Kontratat ekskluzive të KESH, Sekretariati: Janë korrigjuar, u evitua shtrembërimi në tregje

405
Sigal

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë përgëzoi një ditë më parë autoritetet shqiptare që vepruan për të marrë masa ndaj një shtrembërimi të mundshëm në tregjet e energjisë, e lidhur kjo me kontrata ekzkluzive mes kompanisë publike të prodhimit dhe tregtarëve. Në një njoftim të këtij Sekretariati bëhet me dije sesi u arrit në këtë përfudim dhe cilat janë palët e përfshira.

“Aktorët e tregut të energjisë elektrike i janë drejtuar Sekretariatit në lidhje me ekzistencën e kontratave ekskluzive të lidhura midis gjeneruesit publik shqiptar, KESH dhe dy tregtarëve. Bazuar në këto kontrata, KESH u angazhua në kontrata me shitje të njëkohshme në kohë piku dhe jashtë tij. Këto kontrata lejonin tregtarët të tërhiqnin energji elektrike nga KESH gjatë kohës të pikut (kur çmimi i energjisë elektrike është e lartë) dhe ta kthenin atë tek KESH gjatë kohës jashtë pikut (kur vlera e energjisë elektrike është e ulët). Ky shkëmbim neutral sasior i produkteve cilësisht të ndryshme, në mungesë të zgjidhjes financiare për të llogaritur diferencën në vlerë, mund të rezultonte në një transferim të konsiderueshëm të vlerës nga KESH tek tregtarët.

Sekretariati ka bashkëpunuar në mënyrë aktive me Autoritetin Shqiptar të Konkurrencës dhe Entin Rregullator të Energjisë Shqiptare (ERE) në hetim. Sapo kontratat u tërhoqën nga KESH, çështja në sekretariat u mbyll.

‘Sekretariati është mirënjohës për menaxhimin e KESH, si dhe Autoritetit të konkurrencës dhe ERE për një bashkëpunim shumë produktiv në këtë rast. Sëbashku, ne arritëm të evitojmë një shtrembërim të mundshëm në tregjet e shitjes më shumicë në Shqipëri dhe në rajon, në shërbim të klientëve. Roli koordinues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ishte thelbësor për këtë ‘tha Dirk Buschle, Këshilltar Ligjor i Sekretariatit” njoftoi Sekretariati në faqen zyrtare të hënën e kësaj jave.