Roshi dhe Daja në vetingun e Kavajës

715
Ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi dhe ish-kryetari i PS-së Kavajë, Gentian Daja, falë pushtetit politik dhe miqësisë me njëri-tjetrin kanë organizuar një sistem abuzimesh, në kufi të krimit ekonomik, që u ka mundësuar fitimin e tenderëve publikë, duke mos i paguar shtetit tatimin mbi fitimin. Ky fakt vë në pikëpyetje edhe rolin e Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, mbi aftësinë e zyrave të tatimeve nën varësinë e tij, për të kontrolluar praktikat fiskale në mënyrë të paanshme, apo dëshirën e tij për të përdorur pushtetin për të mbuluar bashkëpunimin politiko-ekonomik për shmagien fiskale dhe pastrimin e parave. Duhet theksuar se zoti Ahmetaj është caktuar nga kryeministri Rama që të bashkëdrejtojë fushatës elektorale në Kavajë së bashku me Elvis Roshin. Zoti Rroshi dhe zoti Daja, dy shokë emigracioni, që kanë lënë shenjat e tyre në gjykatat e gjysmës së Evropës, kanë ngritur së bashku tre kompani, duke e kaluar administrimin e tyre nga njëri tek tjetri ose tek të afërmit e tyre. Kompania “Ergi Security” shpk e regjistruar në vitin 2011, për ofrim të shërbimit të sigurisë private filloi procedurën e likujdimit përpara se të fillonte të faturonte. Por praktika e likujdimit u ndalua për arsye të një vendimi të Gjykatës Kavajë për vënien nën sekuestro administrative, vendimi është ende edhe sot në fuqi. “Edil Ergi” shpk, e regjistruar në vitin 2012, ka depozituar tre bilance me vlerë zero, ndërsa bilanci i fundit i vitit 2015 tregon shitje me vlerë 7 milionë lekë dhe shpenzime me të njëjtën vlerë. Nuk rezulton të ketë paguar ndonjë taksë. “Ergi” shpk, kompani ndërtimi e regjistruar në vitin 2006, ka dorëzuar rregullisht bilancet nga viti 2007 deri në vitin 2010, por aktualsiht rezulton e “pezulluar”, pra nuk zhvillon aktivitet ekonomik. Në bazë të bilanceve shihet se “Ergi” shpk, gjatë katër viteve ka shitur mall me vlerë 204 milionë lekë dhe ka shpenzime rreth 187 milionë lek, me fitim bruto 16,5 milionë lekë dhe taksa mbi fitimin rreth 1,79 milionë lekē (rreth 13 mijë euro), pra 270 euro taksa në muaj. Kjo shoqëri në faqen zyrtare të QKB-së rezulton e “pezulluar” që në vitin 2010, pra ajo nuk mund të kryejë asnjë aktivitet ekonomik. Por një verifikim i pagesave të kryera nga Thesari i Shtetit, mësohet se nga viti 2012 deri në vitin 2016 shoqëria, edhe pse e pezulluar, ka fituar kontrata publike me vlerë 12 milionë euro. Ndërkohë nuk ka dorëzuar asnjë bilanc në QKB dhe mesa duket nuk ka paguar as taksa. Shoqëria ka marrë dhe vazhdon të marrë kontrata nga shteti. Vetëm në vitin 2016, ajo ka fituar një numër të madh tenderash, gati gjithmonë duke ofruar ofertën më të madhe, duke skualifikuar të gjithë konkurrentët e tjerë. Fitimi i tenderave në këto kushte kërkon bashkëpunimin e një sërë institucioneve. Në fakt, një kompani që merr pjesë në tender duhet të paraqesë dokumente të shumta, përfshi certifikatë nga QKR, deklaratë zyrtare nga zyrat e tatimeve, vërtetim të sigurimeve shoqërore dhe një sërë dokumentesh të tjerë që i duhen komisionit të vlerësimit të ofertave për të kontrolluar që paratë e shtetit të mos shkojnë në duar jo të përshtatshme.

Një shoqëri që është e pezulluar në QKR nuk mund të marrë vërtetim nga zyra e taksave për shlyerjen e të gjithë detyrimeve. Dhënia e vërtetimit në këto kushte përbën një krim penal, ose shpërdorim detyre, të kryer nga punonjësi i zyrës së taksave që e ka firmosur. Vepra penale e shpërdorimit të detyrës duhet të jetë kryer nga një ose më shumë anëtarë të komsionit të tenderit, për çdo tender që ka marrë pjesë “Ergi” sh.p.k pas tetorit të viti 2010. Mesa duket, sistemi jo gjithmonë ka funksionuar në të njëjtën mënyrë. Një analizë e kujdesshme e procesverbalëve të tenderave rezulton se kompania është skualifikuar disa herë për mungesë të vërtetimit nga tatimet. Mungesa e dorëzimit të bilanceve ndëshkohet me një gjobë administrative prej 10 mijë lekë për çdo bilanc të padorëzuar. Por mosdorëzimi sistematik për disa vite rresht tregon se aktiviteti, të paktën ai financiar ka qënë i pezulluar. Gjithashtu, të gjitha kompanitë normale që nuk dorëzojnë bilancet bllokohen nga QKR dhe atyre nuk i lejohet të kryejnë veprime ose të marrin vërtetime, por në këtë rast nuk ka ndodhur kështu. Kjo është një provë tjetër që shoqëria ishte me të vërtet e pezulluar nga QKR, dhe rrjedhimisht nga zyra e taksave në Kavajë. Administratori i kompanisë “Ergi” shpk me gjasa ka fshehur të ardhurat, dhe e njëjta vepër mund të jetë kryer nga ortakët e kompanisë për pjesën e fitimin nga aksionet. Gjendja e pezullimit ka efekt bllokues në gjenerimin e deklaratave mujore të TVSH-së. Kjo të bën të mendosh që kompania nuk ka paraqitur asnjëherë deklaratën e TVSH-së, pra i ka grabitur shtetit 20 për qind të të gjithë vlerës që ka fituar, pra të paktën 2,4 milionë euro dhe kjo vetëm për pjesën e të ardhurave nga tenderat publik, pa llogaritur të ardhurat nga aktiviteti i ndërtimit dhe shitja e apartamenteve. Si rrjedhim, ortakët dhe administratorët kanë kryer veprën e “vetëriciklimit”, sepse kanë fshehur të ardhurat nga evazioni fiskal. Mungesa e aktivitetit e bën të vështirë edhe pagesën e taksave dhe sigurimeve shoqërore për punonjësit, të cilat mund të hamendësohet se nuk janë paguar asnjëherë. Kjo gjë e cila përbën vjedhje në dëm të punonjësve të kompanisë. Ngelet për t’u kuptuar efekti i “pezullimit” mbi shitblerjet e pasurive në raport me bankat. Ndoshta edhe punonjës të bankave dhe noterë mund të kenë firmosur për vërtetimin e QKR-së përpara se të firmosnin për shumë veprime të tjera. Por sistemi “Rroshi” nuk ka ndalur këtu, dhe ka marrë masa për të maksimalizuar rolin e tij të dyfishtë si sipërmarrës dhe administrator publik. Sikurse tregon historisa e dy tenderave të marra gjatë muajit prill të vitit 2016, një nga Bashkia Cerrik për rikonstruksion rruge me vlerë 75 milionë lekë nga bashkimi “Ergi+Vëllezërit Hysa”, dhe një tjetër nga Bashkia Kavajë me vlerë 375 milionë lekë për sistemimin e Përroit të Lëshniqes, të fituar nga Vëllezërit Hysa, pasi u skualifikuan pesë kompanitë e tjera, të gjitha me ofertë më të ulët. Imoraliteti ndërmjet institucionit tenderues dhe kontraktuesit, sikuse është e dukshme që ndërmjet dy palëve ka pasur shkëmbim ekonomik, të cilët kanë pasur ndikim në përcaktimin e rezultatit përfundimtar të tenderit të Kavajës. Nuk kalon pa u vënë re që risistemimi i “Përroit të Lëshniqes” me ndryshimin që i ka ndodhur kanalit ka rritur vlerën e ndërtimeve të ndërtuar nga Rroshi në atë zonë. Por pika kryesore, e ngritur nga këto fakte është që edhe një herë shteti, dhe në vijë të parë Minsitria e Financave, shumë e rreptë me operatorët e vegjël dhe me qytetarët e zakonshëm, ka qëndruara minimalisht pasive dhe tërësisht joefikase, për të mos thënë bashkëpunëtore e hapur, në drejtim të një kontraktuesi “të bekuar nga Partia”, ose për ta kuptuar më mirë, të një sistemi kriminal që vjedh popullin e pambrojtur për t’ia dhënë të pasurve miq të partisë. Marrë nga “exit.it”. Të gjitha të dhënat e këtij artikulli janë marrë nga burime të disponueshme, si faqja zyrtare e QKB-së, Open Data Procurement dhe Open Spending Albania të krijuara nga Open Data Albania.
Sigal