Rezultatet paraprake/ Reagon Jemin Gjana: Ja kur do shpallet fituesi i zgjedhjeve në PD

169
Sigal

Edhe pse rezultatet e para tregojnë se Lulzim Basha kryeson bindshëm në garën për kreun e ri të PD, i ndjekur nga Agron Shehaj, rezultati zyrtar për garën në selinë blu do të bëhet publik vetëm nesër.

Në një reagim për mediat, kryetari i Komisionit Zgjedhor të PD, Jemin Gjana ka deklaruar se së shpejti do të ketë një rezultat paraprak, por rezultati final do jepet nesër pas orës 9:00.

“Në kohën më të shpejtë të mundshme sapo ne të administrojmë të dhënat, do të marrim nga një fotokopje të procesverbalit të nxjerrjes së rezultatit. Do të bëjmë një përmbledhje, do t’ju jap një të dhënë operative për numrin e votave për secilin prej kandidatëve. E dhëna zyrtare do të dalë vetëm nesër paradite, pasi ne të kemi administruar të gjitha kutitë e votimit, të cilat do të hapen në komision në praninë tuaj po të doni, nesër pas orës 09.00, do të nxirren procesverbalet, do të regjistrohen procesverbalet një përmbledhëse.

Do të shpallet rezultati zyrtar i kandidatit fitues dhe të dhënat prej secilit prej kandidatëve në garë. Janë mbyllur të gjitha degët e votimit. Nuk ka patur incidente. Presim të na deklarojnë kundrejt fotokopjeve procesverbale dhe ne do t’ju deklarojmë ju një të dhënë operative paraprake.”, deklaron Gjana