë për Kosovën. Nga ana tjetër, ky refuzim Shqipërisë iu bë edhe si pasojë e politikës tradicionale të Francës kundër shqiptarëve. Ka pasur një konkurrencë midis politikës gjermane, austro-hungareze dhe asaj sllave, për këtë arsye lindi edhe interesi për Shqipërinë. Në Janinë qe vetë konsulli hungarez Arn, që themeloi studimet shqiptare për albanologjinë. Kjo, sepse donte që një popull josllav të ishte si barrierë, si kundërvënie ndaj sllavëve, të cilët ishin në kontradiktë me Gjermaninë. Nga ana tjetër, Franca ka bërë të kundërtën, ka qenë gjithmonë me popujt sllavë, sepse i shikonte si aleatë edhe në konkurrencën apo kontradiktat që kishte me Gjermaninë. Kjo politikë gjeopolitike, që është gati 2-shekullore, i shfaq reflekset e saj edhe sot. Prandaj, “jo”-ja e Macronit ndihmon më shumë serbët, në aspektin e mungesës së përkrahjes së Shqipërisë dhe të Kosovës dhe krijon një ngërç të madh në Ballkan. Për këtë arsye, politika e BE-së, sidomos për integrimin e Ballkanit në BE, duhet të jetë më e hapur dhe më tolerante.

Ju thatë se ka rëndësi politika shqiptare, pasi ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e Kosovës, ç’mendoni për takimin Rama-Vuçiç-Zaev për mini-Shengenin Ballkanik?

Shengeni Ballkanik është një term përgjithësues, çka do të thotë se në Ballkan ka shumë shtete. Është Greqia, Rumania, Mali i Zi etj., pra si mund të flitet për Shengen Ballkanik me tri shtete, po të tjerat? Për mua ka qenë e gabuar nga ana e Kryeministrit Rama që mori pjesë me dy shtete, njëri prej të cilëve (Serbia) nuk është anëtar i NATO-s, ndërsa Maqedonia e Veriut është një shtet i përbërë nga dy etni: shqiptarët dhe maqedonasit. Ku është Mali i Zi, vend anëtar i NATO-s? Normalisht që dy apo tri shtetet anëtare të NATO-s, siç është edhe Greqia, mund të ishin një argument më shumë për këtë nismë. Por kjo nismë, e mbajtur në mënyrë të tillë, duket si një tendencë sovraniste… Tendenca të tilla janë përhapur shumë së fundmi në Europë. Tipike është rasti i Kryeministrit të Hungarisë, i cili kërkon një sovranitet më të madh sesa koncepti komplementar, që kemi në Europën e Bashkuar. Përpos këtyre, në të ashtuquajturin takim për “Shengenin Ballkanik” u mbajt një qëndrim kritik ndaj BE-së, ku kjo organizatë u sha nga Rama, Zaevi dhe Vuçiçi. Një qëndrim i tillë krijon një kontradiktë të panevojshme, që jo vetëm nuk e forcon perspektivën për në BE, por e minon atë.

Nga ana tjetër, pas refuzimit për hapjen e negociatave të Maqedonisë se Veriut dhe Shqipërisë, kemi dy qëndrime jo të ngjashme të krerëve të qeverive përkatëse. Zaevi merr përgjegjësinë mbi vete, ndërsa Rama e shkarkon atë te “problemet e brendshme” të Unionit Europian…

Kjo na nxjerr te situata që politika është qarkullim juridik. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka hedhje mandatesh. Aty janë si opozita, si shumica e qeverisë. Për mua, gjesti i Zaevit është një gjest prej politikani të vërtetë. Kurse Rama, në të gjitha pseudoargumentimet që dha, duke theksuar se nuk jep dorëheqjen apo të bëjë zgjedhje të parakohshme, tregoi se nuk mendon si politikan vizionar, nuk mendon se ç’do të bëhet me të ardhmen e Shqipërisë. E ardhmja e Shqipërisë varet shumë nga rregullimi i këtij qarkullimi juridik e që kjo të bëhet funksionale në Shqipëri, duhet të ketë zgjedhje të parakohshme. Zgjedhje, të cilat duhet të jenë të dyfishta, si vendore ashtu edhe lokale. Kjo është e domosdoshme, pasi zgjedhjet lokale te ne qenë moniste, jopluraliste. Unë besoj se zgjedhjet e parakohshme te ne do të mbahen rreth muajit mars, kjo do të vijë si produkt i ndërhyrjes së ndërkombëtarëve. Ashtu siç ndërhynë në vitet ’97-1998 për situatën konfliktuale që u bë në Shqipëri, mendoj se do të shtrijë ndikimin e saj për zgjedhje të parakohshme. Kjo, edhe sepse pa zgjedhje nuk mund të ekzistojë as një e ardhme për Shqipërinë.

Ndërkohë që po flasim për zgjedhje, ndoshta jemi të ndërgjegjshëm edhe për një mungesë zgjedhjeje, pasi aktualisht sot kemi në Parlament figura pa një background, figura anonime, deri edhe analfabete… Si e shikoni këtë fakt?

Kjo ka ardhur si pasojë e ndryshimeve të kobshme të vitit 2008, si pasojë e listave ku kryetarët e partisë kanë të drejtën prej monarku të zgjedhin emrat. Po përgjegjësia më e madhe është e Partisë Socialiste, sepse ndërsa kishte mundësi të vendoste personalitete, ka vendosur njerëz anonimë që bëjnë të fortin e që janë idiotë nga pikëpamja kulturore. Asnjëri nga këta deputetë nuk është profilizuar në media, sepse s’ka folur, s’di se çfarë të thotë. Edhe shpikja e një gjoja opozite parlamentare nga listat, nuk është e drejtë nga pikëpamja logjike. Madje, është po aq e gabuar sa edhe heqja dorë në mënyrë masive nga titujt juridikë të deputetit që bëri opozita. Unë mendoj që kjo situatë e rëndë do t’i dëmtojë shumë partitë që bënë këtë gjest dhe jam i bindur që po nuk u ndërhy te ndryshimet e 2008-ës, vështirë se situata vizionare, nga asnjë nga këta politikanë për 30 vjet. Kanë qenë ligjërime politike të thashethemeve, të grindjeve provinciale. Politika shqiptare është provinciale në thelb, nuk ka vizion. Vizioni është kur flet në emër të kombit, të progresit europian e të njerëzimit, asnjëri nga këta deputetë nuk flet me këtë vizion. Së dyti, është e rëndësishme të theksoj se këta krerë partish nuk kanë arritur të krijojnë një konstelacion figurash në politikë që të kenë një lloj autoriteti, përkundrazi, ata janë të gjithë të klonuar. Janë ‘zombie’ të politikës. Por jo vetëm kaq, mua më habit fakti se si në administratën shtetërore nuk ka asnjë personalitet. Është skandaloze. Pa dyshim që mund të ketë më shumë femra se më parë, por mbi të gjitha është e rëndësishme të ketë personalitete femra. Kështu që, situata në të cilën gjendemi është shumë e vështirë të ndryshojë. Kjo kërkon një proces shumë të gjatë katarsisi.

Ndërkohë që jemi pothuajse në gjendje pritjeje, këta deputetë, shumica prej të cilëve siç ju thoni janë diletantë në politikë, kanë një kosto afatgjatë mbi taksapaguesit shqiptarë….

Unë mendoj se shqiptarët duhen parë si komb, jo si pjesë të ndara. Nëse flasim në këtë kontekst, shqiptarët e Kosovës kanë treguar nivel të lartë të moralit dy herë: një herë në vitin 1999 ku shumë djem edhe vajza braktisën punët dhe u bashkuan në UÇK për të luftuar. Shumë prej tyre edhe u vranë për lirinë e Kosovës. Kjo tregon nivel shumë të lartë moral. Së dyti, është hera e parë që për 20 vite, një forcë politike me djem dhe vajza të reja të pakompromentuar, por me vizion, arritën të fitojnë zgjedhjet. Kjo tregon se me moral mund të fitohen dhe zgjedhjet dhe pa moral mund të humbasësh. Nuk mund të bëhet Parlamenti me njerëz pa moral, por mund të bëhet një shtet me njerëz me moral. Fitorja e Albin Kurtit, që sipas meje është politikani më i ditur dhe më i pakorruptueshëm shqiptar, është një shenjë e mirë sepse në fund të fundit, edhe ai është shqiptar e ka ndikimin e vet edhe në Shqipëri dhe mund të jetë një referencë për ndryshime pozitive që njerëzit të besojnë se edhe te njerëzit me moral arrihet diçka… Unë nuk jam fatalist, unë mendoj që, qoftë edhe 5 veta, 5 ministra të zotë e të ndershëm mund ta ndryshojnë Shqipërinë.

A i kemi ne këta 5 veta që ju thoni? 

Unë mendoj se populli i ka 5 veta. Jam krejtësisht skeptik për tërë klasën politike, por s’jam pesimist në atë që në të ardhmen mund të ndryshojë diçka. A nuk ishte e korruptuar edhe klasa politike në Kosovë, si ka mundësi që pas 20 vitesh fiton një parti, e cila nuk është e korruptuar?

Konkretisht, nëse ndodh që Rama për një arsye apo për një tjetër të japë dorëheqjen/të largohet nga pushteti, a ka brenda PS-së anëtarë që mund ta zëvendësojnë?

Pikësëpari, Rama s’ka për ta dhënë dorëheqjen dhe për këtë jam absolutisht i sigurt, por le ta marrim në formë hipotetike, nëse ndodh. Nëse diçka e tillë do të ndodhte (çka unë se besoj aspak), të jeni të bindur se figura për të luajtur rolin e Kryeministrit ka mjaftueshëm brenda Partisë Socialiste, jo nga deputetët aktualë, por nga elektorati. Për sa u përket deputetëve, nuk besoj te asnjëri. Edhe ata, që herë pas here shfaqen si kundërshtarë të Ramës, nuk kanë ndonjë perspektivë, sepse kanë limitet e tyre. Për shembull, janë 2-3 kandidatura si Bushati apo Xhafaj, por mundësitë e tyre janë të limituara sepse pjesa më e madhe e forumeve të PS-së është caktuar nga vetë Rama. Edhe pse unë s’kam besim tek asnjë nga deputetët e Partisë Socialiste, nuk duhet të harrojmë se kjo parti ka një elektorat gjigant, ku ka shumë njerëz që mund të luanin rolin e Kryeministrit. Njerëz me integritet e kulturë. Mirëpo, po flasim në mënyrë hipotetike, pasi unë jam i bindur se s’do të ketë vakum, nuk ekziston një formulë e tillë. Duhet kuptuar se nuk ka asnjeri të pazëvendësueshëm, kulti i moszëvendësimit, i ekskluzivitetit është një kult i gabuar. Kulti se kemi këtë Kryeministër e s’mund të kemi një tjetër, është i pakuptimtë. Pa dyshim që Rama është i zëvendësueshëm, të gjithë ne jemi të tillë. Por e gjitha kjo është hipotetike, se ai nuk do ta japë dorëheqjen. Unë siç thashë, mendoj se në muajin mars do të bëhen zgjedhje të parakohshme, në të cilat ai do të hyjë si kryetar partie. Sepse ne jemi në një situatë të tillë ligjore, ku të jesh Kryeministër duhet të jesh kryetar partie. Diçka e tillë nuk është e drejtë. Në Statutin e Partisë, në kohën e Nanos, edhe pse ai ishte kryetar i PS-së, Kryeministër bëri Metën dhe Majkon. Mirëpo, në ndryshimin e Statutit i kanë rregulluar punët në mënyrë të tillë që, kryetari i partisë të bëhet edhe Kryeministër. I kanë limituar kështu mundësitë, ndaj ai s’ka për ta dhënë dorëheqjen.

Pas “shfaqjeve” të fundit nga deputetët e përkohshëm të Parlamentit, mendoni se duhen vendosur disa kritere bazike për përfaqësuesit e popullit? 

Patjetër, jo vetëm kriteret morale që janë kryesore, por edhe kriteret e diturisë, të vetëdijes humane. Përpos këtyre, është shumë e rëndësishme që këta deputetë të kenë edhe njohuri bazike juridike. Pasi ata janë personat që vendosin ligjet e këtij vendi. Si mund të bëhesh ligjvënës nëse nuk ke asnjë përvojë bazike juridike?! Pra, duhet të jenë figura përfaqësuese, me kontribut në fushat përkatëse, juristë, ekonomistë etj., individë që të kenë një vizion që mund të përgjithësohet në Parlament përmes votimit të ligjeve.

Deputetë analfabetë, të tjerë që nuk respektojnë kodin e sjelljes (të veshjes), që kanë një prezantim në publik shpesh edhe vulgar… A duhet të ishin marrë masa ndaj tyre?

Kush do të marrë masa? Ky është një Parlament skandaloz. Po mund të ketë dhe të tjerë që mund të vishen me kollare, po janë po aq keq. Konceptualisht, deputetët e Parlamentit të Shqipërisë janë të prapambetur. Ajo që më tmerron është se kjo prapambetje reflektohet edhe te deputetët e PS-së. Si ka mundësi që ndër deputetët e PS-së, ku ka edhe disa individë të shkolluar, të mos ketë profile autonome. Deputetë që shfaqin haptazi idetë, kundërshtitë e tyre. Është për të ardhur keq që janë të gjithë kaq të bindur dhe të klonuar. A do të jetë Parlamenti që do vijë më i mirë? Vështirë të thuhet, pasja e një Parlamenti adekuat është një proces që kërkon kohë…