Sassoli, Metës: “Shqipëria ka bërë progres të madh, do ta mbështetim në rrugëtimin drejt BE”

274

Kryeparlamentari Ilir Meta në Bruksel,
në takimin me Zv/Presidentin e PE: Mirënjohje për kontributin tuaj në
integrimin tonë

 

Pritje nga
Presidenti i Grupit Parlamentar Socialdemokrat në PE, zoti Gianni Pittella,
drekë pune edhe me eurodeputetë anëtarë të grupit “Miqtë e Shqipërisë” në PE

 

Gjatë vizitës së tij në Bruksel,
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta u prit nga Zv. Presidenti i
Parlamentit Evropian, z. David Maria Sassoli, njëkohësisht Kryetar i Grupit
“Miqtë e Shqipërisë”. Kryetari i Kuvendit, Meta shprehu mirënjohjen për
mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian dhe, duke vlerësuar
themelimin e Grupit Parlamentar “Miqtë e Shqipërisë”, u shpreh se Kuvendi i
Shqipërisë mbështetet te përkrahja e eurodeputetëve anëtarë të grupit të
miqësisë. Zv. Presidenti i PE, Sassoli vuri në dukje se “Shqipëria ka bërë progres të madh dhe do ketë mbështetjen tonë të
plotë në Parlamentin Evropian për avancimin e rrugëtimit të saj evropian”.

Në këtë kuadër, z. Meta theksoi se Kuvendi mirëpret vendimin e Këshillit
Evropian, duke nënvizuar, se aktiviteti parlamentar është fokusuar në
reflektimin e rekomandimeve të Progres-raportit të Komisionit Evropian. Duke biseduar
mbi zhvillimet në rajon, z. Sassoli vuri në dukje, se Shqipëria është çelës
stabiliteti në Ballkan dhe ndau bindjen e përbashkët me z. Meta, se avancimi i
perspektives evropiane të vendit i shërben edhe të ardhmes së vendeve të tjera
në rajon. Pas takimit, Kryetari i Kuvendit, z. Meta zhvilloi edhe një drekë
pune me eurodeputetë anëtarë të grupit “Miqtë e Shqipërisë” në Parlamentin
Evropian.

 

Gianni
Pittella: Vlerësojmë kontributin tuaj zoti Meta, mbështetje Shqipërisë në PE

 

Në kuadër të vizitës së tij në
Bruksel, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, u prit nga Presidenti
i Grupit Parlamentar të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin
Evropian, z. Gianni Pittella. Kryetari i Kuvendit, z. Meta e falënderoi z.
Pittella për mbështetjen e fuqishme të Grupit Socialdemokrat në Parlamentin
Evropian ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe në shërbim të perspektivës
evropiane të Ballkanit, si mundësia e vetme që forcon stabilitetin,
prosperitetin dhe sigurinë në rajonin tonë. Presidenti i Grupit të Socialistëve
dhe Demokratëve, z. Pittella duke vlerësuar rekomandimin pozitiv të Komisionit
Evropian për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë, shprehu mbështetjen e tij dhe
të grupit socialdemokrat për të avancuar në këtë drejtim.  Zoti Meta u shpreh se në Kuvendin e
Shqipërisë është arritur progres substancial gjatë këtyre viteve, duke vënë në
dukje miratimin konsensual të reformës në drejtësi, ligjin e dekriminalizimit
dhe përmirësimin e transparencës dhe rolit mbikëqyrës së Kuvendit. Zoti Meta u
shpreh se Kuvendi e ka lexuar me vëmendje progres-raportin dhe mbetet i
përkushtuar për reflektimin e rekomandimeve të Komisionit, ku kryefjalë do të
jetë implementimi i reformës në drejtësi si një nevojshmëri për qytetarët
shqiptarë. Në këtë drejtim u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e eurodeputeteve
socialdemokratë në Parlamentin Evropian, të cilët kanë qenë gjithnjë në
avangardë të zgjerimit të BE-së dhe integrimit të vendeve të Ballkanit.