Bylykbashi demokratëve: Ata që u trashën me pushtet nga vota juaj, ju lanë në baltë

552
Ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, Oerd Bylykbashi, drejtuesi i fushatës zgjedhore në Qytetin e Durrësit, teksa i drejtohet demokratëve të vendlindjes së tij, i jep një mesazh edhe zërave ndryshe në PD. U drejtohet demokratëve dhe i falënderon për punën në të gjitha strukturat e Partisë Demokratike të Durrësit, në një fushatë të shkurtër, të vështirë, e të pabarabartë, por që sipas tij dhanë maksimumin. Në një status të publikuar në rrjetin social Facebook, Bylykbashi shprehet se kjo punë e madhe në një kohë të vështirë u bë përtej e përkundër dasish e mllefesh që duken kaq të vockla përballë halleve e sakrificave demokratëve durrsak. Në këtë status ai u drejtohet edhe komisionerëve dhe vëzhguesve. “Për të gjithë ju miq komisionerë e vëzhgues që morët përsipër t’i dilnit zot votës së demokratëve e qytetarëve që votuan PD, në një kohë të vështirë presionesh e shantazhesh, kur të tjerë u stepën dhe u shmangën apo nuk deshën. Për të gjithë ju miq numërues të votave që kryet detyrën tuaj mes sakrificash shumëorëshe, në vapë, lodhje, tension, për të mos lënë në asnjë moment misionin e ngarkuar. Në mënyrë të tërthortë Bylykbashi falënderon të gjithë demokratët e vjetër për të cilët ai thotë se, edhe pse nuk ishin në lista, i qëndruan besnik partisë ndryshe nga disa të tjerë. “Në të shkuarën PD ju ka pasur edhe borxhe, apo që edhe pse e patë sesi ata që u trashën me pushtet e para me mbështetjen tuaj, ju lanë në baltë në këtë ditë të vështirë. Për të gjithë ju miq të rinj që me pasion e energji nuk u kursyet, ju që jeni prezent realisht dhe jo në lista fiktive anëtarësh dhe që me energjinë dhe dedikimin tuaj të mbushni me shpresë, se PD e Durrësit do të hapet tek qytetaria dhe kontribuesit pa interes pushteti, e që nuk i afrohen PD vetëm kur ndahet pushteti, postet apo interesat. Në këtë ditë të vështirë, të gjithë bëjmë reflektimin tonë, kërkojmë shkaqet, arsyet dhe përgjegjësitë brenda vetes dhe mes nesh, kemi të qartë, që përballë kemi një piramidë pushteti që e ka majën në dritën e ligjit dhe bazamentin thellë në kriminalitet, por kjo nuk duhet të na shmangë nga përpjekja për t’u ringritur me dinjitet e pa njollat e korrupsionit dhe abuzimit që na ulën kokën në 2013, apo gabimet që bëmë në këto vite”, shton ai. Bylykbashi thotë se analiza do të vijë shpejt. “Sot kam vetëm këtë falënderim të madh për të gjithë ju. Faleminderit dhe do të ringrihemi e do të rifillojmë të gjithë bashkë së shpejti”, tha ai.
Sigal