Selami: Të analizojmë ato që na bashkojnë dhe jo ato që na ndajnë, nis takimet

452
Pak ditë më parë Eduard Selami bëri publik dëshirën e tij për të kandiduar përballë Lulzim Bashës për kreun e Kryetarit të Partisë Demokratike. I ndodhur në një klime tepër të rënduar brenda PD, Selami duket se ka ndryshuar taktikë. Në një status të publikuar në rrjetin social Facebook, Selami flet për realizimin e një analize të thellë brenda Partisë më të madhe opozitare. Ai thotë se duhet që më parë të evidentohen ato gjëra që i bashkojnë demokratët dhe më pas ato që i ndajnë. “Është për të ardhur keq që forcën e parë politike ku unë kam pasur kënaqësinë të jem ndër themeluesit e saj, koha e ka lënë pas. Dhe këto zgjedhje treguan pikërisht këtë. Prandaj PD-ja dhe demokratët duhet të ecin me hapin e kohës dhe duhet t’i paraprijnë. Unë jam shumë i sigurt që kjo do të vijë, dhe ky do të jetë dhe kontributi im në këto zgjedhje për kryetar të PD-së. Unë mendoj se këto janë periudha sa të vështira po aq të mbarsura me mundësi, për një reformim dhe rinovim të vonuar të PD-së, për ta ngritur atë aty ku janë vlerat më të mira të demokracisë dhe të partive politike bashkëkohore. Ajo çka është më kryesorja është një analizë e drejtpërdrejtë, e sinqertë, e hapur, brenda familjes politike, duke parë në radhë të parë gjërat që në bashkojnë se sa ato që na ndajnë”, shkruan selami në Facebook. Gjatë ditës së djeshme ai është parë në një lokal në Tiranë me nënkryetarin e PD, Edmond Spaho dhe sekretarin organizativ, Eno Bozdo. Këto takime vijnë para mbajtjes së zgjedhjeve për kryetarin e ri, ku data është caktuar 22 korrik. Nga ana e tij Lulzim Basha pas humbjes së zgjedhjeve në 25 qershor, deklaroi se ka ngrirë postin e tij, ndërsa deklaroi se rikandidon për kryetar.
Sigal