Rikthim i Patozit dhe Topallit? Ristani: Po të jemi së bashku edhe njëherë, vetëm mirë i bëjmë PD

58

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, thotë se hapja e partisë dhe aktivizimi i të gjitha potencialeve ka çuar në fitoren e demokratëve në të shkuarën. Në një intervistë Ristani tha se rikthimi i figurave të hershme të PD-së si Jozefina Topalli, Astrit Patozi e Bamir Topi veçse mirë do t’i bënin partisë. “Përvoja ka treguar se hapja dhe aktivizimi i të gjithë potencialeve që ka PD, konsiderimi dhe vlerësimi i të gjitha eksperiencave nuk duhet të shkojë dëm. Ne duhet ta përdorim të gjithë potencialin që kemi, përvojën dhe investimin intelektual që ka krijuar. Besoj që të gjithë po të jemi së bashku edhe njëherë, vetëm mirë i bëjmë PD-së”, tha ai. Sa i takon marrëveshjes së arritur për reformën zgjedhore, Ristani tha se opozita ia doli në dy pika, por mbetet objektiv i papërmbushur votimi elektronik. “Marrëveshja nuk ka të bëjë thjesht me KQZ-në. Ka një fitore të qenësishme të opozitës që ka të bëjë me pranimin e identifikimit biometrik. E dyta, marrëveshja ndërpreu iniciativën e fortë të qeverisë dhe kryeministrit Rama për të manipuluar procesin përmes njerëzve të besuar në administratë. Për mua duhej të kishte shkuar akoma më thellë. Duhej shkuar te votimi elektronik. Por si fazë e parë, pranimi i identifikimit biometrik është një masë që shmang një pjesë të manipulimit zgjedhor”, tha ai. Djegien e mandateve dhe atë që erdhi si pasojë: opozita e re në Parlament, Ristani i sheh si një përvojë nga e cila duhet të mësojnë të gjitha palët. “Opozita është e domosdoshme. Sigurisht që ky Parlament nxori në dritë më të keqen e luftës politike që është zhvilluar këto vite në Shqipëri. Presim që nga ky mësim që morëm të gjitha palët të mos përsëritet më sepse produkti është ai që të gjithë shqiptarët shohin. Opozita jashtë parlamentit ka filluar të ketë tre shtylla kryesore: përfaqësimin e kujdesshëm të elektoratit të saj dhe shqiptarëve në përgjithësi. Ka filluar një proces që do të nxjerrë në pah njerëzit që duhen për betejën e opozitës dhe aksioni politik”, tha ai.