Rritja e çmimit të ujit, opozita tërhiqet nga akuzat dhe padia

484
Rritja e çmimit të ujit të pijshëm në kryeqytet, me vendim të këshillit bashkiak, solli jo pak reagime të opozitës. Më 26 korrik, me 31 vota, Erion Veliaj arriti të kalojë në këshill propozimin e tij për të rritur çmimin e ujit me 20 lekë për metër kub. Por menjëherë pas këtij vendimi, reagimet kundër që kishin nisur më herët u shtuan, madje pati deklarata edhe për të dërguar çështjen në Gjykatën Administrative. Opozita protestoi fort. Këshilltarët e djathtë u mbështetën edhe nga ata të LSI-së, ndonëse dy prej tyre nukiu bindën shumicës. Këshilltarët e djathtë e cilësuan “nul” vendimin, me argumentin se mbledhja nuk mund të mbahej për shkak se nuk plotësohej kuorumi. Fabian Topollaj, u shpreh në 26 korrik se çështjen do ta dërgonte në gjykatë për të mos lejuar në këtë mënyrë rritjen e çmimit të ujit, përmes një vendimi, të cilësuar prej tij abuziv. Por sot kemi një tjetër pasqyrë. Opozita ka rënë në qetësi. Duket se ajo është pajtuar me vendimin e Këshillit Bashkiak, të cilin e konsideroi “nul”. Fabian Topollaj i pyetur nga gazeta “Telegraf”, u shpreh se ende nuk ka dorëzuar në gjykatë padinë kundër vendimit. Këtë ai e argumentoi me faktin se, për të bërë një padi, së pari, duhet të jepet mendimi i drejtuesve të partisë, gjë që deri në këto momente nuk është bërë. Nga ana tjetër Topollaj, u shpreh se me shumë mundësi, do të ndërmarrë i vetëm iniciativën për të dorëzuar në Gjykatën Administrative padinë. Megjithatë e gjithë zhurma, e cila u zhvillua për mosarritjen e çmimit të unit të pijshëm në kryeqytet, duket se është sfumuar. Opozita është në heshtje, ndërkohë që pritet miratimi i vendimit të Këshillit Bashkiak edhe nga ERU. Kjo e fundit një ditë pas marrjes së vendimit në këshill u shpreh se kishte marrë në dorë propozimin e Erion Veliajt për rritjen e çmimit të ujit që në 30 qershor.
Sigal