Përfaqësuesja e OSBE-ODIHR në vendin tonë Clarisse Pasztory ka zhvilluar një takim me deputetët Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi, Fatmir Mediu dhe Petrit Vasilin për të diskutuar mbi Reformën Zgjedhore, komisioni për të cilën pritet të mblidhet të premten më 19 janar.
Ajo ka bërë me dije se takimi është zhvilluar në kuadër të diskutimit të Reformës Zgjedhore dhe zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR në lidhje me të.
“Pata një takim të zgjeruar me deputetët e opozitës Gazment Bardhi, Fatmir Mediu ,Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili për të diskutuar reformën zgjedhore & zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
OSBE është gati të asistojë një proces reforme në kohë & gjithëpërfshirës”, thuhet në postimin e saj.
Pas këtij takimi, ka reaguar Bardhi i cili nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social ‘X’, shprehet se Reforma Zgjedhore është bllokuar nga kryeministri Edi Rama, i cili sipas deputetit të PD, nuk po lejon përfaqësimin e opozitës në komision.
“Përfaqësues të opozitës u takuan sot me Kryetaren në Detyrë të Prezencës së OSBE-së zj. Pasztory. Ritheksuam se për opozitën Ref. Zgjedh është një prioritet, që është bllokuar dhe po vazhdon të bllokohet nga Edi Rama, duke mos lejuar përfaqësimin e opozitës në këtë Komision”, shkruan Bardhi.
Ndërsa më tej, ai theksoi se nuk mund të ketë konsensus për këtë Reformë nëse në nuk ka gjithë përfshirje të opozitës, e cila sipas tij nuk përfaqësohet nga Alibeaj e Basha të cilët i konsideron si minorancë brenda opozitës.