Rikthehen aktivitetet e revolucionit kulturor kinez të punës vullnetare

1291
Sigal

Petraq BARJAMI

Pas 2015 taksat e çdo banori të Tiranës janë shumëfishuar, por edhe janë shtuar, sa tani mund të mburremi, se jemi “kampionë” edhe në Rajon, të pagimit të taksave. Mungon vetëm taksa e ajrit, që thithim pa u taksuar nga bashkia dhe qeveria. Po, Tirana është i vetmi kryeqytet në Botë, që ka taksën më të shtrenjtë për ujin, ndërkohë, që në asnjë çezmë nuk ka ujë të pijshëm, por edhe ai ujë që vështirë të bëjë edhe për të larë enët (nuk mund ta përdorësh kurrsesi për gatim) është me orar, e shumta 2 orë në 24 orë. Banorët e Tiranës paguajnë taksat më të shtrenjta të pastrimit, gjelbërimit dhe ndriçimit rrugor, madje 2-fishi i taksave që paguan banori në bashkinë e Nju Jorkut, e megjithëkëtë, në rrugët e lagjeve kurrë nuk ka asnjë dritë, pluhuri i rrugës të mbyt, thua se jetojmë në Sahara. Bashkia e ka dhënë me tender pastrimin, ndërkohë, që kudo ka mbeturina dhe kazanët e plehrave tërë ditën dhe gjithë ditët janë plot.

Aktiviteti bolshevik i Bashkisë: Të gjithë në punë vullnetare të pastrojmë plehrat

E megjithëkëtë, Bashkia e Tiranës fton të gjithë qytetarët të shtunën në një aktivitet, që na kujton revolucionin Kulturor kinez. Të pastrojmë Tiranën nga plehrat dhe mbeturinat. Pyetja është: Po koncesionari, që paguhet nga taksat e banorëve të Tiranës, për të pastruar plehrat dhe mbeturinat, përse nuk e ka pastruar Tiranën çdo ditë? Nëse, bashkia e Tiranës pranon që ka (akoma) plehra dhe mbeturina, a e ka gjobitur koncesionarin, që nuk ka përmbushur kushtet e kontratës? Nëse është rast i përsëritur, që Tirana ka mbeturina dhe plehra dhe koncesionari sërish nuk i ka pastruar, përse bashkia e Tiranës nuk i ndërpret kontratën e koncesionit? Si mundet bashkia e Tiranës të ftojë njerëzit në aktivitete vullnetare, në një proces që është dhënë me koncesion, siç është pastrimi i Tiranës? Si mundet bashkia e Tiranës, t’i detyrojë banorë, qytetarë të Tiranës, qoftë edhe punonjësit e saj, të vijnë në aktivitete vullnetare ditën e shtunë, e cila është ditë pushimi, sipas ligjit? Këto janë mendësi dhe metoda bolshevike, janë aksione të revolucionit kulturor kinez dhe nuk kanë aspak ngjashmëri me iniciativën qytetare, demokratike. Shumë – shumë, Bashkia e Tiranës, në ditë të tilla botërore, siç është Dita Ndërkombëtare e Pastrimit, mund të bëjë propagandë për të rritur ndjeshmërinë qytetare për të ruajtur dhe mbajtur mjedisin, qytetin pastër. Por, jo të detyrojë në punë vullnetare qytetarët, punonjësit e bashkisë që të pastrojnë mbeturina dhe plehra, të cilat nuk do që t’i pastrojë koncesionari, i cili paguhet nga taksat bashkiake të qytetarëve dhe banorëve.