Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt letër Parlamentit, BE dhe OSBE për zgjedhjen e Kryetarit të AMA: Vakancat të plotësohen nga Kuvendi i ri

149
Sigal

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists), u ka drejtuar një letër të hapur Parlamentit shqiptar, BE dhe OSBE për zgjedhjen e Kryetarit të AMA dhe lirinë e medias në Shqipëri.

Në këtë letër, Rrjeti i Gazetarë, që mbledh më shumë se 8,200 anëtarë në Ballkanin Perëndimor, shpreh shqetësimin lidhur me zgjedhjen e Kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe anëtarëve të bordit të tij që mund të pengojnë lirinë e medias në Shqipëri nëse finalizohen sikurse kanë nisur.

Më tej, Rrjeti i Gazetërëve të Sigurt, i bën thirrjen Parlamentit shqiptar të zhvillojë një garë të mirëfilltë për Kryetarin e AMA, për të sigururuar pavarësi të plotë dhe profesionalizëm të drejtuesit të ardhshëm të këtij autoriteti jetik për lirinë e medias dhe anëtarëve të saj, dhe të shtyjë plotësimin e vakancave deri në momentin që parlamenti i ri do të fillojë punën e tij në shtator 2021.

Në vijim letra e plotë:

I nderuar Z. GRAMOZ RUÇI,

Ju shkruaj në emër të Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists), që mbledh më shumë se 8,200 anëtarë në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë gazetarë nga Shqipëria, ne veprojmë në rastet e shkeljeve e të drejtave të gazetarëve, kur rrezikohet siguria e tyre dhe kufizi i lirive të medias.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists), shpreh shqetësimin e tij rreth zgjedhjes së Kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe anëtarëve të bordit të tij që mund të pengojnë lirinë e medias në Shqipëri nëse finalizohen sikurse kanë nisur. Ne jemi të shqetësuar për pavarësinë dhe profesionalizmin e dy kandidaturave për Kryetarin e AMA, të dy kriteret janë thelbësore për lirinë e medias dhe për proceset demokratike në Shqipëri. Gjithashtu, ne shprehim shqetësimin tonë në lidhje me mangësitë në procedurën e përzgjedhjes së tyre, duke marrë parasysh që procesi është formal pa konkurrencë kuptimplotë dhe i kryer me nxitim brenda Parlamentit aktual, mandati i të cilit skadon së shpejti, njëkohësisht pa prezencën një opozite të mirëfilltë.

Ju kujtojmë që Kryetari i AMA-s dhe anëtarët e bordit duhet të jenë juridikisht jopartiak dhe politikisht të pavarur, ndërsa formulat ligjore për zgjedhjen e tyre u kanë dhënë shumicës dhe opozitës parlamentare të drejtën për të propozuar ose refuzuar kandidatin i cili garanton këtë pavarësi dhe diversitetin në përbërjen e Bordit të AMA-s me përfaqësues të partive të ndryshme parlamentare. Me Parlamentin aktual, pa prezencën e opozitës së mirëfilltë, kjo nuk mund të garantohet.

Gjithashtu, ne jemi të shqetësuar për ndryshimet në Ligjin e Mediave Audiovizive (referuar si ‘ligji i mediave online) të cilat u kundërshtuan nga shoqëria civile, organizatat e medias dhe rrjetet dhe shoqatat rajonale dhe ndërkombëtare të mediave, njëkohësisht u refuzuan nga Presidenti i Shqipërisë dhe Komisioni i Venecias në qershor të vitit 2020. Ndryshimet parashikuan fuqi të gjerë për të rregulluar përmbajtjen e medias nga AMA, pavarësia dhe profesionalizmi i kësaj të fundit nuk mund të siguroheshin siç u tha gjithashtu nga Komisioni i Venecias. Një vit pasi Komisioni i Venecias publikoi gjykimin e tij mbi këtë çështje, legjislacioni i sipërpërmendur ende nuk është ndryshuar për të përmbushur standardet e kërkuara dhe akoma renditet si në proces në regjistrin e Parlamentit Shqiptar, ndërsa Qeveria pretendon se është tërhequr.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists), i bën thirrje Parlamentit shqiptar të zhvillojë një garë të mirëfilltë për Kryetarin e AMA, për të sigururuar pavarësi të plotë dhe profesionalizëm të drejtuesit të ardhshëm të këtij autoriteti jetik për lirinë e medias dhe anëtarëve të saj, dhe të shtyjë plotësimin e vakancave deri në momentin që parlamenti i ri do të filloj punën e tij në shtator 2021. Gjithashtu, ne e nxisim Parlamentin, të kryej ndryshime në Ligjin e Mediave Audiovizive, të respektojë standardet evropiane dhe ta hartoj atë në përputhje me opinionin dhe standardet e Komisionit të Venecias. Në këtë mënyrë mund të sigurohet ruajtja jopartiake dhe pavarësia e institucioneve kryesore siç është Autoriteti i Mediave Audiovizive.

Mbetemi në pritje të përgjigjes suaj.

Me respekt,

Marija Babic

Në emër të:

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjes dhe Herzegovinës

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi