Reformimi i ASh, profesorët: Deklaratat e kryeministrit sipërfaqësore dhe emocionale

591
Debati mbi reformimin ose jo të Akademisë së Shkencave është shtrirë edhe në radhët e pedagogëve të Universiteteve të ndryshme
Përpjekjet e qeverisë në ditët e fundit për të kthyer kokën nga Akademia e Shkencave, atje ku janë ajka e studiuesve të vendit, nuk është pritur mirë nga një pjesë e konsiderueshme e pedagogëve. Të gjendur më afër botës akademike, profesorët e Universiteteve të ndryshme japin opinionin e tyre për mënyrën se si po përdoren akademikët, si dhe për atë çfarë është dashur të bëhet dhe pse nuk ka ndodhur. Agim Baçi, Zamira Çavo, Erjon Kristo, Bizida Gjikondi dhe Zylyftar Bregu, shprehen në të njëjtën linjë; kundër deklaratave të kryeministrit Edi Rama. Sipas tyre, qeveria është e vonuar. Në katër vite, thonë ata, kjo qeveri nuk u kujtua për Akademinë e Shkencave dhe tashmë del me deklarata, sa qesharake, aq edhe sipërfaqësore. Profesorët e universiteteve shprehen, se fondi i buxhetit të shtetit për Akademinë e Shkencave ka qenë qesharak dhe në këto kushte, askush nuk duhet të ngrihet dhe të bëjë moral. Madje një pjesë e tyre shprehen se, askush nuk duhet të luajë me këtë kategori akademikësh të thyer në moshë. 
Agim Baçi (Kritik letrar)
Të kritikosh, ndoshta është më e lehtë, se sa ta bësh Akademinë dhe akademizmin. Por vlen të theksojmë dy-tri nga mangësitë, të paktën në jetën publike, e sidomos në atë vendimmarrëse. Më kryesorja është mungesa e një autoriteti publik në debatin e Çështjes Kombëtare. Pra, ne sot, nuk kemi ndonjë platformë, siç e kanë edhe akademitë e vendeve fqinje, lidhur me të ardhmen e bashkëkombësve të tyre. Pra, ne nuk jemi në dijeni se si e mendojnë akademikët shqiptarë të ardhmen Shqipëri-Kosovë, apo me shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi, apo për Çështjen Çame. Nga ana tjetër, në këto 25 vite mungon një zbardhje e rrëzimit të njeriut dhe njerëzores në diktaturë. Në 45 vite në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime me pasoja që deri tani kanë rezultuar gati të pariparueshme. Duke qenë se, në sistemin komunist njeriu është thjesht një numër, një matrikull, shqiptarët humbën idenë për pronën, për të drejtën, për besimin e sidomos për marrëdhëniet me tjetrin, pasi gjithçka ishte pjesë e një dyshimi dhe frike të madhe. Këto ndryshime dramatike, që vijojnë të ndikojnë ende në ditët tona, për mënyrën se si shohim pronën, ligjin, të drejtën dhe tjetrin, kanë pasur nevojë për një studim të hollësishëm. Por me sa duket, ata të cilët kanë qenë pjesë e rrënimit, nuk mund ta shohin atë nga “krahu tjetër”. Sepse, siç thotë edhe sociologu gjerman Niklas Luhman, “ata që kanë jetuar me refuzim apo këndvështrim negativ për ‘jetën ndryshe’, pra për jetën në sistemin e kapitalizmit, ata nuk mund të shohin të vërtetën ndryshe.” Moszbardhja përmes studimeve serioze e pasojave të komunizmit, që më pas të ishte pasqyruar në tekste shkollore, është një mungesë që do të ndikojë edhe në brezat që po vijnë. Pastaj janë edhe çështje të tjera, ku mund të theksohet çështja e nivelit të kërkimit shkencor. Duket sikur është investuar për mediokritetin, duke na bërë qesharakë, nga njëra anë për numrin e lartë të personave me tituj shkencorë e honorifikë, dhe, nga ana tjetër, me plagjiaturë dhe shkencëtarë që nuk mund të mbrojnë dot as punët e tyre. Njëkohësisht, autoriteti i akademikëve mungon në çështje të rëndësishme të ndryshimeve shoqërore. Besoj se të gjithë e dimë se kanë ndodhur shumë ndryshime në marrëdhëniet në; ekonomi, familje, shoqëri e tashmë edhe në çështjen e martesave brenda gjinisë, dhe nga akademikët nuk ka ndonjë qëndrim lidhur me pasojat sociale që sjellin këto ndryshime. Por, gjithsesi, në bindjen time, është se kjo çështje nuk mund të bëhet me ndërhyrje brutale të politikës. Duhet një debat i shëndetshëm, që duhet të ketë si bazë përvojat më të mira të funksionimit të akademive, por njëkohësisht; të jetë edhe i bazuar në traditat shqiptare, që të vërë në shina të mira debatin lidhur me ndryshimet e mëdha shoqërore dhe ekonomike, e gjithashtu edhe në atë të çështjeve lidhur me të ardhmen e shqiptarëve kudo që ndodhen.
Erjon Kristo (Pedagog Marin Barleti)
Është rasti tipik kur dikush të kap për gryke dhe pastaj të thotë, pse nuk merr frymë. Institucionet nuk mund të vetëreformohen. Reformat i bën mazhoranca. Askush nuk duhet të tallet me akademikët tanë. Ata janë njerëz në moshë të shtyrë. Shumë syresh kanë kontribute. Fondet e Akademisë janë shumë qesharake. Kujdesi ndaj akademikeve është gjithashtu, qesharak. Jemi ende në kohë për reforma thelbësore që bëhen me ligj dhe bashkëpunim. Në të njëjtën kohë, duhet siguruar pavarësia e Akademisë.
Zamira Çavo (Pedagoge e Shkencave Sociale)
Në mendimin tim debati mbi Akademinë e Shkencave është shumë i vonuar dhe aspak i drejtë. Sigurisht, që spekulimet mund të jenë të shumta, madje edhe groteske. Por për mua problemi është i tejkaluar. Ka disa vite që flitet për reformimin e Akademisë së shkencave. Madje dhe nga qeverisja e Rilindjes në mandatin e parë u kërkua që në fillim reformimi i kërkimit shkencor dhe Akademisë së Shkencave. Por çfarë u bë për katër vite? Asgjë! Kjo nuk i jep më të drejtën askujt, madje as kryeministrit që të vendosë arbitrarisht mbylljen ose prerjen e fondeve ndaj këtij institucioni. Personalisht, e gjykoj fare të pavend debatin që është ngritur tashmë e që anashkalon nevojat e tjera urgjente që ka vendi, qoftë edhe në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor. Me apo pa Akademi shkencash vendi ka nevoja urgjente për të nxitur kërkimin shkencor e për t’i dhënë atij perspektiva. Por kjo nuk bëhet, as me ultimatum për mbarime afatesh e, as me parazitizma të tejkaluara. Duhet vullnet dhe mirëkuptim nga të gjithë. Unë pyes: Çfarë beri qeveria këto katër vite që shkuan për ta shkundur Akademinë? Sa herë i kërkoi mendim të kualifikuar për një fushë të përparësive të saj? Sa herë mori parasysh mendimet e akademikëve? Ja pra, që mua më duket e gjitha kjo një shfaqe groteske e radhës.
Brizida Gjikondi (Juriste, Pedagoge)
Unë mendoj se kryeministri Edi Rama në katër vite të qeverisjes së tij ka pasur kohë mjaftueshëm për të ndërmarrë aksione akademike dhe financiare lidhur me institucionin e Akademisë së Shkencave. Ai u kujtua shumë vonë për këtë që po ndodh aktualisht. Mendoj se ka humbur morali shkencor dhe ai i vlerave kombëtare. Problemet me Akademinë e Shkencave janë të hershme. Kjo akademi nuk ka mbrojtje me Kushtetutë që nga 21 prilli i vitit 2008. Për të reformuar Akademinë duhet mendim i thellë. E gjithë loja që po luhet me të ngjan me telenovelat turke. Unë mendoj se veprimi i Ramës për reformimin e Akademisë “është i duhur, por sipërfaqësor dhe emocional”. E të mendojmë se godina e kësaj akademie jepet me qira për dasma dhe darka e dreka. Ndërkohë që buxheti i shtetit është qesharak. 
Zylyftar Bregu (Pedagog në Universitetin e Tiranës, dega Gazetari)
Procesi në të cilin u zhvilluan zgjedhjet e autoriteteve drejtuese në Akademinë e Shkencave demonstroi fort dhe plotësisht mënyrën se si funksionon shoqëria shqiptare në tërësi dhe organizatat politike (dhe ato që burojnë prej tyre) në veçanti. Pra, karvani (i ngarkuar me pushtet) ecën përpara, pavarësisht zërave kritikë që mund të ketë brenda strukturës. Shikoni më vëmendje, një i ngjashmi i tyre (në status), Akademiku Artan Fuga, jo vetëm artikuloi, por edhe mbrojti, madje edhe bindi opinionin publik për farsën e zgjedhjeve aty, për malin e problemeve brenda institucionit që mbart ajkën e shkencës, dhe askush prej përgjegjësve të kësaj farse ose të këtyre problemeve nuk reagoi. Nënkryetari i Akademisë së Shkencave reagoi kur u bë kryetar, dhe kryetari reagoi kur u bë nënkryetar. Pavarësisht se reagimi i kryetarit që u bë nënkryetar, duke dhënë dorëheqjen ishte më dinjitoz. Nga ana tjetër edhe reagimet e institucioneve përgjegjëse për këtë situatë ishin të ngadalta, jo institucionale, dhe siç rezultoi, aspak efikase. Ministria e Arsimit reagoi duke sajuar Akademinë numër dy, ndërsa reagimin e kryeministrit ka shumë gjasa që akademikët ta kenë lexuar pasi kanë dalë nga mbledhja ku ndërruan postet. Pas, këtij debate publik, këto autoritete kanë përgjegjësi që të “skanojnë” Akademinë dhe këtë skaner ta bëjnë publik. Ndryshe akademikët nuk do të dëshirojnë të prezantohen më si të tillë. Pavarësisht se jam kundër zërave për “asgjësimin” e Akademisë, mendoj që ajo mund të qëndrojë, vetëm nëse reformohet!
Sigal