Sekserët e Shëndetësisë/ Manastirliu ndryshon ‘rregullat’ e tenderit 13 mln. euro për oksigjenin në spitale, duke luajtur me jetën pacientëve

181
Sigal

 

 

Ministria e Shëndetësisë ka shpallur së fundmi një tender me vlerë 13 milionë euro, për blerjen e oksigjenit mjekësor për 24 muaj. Përmes tij synohet furnizimi me oksigjen i 13 spitaleve nga një operator i vetëm, çka ngre dyshimin se po favorizohen kompani të caktuara

 

Një tender i shpallur së fundmi nga Ministria e Shëndetësisë, me vlerë 13 milionë euro, për blerje të oksigjenit mjekësor për 24 muaj, ngre dyshime të forta për paracaktim të fituesit. Në bazë të këtij tenderi, Ministria synon furnizimin me oksigjen të 13 spitaleve qendrore e rajonale nga një operator i vetëm, duke ndryshuar rregullat e lojës, si edhe duke favorizuar kompani të caktuara.

Praktika e deritanishme ka qenë që çdo qendër spitalore zhvillonte tender të veçantë, duke krijuar mundësi konkurence mes operatorëve, pavarësisht se “GTS” e drejtuar nga Besnik Halili prej kohësh ka krijuar një lloj monopoli. Praktika e tenderave të veçantë është zhvilluar edhe në muajt e parë të këtij viti Spitali i Traumës, Spitali i Korçës, ai i Shkodrës apo i Lushnjës, kanë zhvilluar në muajt e parë të vitit 2022 tenderë për blerje oksigjeni. Këta tenderë kanë pasur të njëjtin fat. Ato janë anuluar për shkaqe të ndryshme. Ndërkohë, Spitali i Korçës pritet të zhvillojë këto ditë tenderin për blerjen e oksigjenit mjekësor.

Por, në një kohë që spitalet rajonale kanë në zhvillim procedurat për blerjen e oksigjenit, Ministria e Shëndetësisë i ka përfshirë ato në këtë tender të madh, duke krijuar një kakofoni ndërmjet vetë institucioneve shëndetësore dhe operatorëve ekonomikë. Përqendrimi i të gjithë tenderave spitalorë në një procedurë të vetme ndikon në eliminimin e konkurencës.

Shumë pak kompani në tregun e oksigjenit mjekësor mund të plotësojnë kushtet për të furnizuar njëkohësisht të gjithë strukturat shëndetësore.

Po ashtu, në dokumentet e tenderit është përcaktuar sasia totale e oksigjenit të prokuruar, ndërkohë që nuk është e qartë se sa është sasia që do të furnizohet çdo spital.

Edhe ky detaj sipas syri ndikon në uljen e konkurencës, pasi kompanitë e tregut të gazit mjekësor nuk janë në gjendje që të përllogarisin kostot që u duhet për të kryer transportin e gazit nga qendra e tyre deri në çdo cep të Shqipërisë.

Këto detaje të fshehura në dokumentet e tenderit gjigant, me shumë mundësi, do të orientojnë procedurën gjigante drejt një operatori të paracaktuar.

Tenderi është shpallur në 4 maj 2022 dhe pritet të mbyllet pas një muaji, në 3 qershor.