Korrupsioni dhe SPAK/ Deputetët në panik, përgatitin ligj për të rikthyer imunitetin e tyre nga arrestimet dhe hetimet. Kush e ka radhën?

522
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Nuk kanë të sosur skandalet e korrupsionit të qeverisë së Rilindjes Socialiste. Dje “Zëri i Amerikës” publikoi dokumente dhe video ku u zbardhën fakte të lidhjeve të eksponentëve të Partisë Socialiste me njerëzit e botës së krimit, bashkëpunimin e tyre në fushatat zgjedhore për blerjen e votës dhe paskëtaj, shpërblimi është dhënia e tenderëve publike pa transparencë. Institucionet ndërkombëtare financiare, sikurse FMN-ja ditët e fundit ka publikuar raporte ku thekson se koncesionet në Shqipëri janë dhënë me mungesë transparence, kanë faturë shumë të fryrë dhe ato kanë rritur shumë borxhin publik. Qeveria, e detyruar nga zbardhja e fakteve të pakundërshtueshme të korrupsionit, sidomos në dhënien e koncesioneve, u detyrua që të anullojë (përkohësisht?) koncesione të ndërtimit të rrugëve, ku kostoja e të cilëve është më e shtrenjta në Evropë, etj.

Deputetë të trembur, strehohen tek ligji për të mos u hetuar

Ngritja e SPAK dhe e Byrosë Kombëtare të Hetimeve ka frikësuar shumë ministrat dhe deputetë, të cilët kanë lidhje me mënyra të drejtpërdrejta apo të tërthorta me korrupsionin, sepse, sado që do të mundohen të ndikojnë, askush nuk mund t’u garantojë imunitetin se ligji nuk do t’i prekë. Prandaj, mazhoranca ka sjellë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve një projektligj, ku i kërkohet prokurorisë, që nuk mund të arrestojë dot deputetë (dhe ministra) pa gjykuar Parlamenti. Kujtojmë, që para disa muajsh, Parlamenti, me njëmijë arsyetimesh, pengoi prokurorinë të arrestonte një ministër socialist, i cili hetohet për bashkëpunim në trafikimin ndërkombëtar të drogës, me pretendimin se …mungojnë provat, ndërkohë, që akoma ky ish ministër është nën hetim. Mirëpo, Parlamenti me votat e mazhorrancës socialiste pengoi në kohë prokurorinë, që të ushtronte kontrollin në shtëpi dhe në zyrë ndaj ministrit, ndoshta duke i dhënë kohë, të akuzuarit që të prishte edhe provat e fajësisë.

Alibeaj: Kush e ka radhën nga ju për t’u arrestuar?

Dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve u diskutua projektligji për ndryshimin e rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë draft rregullore janë parashikuar procedura të veçanta për rastet kur prokuroria do të kërkojë nga Kuvendi arrestimin e deputetëve apo ministrave të qeverisë. Enkelejd Alibeaj tha në Komisionin e Ligjeve, të drejtuar nga Ulsi Manja, se maxhorancën e ka kapur frika nga arrestimi i mundshëm i deputetëve, ndaj dhe po i paraprin duke ndryshuar Rregulloren e parlamentit. “Meqë ra fjala, kush e ka radhën? Sot po e fusni me dhunë në rregullore imunitetin. Frikën kush e ka? Po fusni sot edhe një herë koracën imunitare për të mbrojtur deputetët nga ndjekja penale. E kapët prokurorinë me Arta Markun. Kaq shumë keni vjedhur! Arritja e madhe e reduktimit të imunitetit, ju doni ta fusni sot në rregullore”, – tha deputeti Alibeaj.