Robert Ndrenika kërkon fjalën, Rama e ndërpret

701
Është zhvilluar dje në selinë e qeverisë, prezantimi i projektit të Teatrit të ri Kombëtar, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama dhe një pjesë e artistëve. Në fjalën e tij shefi i qeverisë theksoi vendosmërinë e qeverisë për të shembur teatrin ekzistues dhe ndërtimin mbi të, të një Teatri dinjitoz. Sipas shefit të qeverisë, sot Teatri Kombëtar është jashtë çdo standardi. Por në fund të fjalës së Kryeministrit, kërkoi fjalën aktori i madh Robert Ndrenika, prezent në këtë takim. Megjithatë ka qenë vetë kryeministri Rama që nuk e lejoi të flasë duke i kërkuar që më parë të shohë prezantimin e projektit. “Jo jo, prit shiko projektin njëherë” mëson “Gazeta Shqiptare” të jetë shprehur Rama pas kërkesës së aktorit për të marrë fjalën. “Mirë dakord po shoh projektin” i është përgjigjur pa mikrofon aktori i madh. Edhe më parë, aktori i njohur kundërshtoi idenë e shembjes së godinës së teatrit, mendim që duket se e ndryshoi disa ditë më pas. Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me takimin e zhvilluar në selinë e qeverisë me artistët, ku u prezantua projekti i Teatrit të ri Kombëtar. Berisha u ndal tek fakti se si kryeministri Edi Rama nuk e lejoi aktorin e madh Robert Ndrenika të marrë fjalën. Duke e cilësuar këtë si një veprim të turpshëm, Berisha tha se “piktori dështak prezantoi projektin e tij dhe më pas nuk mori pjesë as në diskutime”.
Sigal