Sali Berisha: Më 12 nëntor do të jetë protesta më e madhe që ka njohur vendi, do krijojmë koalicion me PL dhe ftojmë intelektualët dhe shoqërinë civile

124
Sigal

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha se pati një takim shumë të mirë me kreun e PL, Ilir Meta. Sipas tij, opozita po bën gjithçka në funksion të protestës së 12 nëntorit.  “Ne patëm një takim shumë të mirë me zotin Meta dhe zotin Vasili, drejtues të Partisë së Lirisë. Sot në një konferencë për shtyp të përbashkët do ju informojmë ju mbi rezultatet e këtij takimi. Tani gjithçka do jetë në funksion të betejës së madhe, në funksion të protestës së 12 nëntorit. Në mbështetje të plotë të lëvizjes sindikaliste të universiteteve, në mbështetje të bizneseve të vogla në përpjekjet e tyre për të mbijetuar në kushtet më të vështira. Ndaj vendosa që të komunikoja datën e protestës dhe do të mblidhet së shpejti Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë, do ketë takime me aleatët, do ketë takime me qytetarët, takime me grupe interesi, takime me të gjithë shqiptarët që mbrojnë kauza të drejta, për t’u bashkuar si kurrë më parë në protestën e madhe të datës 12 nëntor,” tha Berisha. Kryedemokrati tha se qëllimi i protestës do jetë largimi i Edi Ramës një minutë e më parë. “Ky është një armik i egër i votës së lirë, ky është një plaçkitës i paskrupullt përmes shtetit elektoral, patronazhistëve të kuq dhe bandave kriminale e parave të drogës. Ky është një armik i egër i interesit të shqiptarëve. Se cili është Edi Rama e ka marrë vesh çdo shqiptar në Shqipëri dhe jashtë. Deklaratat e tij se do zëvendësojë punëtorët shqiptarë me punëtorë të marrë nga Bangladeshi, në të vërtetë trafik i turpshëm i qenieve njerëzore, deklaratat e tij se nuk do lejojë në universitete nxënësit me nota të ulëta, se do marrë jashtë studentë, deklaratat e tij se ikin, por fajin e ka Gjermania, janë dëshmi e zbatimit nga ana e tij të politikës së Vaso Çubrilloviçit.” -tha Berisha.