Rusia kundërshton reciprocitetin e Kosovës ndaj Serbisë

408
Sigal

Qeverisë në detyrë e Kosovës, nga fillimi i këtij muaji ka liruar nga taksa 100 për qind mallrat me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Me këtë veprim nuk po pajtohet Rusia, duke thënë se Prishtina vazhdon të manipulojnë me temën e heqjes së tarifës doganore.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe dhe vendosjen e parimit të reciprocitetit.

Përmes një reagimi të postuar në uebfaqen e kësaj ministrie, thuhet se “autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të manipulojnë me temën e heqjes së tarifës doganore 100% ndaj mallrave që vijnë nga Serbia qendrore, të cilat u vendosen nëntorin e vitit 2018 dhe rezultuan në ndalimin e procesit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

“Albin Kurti, ‘kryeministri në detyrë’ i Kosovës, me një gjest tjetër demagogjie, njoftoi heqjen e tarifave më 1 prill, por të përkohshëm dhe me kufizime që paraqesin shumë parakushte. Së pari, Kosova insiston në ‘parimin e reciprocitetit’ duke e detyruar Beogradin t’i etiketojë mallrat e veta sipas standardeve të Prishtinës, që nënkupton të pajtohet për futjen e ‘Republikës së vetëshpallur të Kosovës’ në dokumente që do të implikonte njohjen indirekte të këtij kuazi-shteti”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.

MPJ-ja ruse thotë se me këtë veprim, “kosovarët nuk e kanë zbutur qëndrimin e tyre siç është kërkuar nga patronët e tyre Perëndimorë, por i kanë shtrënguar parakushtet”.

“Thuhet se edhe Washingtoni, i cili mbështet plotësisht ‘pavarësinë’ e Kosovës, kritikoi veprimin e fundit të Prishtinës e cila qëllimshëm vonon mundësinë e rifillimit të dialogut me Beogradin. Në këtë kontekst, reagimi ekstazik i BE-së duket i çuditshëm pasi që, si një nga ndërmjetësit, BE-ja duhet të përgjigjet me një vlerësim të matur të situatës pa favorizuar asnjë nga palët”, theksoi më tej MPJ-ja ruse.

“Be besojmë se këta hapa anti-Serbi nga autoritetet e Kosovës duhet të rikthehen plotësisht dhe pa kushte”, përfundoi MPJ-ja ruse reagimin e saj.

Taksës 100 për qind e kishte vendosur qeveria e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.

Taksa 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet.

Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi që nga ajo kohë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë.

Një masë reciprociteti ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar edhe në korrik të vitit 2011.

Ky reciprocitet në atë kohë ishte marrë pasi që Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë, kishte bllokuar mallrat nga Kosova për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.