SHBA dhe BE, qëndrime të ndryshme për krizën në Shqipëri

428
Kongresmenët amerikanë kërkojnë që palët të bashkohen për zgjidhje, komisioneri Han qorton ashpër opozitën

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shfaqur me qëndrime të ndryshme lidhur me krizën politike në Shqipëri. Në dy deklarata të veçanta, Uashingtoni dhe Brukseli kërkojnë gjetjen e një zgjidhjeje për ngërçin e zgjatur, teksa opozita nuk është regjistruar të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Qëndrimi amerikan për krizën shqiptare është shfaqur më i përmbajtur dhe i baraslarguar ndaj palëve, ndërsa Bashkimi Evropian është treguar i ashpër me opozitën.

Ambasada amerikan në Tiranë publikoi dje një deklaratë lidhur me vizitën e disa kongresmenëve në Shqipëri, ku spikat mungesa e një bisede me kryeministrin Edi Rama. “Një delegacion me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, udhëhequr nga kongresmeni Bob Goodlatte, kreu një vizitë në Shqipëri të mërkurën, gjatë së cilës nënvizuan partneritetin strategjik midis ShBA dhe Shqipërisë, rëndësinë e reformës në drejtësi për vendin, dhe çështje rajonale. Përfaqësuesit Steve King, Matt Gaetz, Dave Trott, David Cicilline, dhe Peter DeFazio iu bashkuan Z. Goodlatte, i cili shërben si Kryetar i Komitetit të Drejtësisë të Kongresit, gjatë takimeve me Presidentin Bujar Nishani, presidentin e zgjedhur Ilir Meta, Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe kreun e opozitës Lulzim Basha”, theksohet në deklaratën e ambasadës. Sipas njoftimit zyrtar, “anëtarët e delegacionit i nxitën të gjitha palët për t’u bashkuar dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, si dhe për të vazhduar punën e vështirë të demokracisë”. “Ata nënvizuan rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, forcimit të zbatimit të ligjit, si dhe theksuan rëndësinë që partitë të marrin pjesë në procesin demokratik”, mbyllet vlerësimi i kongresmenëve, në një tur në disa vende të Ballkanit.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, ambasadori amerikan, Donald Lu, ka vizituar sërish zyrën e ish-kryeministrit Sali Berisha, ku është biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe krizën në Shqipëri. 

Ndërkohë, komisioneri për Zgjerimin, Johanes Han, ka qenë i ashpër në deklaratën e tij, duke deklaruar se zgjedhjet do të mbahen më 18 qershor, pasi janë bërë të gjitha përpjekjet për ta përfshirë opozitën. Në një mesazh për qytetarët e Shqipërisë, komisioneri Han shprehet se janë “dëgjuar me kujdes shqetësimet dhe pritshmëritë nga të gjitha palët, duke u përpjekur për krijimin e lehtësirave, që do të çonin drejt një zgjidhjeje të krizës së vazhdueshme”. “U ofruan një numër opsionesh, me shpresë që partitë dhe udhëheqësit do të vepronin në bazë të përgjegjësive të tyre, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Për fat të keq, nuk patëm të bënim me një rast të tillë. Pra sot, jemi në një situatë ku është vënë në lëvizje procesi zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme më 18 qershor. Zgjedhjet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës”, thekson Han. Sipas tij, ishte zgjedhja e qëllimshme e opozitës aktuale për të mos kandiduar në zgjedhje. “Unë duhet ta respektoj, por në të njëjtën kohë e shoh me keqardhje të thellë këtë vendim nga pikëpamja demokratike. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që sigurojnë një ofertë të gjerë politike dhe respektojnë standardet zgjedhore. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa vendosin të qëndrojnë mbrapa”, shprehet Han. Sipas tij, demokracia dhe standardet demokratike, nuk do të pengohen duke bojkotuar institucionet dhe zgjedhjet demokratike. Johanes Han dënoi fuqishëm “çdo kumtim që bën thirrje për ‘veprime’, të cilat do të dëmtonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liritë e tjera themelore. Këto ‘veprime’ nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”. “Udhëheqësit do të mbahen përgjegjës, nëse përpiqen të shmangin aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë. BE-ja do të ndjekë dhe do të monitorojë nga afër procesin zgjedhor. Më tutje, ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e komisionerit Han.
Sigal