Robert Hand:“Nëse zgjedhjet nuk marrin notë të mirë, do ketë pasoja për integrimin”

391
Sigal


Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, Robert Hand, në një intervistë për Zërin e Amerikës shqetësohet për KQZ-në

Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, Robert Hand, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, shprehu keqardhjen për ato që i quajti lojëra politike, përfshirë situatën e krijuar me KQZ-në. Zoti Hand, thotë se, nëse arrihet një marrëveshje për KQZ-në duhet të jetë afatgjatë dhe në mbështetje të ligjit. Zoti Hand tha se, komuniteti ndërkombëtar nuk është i kënaqur me mënyrën e të bërit politikë në Shqipëri, që sipas tij e pengon realizimin e potencialit të plotë të vendit. I pyetur nga “Zëri i Amerikës”, se nga se  çfarë varet nga zgjedhjet e 23 Qershorit, zoti Hand përgjigjet:  “Mendoj se, gjithnjë e më shumë ka një humbje durimi me Shqipërinë. Për fat të keq kemi filluar që tani të shohim për zgjedhjet e ardhshme se po bëhen shumë lojëra dhe KQZ-ja  është një prej tyre dhe kjo po shkakton humbje besimi dhe mendoj se kjo është për të ardhur keq. Nëse zgjedhjet e kësaj radhe në Shqipëri nuk marrin notë të mirë, pa diskutim që do të ketë pasoja për shpejtësinë e integrimit në BE. Anëtarësimi, edhe në rrethana ideale do kohë që të bëhet, kështu që nuk mund të përballohen vonesa të mëtejshme. Prandaj zgjedhjet duhet të jenë të rregullta. I pyetur se cila është forma e zgjidhjes, Robert Hand përgjigjet: “Sigurisht që, ata (forcat politike) duhet të ulen së bashku të diskutojnë sesi ta plotësojnë KQZ-në, por nuk duhet të jetë thjesht një vazhdim i lojës politike, ku një shtrëngim duarsh mes dy partive politike, del mbi ligjin. Mendoj se, shumë njerëz mendojnë se nëse do të ishte respektuar ligji, ky veprim nuk duhet të kishte ndodhur. Prandaj mendoj se, duhet të ketë një riangazhim ndaj Kodit Zgjedhor, ndaj ligjeve dhe një ide të qartë për ecurinë e mëtejshme. Pikëpamja ime për KQZ-në është se këta njerëz (anëtarët) zgjidhen nga partitë politike, por pasi janë miratuar, duhet të pritet prej tyre që të sillen me profesionalizëm, jo në mënyrë politike. Do të duhet një marrëveshje politike për ta rikthyer këtë formulë, por do të duhet gjithashtu një rikonfirmim i qartë që do ta respektojnë kodin, do të respektojnë ligjet dhe jo thjesht të bien në ujdi për atë që duan apo nuk duan të bëjnë.

I pyetur se cilat do të ishin pasojat e një ujdie politike, në vend që të gjendet një zgjidhje afatgjate për këtë problem, Robert Hand përgjigjet: Prandaj nuk duhet të jetë një zgjidhje e momentit që lejon ecurinë e këtyre zgjedhjeve. Duhet të ketë një rikonfirmim i respektimit të kodit, të ligjeve dhe që këto institucione, që duhet të rregullojnë në mënyrë të paanshme procesin e zgjedhjeve, të bëjnë të mundur që njerëzit të hedhin votën, të numërojnë votat siç duhet”. I pyetur se nga reagimet ndërkombëtare, duket se kritikat për ndryshimin e anëtarit tëLSI-së kanë qenë më të forta sesa reagimi ndaj dorëheqjes së tre anëtarëve të opozitës që pasoi. A është kjo një miratim i heshtur i veprimit të anëtarëve të opozitës, si reagim ndaj ndryshimit të parë? Robert Hand përgjigjet: “Nuk besoj se është pranim, ose miratim i dorëheqjeve, por është e qartë se nëse dikush do të japë dorëheqjen, është i lirë ta bëjë një gjë të tillë. Nuk është jashtë parashikimit të ligjit. Nuk më duket se kjo do të thotë që kritikët mbështesim vendimin e dorëheqjeve, por duket se ata po përqendrohen tek mënyra sesi duhet të funksionojë KQZ-ja dhe se efektivisht përpjekja për shkarkimin e përfaqësuesit tëLSI-së e vuri në pikëpyetje integritetin e KQZ-së dhe kjo është çështja kryesore.